A po i ruan Komuna e Prishtinës autobusët e rinj për fushatën e zgjedhjeve lokale?

08:59 | 16 Shtator 2017
Arbresh.info

Në shkurt të këtij viti Trafikut Urban të Prishtinës i janë bashkuar 30 autobusë të rinj.

Në marrëveshjen mes komunës së Prishtinës, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Qeverisë së Kosovës ishte paraparë që të vinin 51 autobusë, por erdhën vetëm 30 dhe ata u lëshuan për herë të parë në qarkullim Ditën e Pavarësisë, më 17 shkurt, shkruan arbresh.info.

Atëkohë, i pari i Prishtinës Shpend Ahmeti pati thënë se 21 autobusët e tjerë do të vinin brenda 120 ditësh, saktësisht në muajin prill.

Tani janë bërë 6 muaj që 21 autobusët tjerë nuk kanë arritur dhe komuna e Prishtinës shkeli afatin që e kishte përcaktuar.

Në një përgjigje për portalin arbresh.info, zëdhënësja e komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu ka thënë se vonimi i autobusëve është për shkak të renovimit të garazhës.

Sipas saj, pjesa e mbetur e autobusëve do të vijë në fillim të muajit tetor, që i bie gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

“Në bazë të marrëveshjes me BERZh, autobusët e rinj vijnë pas renovimit të garazhës. Kompania përkatëse është duke punuar intensivisht dhe pritet që gjithcka të përfundojë në fillim të tetorit. Në këtë afat kohor kanë ndikuar punët shtesë të domosdoshme në renovim të garazhës, janë nënshkruar kontrata shtesë dhe procedura shtesë të prokurimit”, ka thënë ajo.

Mullafazliu ka thënë se vjeshta do ta gjejë kryeqytetin me autobusët e rinj.

“Në të njejtën kohë, si pjesë e projektit të reformimit të transportit publik, është duke u hartuar Plani i Mobilitetit me punë dinamike që pritet të përfundojë shumë shpejt. Së këndejmi, vjeshta do ta gjejë Prishtinën me stacione të reja, linja të reja dhe plot 51 autobusë të rinj urban”, ka shtuar ajo. V.Berisha/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme