Google ADS

A po tregon vendosmëri Kosova në realizimin e marrëveshjeve me Serbinë, flasin analistët

08:22 | 24 Tetor 2020
Arbresh.info

Kosova dhe Serbia kanë hyrë në fazën finale të arritjes së një marrëveshje përfundimtare.

Por, para arritjes së një marrëveshje finale, dy vendet po zvarritin implementimin e 35 marrëveshjeve të nënshkruara deri me tani.

Ajo që nuk po heq dorë, është Serbia e cila duket e vendosur në zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave serbe.

Por a duhet të jetë kaq e vendosur edhe Kosova për implementimin e marrëveshjeve të arritura deri tani?

Allen Meta nga Demokracia Plus, thotë për portalin arbresh.info se Kosova duhet domosdoshmërish të kërkoj realizimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura.

“Kosova për momentin është duke u shfaqur e disfavorizuar, e kjo si rrjedhoje e një moskordinimi te brendshëm mes artereve kryesor politik ne Kosove. Ne dialogun i cili udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, duke pas parasysh mungesën e një mekanizmi mbikëqyrës, Kosova dhe Serbia do te zvarrisin implementimin e marrëveshjeve te arritura. Realisht ne momentin qe ndodhemi ngritja e çështjeve esenciale do te ishte shume e rëndësishme e ketë përfaqësuesit e Kosovës nuk janë duke e bere ne nivelin me te mirë. Është e domosdoshme qe Kosova, të kërkoj realizimin e te gjitha marrëveshjeve, e në të njëjtën kohe te zbatoj te gjitha marrëveshjet e arritura, duke mos cenuar rendin kushtetues”, tha ai.

Për të qenë zë i fuqishëm, sipas Metës, Kosovës i duhet unitet politik (pozitë-opozitë), i cili do të jepte sinjale se klasa politike në Kosovë është e bashkuar dhe e gatshme të dialogoj një marrëveshje e cila nuk prek integritetin territorial, dhe nuk kërkon ndryshime kushtetuese.

E, analisti politik Fitim Salihu mendon se pala kosovare nuk guxon të bëjë asnjë kompromis me tepër në rast se BE-ja nuk garanton se Kosova do të shpaguhet me njohje nga Serbia.

“Asociacioni pa njohje nuk e zgjidh problemin. Vetëm e shton një problem me tepër ne marrëdhëniet Kosove-Serbi. Pa njohje nga Serbia, Kosova nuk është e obliguar ta krijoje kurrfarë Asociacioni – qofte me kompetenca ekzekutive, qofte pa kompetenca ekzekutive”, thotë ai.

Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në një fazë finale. Me 4 shtator në Uashington palët janë zotuar për normalizim ekonomik nën ndërmjetësimin e SHBA-ve. Paralelisht në Bruksel po vazhdojnë takimet për arritjen e një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në kuadër të dialogut deri më tani janë arritur rreth 35 marrëveshje, duke përfshirë marrëveshjet e ri negociuara dhe planet e zbatimit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme