Mosmarrëveshjet ndërmjet Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe Sindikatës së Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) për kompensimin e orëve të humbura, gjatë grevës tri javore në janar të këtij viti, shpërfaqin ndikimin e qëndrimeve të ndryshme politike në zgjidhjen e këtij problemi, vlerësojnë ekspertë për çështje të arsimit, përderisa një gjë e tillë mohohet nga SBASHK-u.
Mësimdhënësit, më 14 janar patën nisur grevën, e cila zgjati për tri javë, me kërkesën për rritjen e koeficientit të pagave për 30 për qind. Greva ishte ndërprerë pas marrëveshjes me institucionet përgjegjëse, se Ligji i ri për paga do të përafrojë kërkesën e tyre.
Ligji i ri për paga është miratuar në Kuvendin e Kosovës në muajin shkurt.
Pas ndërprerjes së grevës, më 26 shkurt ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në Qeverinë e Kosovës, Shyqiri Bytyqi kishte marrë vendim që orët e humbura mësimore të kompensohen, fillimisht me pesë ditë të marra nga pushimi pranveror që ka filluar nga e hëna (1 prill), pesë ditë të shtuna dhe pesë ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.
Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi, ka thënë se vendimi për kompensimin e orëve është marrë pas propozimeve të drejtorëve komunalë të arsimit, por që sipas tij, SBASHK-u ka krijuar problem të panevojshme në terren, duke marr rol vendimmarrës, e që faktikisht nuk i takon.
“SBASHK-u e ka krijuar një huti, një zhurmë të panevojshme dhe të paarsyeshme, që në faktnuk ka të drejtë fare. Ka marr një rol vendimmarrës nganjëherë, duke krijuar një problematikë në terren. Por, që ne shpresojmë se do të gjendet një zgjidhje dhe nuk do të ketë nevojë të vijë të ndonjë vendim tjetër apo sanksione të caktuara. Drejtorët komunalë të arsimit duhet të gjejnë kohën më të përshtatshëm për kompensimin e orëve në mënyrë që të mos të dëmtohen nxënësit”, tha ministri Bytyqi.
Por, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kosovës (SBASHK), përmes komunikatave për media, vazhdimisht ka përsëritur se nuk do të ketë kompensim të orëve të humbura mësimore. Madje, kjo sindikatë ka paralajmëruar se do të shpallë grevë të përgjithshme, nëse, siç është thënë, “bëhet trysini te mësimdhënësit për zëvendësimin e orëve të humbura”.
Një gjendje e tillë e krijuar në arsim nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovë, thotë Dukagjin Pupovci, drejtuesi i Qendrës për Arsim të Kosovës , sipas të cilit, nxënësit po pësojnë nga përplasja në mes ministrisë dhe sindikatës.
Pupovci tha se këmbëngulja për moszëvendësimin e orëve të humbura, ka ndikime politike.
“Përveç konfliktit në mes Ministrisë dhe SBASHK-ut, këtu mund të jetë ndonjë ndërhyrje politike e partnerëve të tjerë të koalicionit, të cilët tentojnë që përmes kësaj situate t’i spastrojnë ‘hesapet’ mes vete dhe mendoj që i shkakton dëme jashtëzakonisht të madh sistemit të arsimit”.
“Tek e fundit, SBASHK-u ka fituar atë që ka dashur, përmes grevës së janarit ka siguruar rritjen e koeficientit për mësimdhënësit dhe po më duket vërtet e tepërt që sindikata po insiston kaq shumë në moszëvendësimin e orëve”, tha Pupovci.
Në anën tjetër zyrtarë të Sindikatës se Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë, pohojnë se nuk ka ndikime politike, por që fajtor për zgjatjen e grevës janë institucionet e Kosovës që nuk ka realizuar me kohë kërkesat e tyre.
Vjollca Shala, nënkryetare në SBASHK, tha se vetë mësimdhënësit nuk kanë shprehur gatishmëri për zëvendësimin e orëve të humbura.
“Sa i përket çështjes se ka politizim në këtë situatë, kjo nuk është e vërtet, pasi SBASHK-u ka 23 mijë anëtarë dhe natyrisht mësimdhënësit kanë orientime të ndryshme politike. Kështu që nuk mund të thuhet se është politike, derisa kemi mësimdhënës që i takojnë të gjitha partive politike. Mirëpo, moszëvendësimi i orëve të humbura ka qenë kërkesë e mësimdhënësve”, shprehet Shala.
Edhe ministri i Arsimit, Shqyqiri Bytyqi nuk dëshiron të paragjykojë se mund të ketë ndikime politike, por që në situata të tilla, siç thotë ai, mund të paraqiten akterë të ndryshëm.
“Mendoj se është bërë një zhurmë e panevojshme dhe kur bëhet një zhurmë e madhe, zakonisht paraqiten shumë akterë që dëshirojnë të përfitojnë nga një situatë e tillë. Që në fakt në këtë rast nuk është mirë, sepse dëmton pjesën më të rëndësishme të sistemit arsimor që janë nxënësit. Megjithatë, unë shpresoj se kjo sfidë do të tejkalohet edhe pse nuk është një sfidë e lehtë”, tha Bytyqi.
Për çështjen e kompensimit të orëve të humbura, më 27 mars Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme, në të cilin është kërkuar gjetja e një zgjidhjeje në mes ministrisë dhe SBASHK-ut.
Ndryshe, çështja e kompensimit të orëve të humbura, ka mbërritur edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku SBASHK ka dorëzuar padi ndaj vendimit të ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyçi për kompensimin e orëve, që ka hyrë në fuqi në fillim të muajit mars, por si i tillë nuk është respektuar nga SBASHK-u. /rel/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...