U vendos taksë për importimin e miellit serb në Kosovë, por ky tentim i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë duket se nuk ka pasur shumë efekt. Kjo pasi që bizneset nga Serbia kanë gjetur një rrugë tjetër për t’i ikur kësaj pagese. Të paktën kështu ka thënë për Indeksonline, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Muhemet Farizi.
Sipas tij, mielli i Serbisë ka filluar të tregtohet në emër të miellit të Bosnjës, duke hyrë kështu në Kosovë pa tatim.
Si rezultat i kësaj po shkelet marrëveshja e CEFT-ës, e mielli i ardhur në Kosovë është i cilësisë më të ulët dhe prej mullinjve më të dobët.
“Nga Serbia ka ardhur miell me çmime damping prej mullinjve më të dobët të tyre. Ministri Industrisë dhe Tregtisë ka marrë masa antidampinge, por mielli i Serbisë ka filluar të tregtohet në emër të miellit të Bosnjës dhe vjen në Kosovë pa tatim, pra Serbia nuk po e respekton marrëveshjen e CEFT-ës. Mielli i ardhur nga Serbia ka cilësi ma të dobët se mielli vendor”, është shprehur Farizi.
Ai thotë se mielli i prodhuar në Kosovë i plotëson standardet ndërkombëtare, madje ka bërë apel që qytetarët të mos bien pre e propagandave lidhur me cilësinë e këtij mielli.
“Vendi jonë është i vetmi shtet në Evropë i cili me ligj e ka të obliguar Fortifikimin e miellit me hekur dhe acid foli, elemente të cilat e rrisin cilësinë e miellit i cili si elemente ushqyese e ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullatës e në veçanti lehonave si dhe mundësinë e lindshmërisë së fëmijëve të shëndetshëm. Pra mielli i Kosovës i plotëson standardet ndërkombëtare. Popullata duhet tu largohet propagandave negative të cilat vinë nga jashtë për kinse cilësinë e dobët të miellit vendor”, ka thënë Drejtor Ekzekutivi i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës.
Por se shteti nuk po e përkrah prodhimin e grurit vendor, ishte njëra prej deklaratave të Farizit. Ai u shpreh se po e stimulon grurin nga importi, madje u vihen edhe shumë taksa që e bëjnë të vështirë procesin e prodhimit të grurit.
“Statistikat në vendin tonë ka vështirësi të krijohen por bazuar në shënimet e disponueshme me prodhimin e grurit i plotësojmë nevojat prej 56% deri në 69% varësisht prej vitit të prodhimit dhe rendimenteve. Këtu duhet cekur se shteti është duke e destimuluar prodhimin vendor dhe po e stimulon grurin nga importi”, ka përfunduar Farizi.
Porse importi i produkteve nga Serbia ka rënë, e ka konfirmuar edhe Adriatik Stavileci nga Dogana e Kosovës. Sipas tij, nga data 23 tetor 2017 e deri tani ka pasur rreth 3.4 milionë kg miell nga Serbia, qe duke e krahasuar me një vit më parë kemi ulje për 4 herë, kur kishte mbi 12 milionë kg import nga Serbia.
“Sipas statistikave të doganës nga data 23 tetor 2017 e deri tani kemi pasur rreth 3.4 milionë kg miell nga Serbia dhe nëse kjo krahasohet me periudhën e njëjtë të një viti më parë, shohim që kemi ulje për 4 herë pasi para masës kishim diku mbi 12 milionë kg import nga Serbia”, është shprehur ai.
Ndryshe, sipas shifrave sasinë më të madhe të miellit të importuar e ka Serbia, duke vazhduar Bosnja, Austria dhe Hungaria. Kurse, sipas të dhënave të regjistruara nga Dogana e Kosovës del se janë mbledhur nga taksa e vendosur mbi 100.000 euro.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...