Google ADS

A po “braktiset” Lëvizja Vetëvendosje nga deputetët e saj për LDK-në?

08:58 | 27 Tetor 2024
E.G

Lëvizja Vetëvendosje të cilën e udhëheq kryeministri i vendit, Albin Kurti, po braktiset nga deputetët e saj.

Ulje, ngritje e tensione kishte në vazhdimësi.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni ka deklaruar se edhe shumë deputetë të partisë në pushtet janë të interesuar t’i bashkohen LDK-së.

Këtë deklaratë të tij për Arbresh.info, e ka konfirmuar edhe bashkëpartiakja e Qunit, Rrezarta Krasniqi.

Krasniqi tha se ka deputetë të tjerë që janë të interesuar që të vijnë.

Madje sipas saj, partia e Kurtit është braktisur qysh në fillim, kur është larguar Doarsa-Kica-Xhelili.

“Ka deputet të tjerë që janë të interesuar me ardh. Lëvizja Vetëvendosje është braktis qysh në fillim, kur ka ardh deputetja Doarsa-Kica Xhelili, jemi në bisedime me të tjerë”, tha deputetja shkurtimisht për Arbresh.info

Se kush janë ata, Krasniqi tha se shumë shpejt do të kuptohet në momentin që do të bëhet aderimi.

Por, sipas analistit politik, Artan Muhaxhiri ka disa arsye që kalimi nga një parti në tjetrën nuk ka shumë logjikë politike në këtë periudhë.

Edhe në rast se mund të ndodh ndonjë kalim i mundshëm, ai tha se mund të ndodh pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Së pari, Kuvendi i Kosovës s’është funksional sa u përket vendimeve të rëndësishme, prandaj numri i deputetëve nuk luan ndonjë rol ndikues. Së dyti, pasi faktikisht jemi në fushatë zgjedhore, deputetët që potencialisht do të kalonin nga VV-ja në LDK këtë do ta bënin pas garancive për përkrahje partiake në procesin e 9 shkurtit”, u shpreh ai.

Ai theksoi se kjo situatë do të krijonte pakënaqësi brenda LDK-së, duke thënë se nuk ka asnjë indikacion real që mund të ndodhë një gjë e tillë.

“Kjo situatë do të krijonte pakënaqësi brenda LDK-së, sepse disa kandidatura të anëtarëve të saj do të dëmtoheshin për dobi të atyre që për katër vjet kanë qenë kundërshtarë politikë. Eventualisht, një gjë e tillë mund të ketë efekt vetëm në rast se bëhet fjalë për personalitete të njohura nga lidershipi i VV-së, që do të garantonin edhe sjelljen e votave të elektoratit të tyre në LDK. S’ka asnjë indikacion real që kjo do të ndodhë”, pohoi Muhaxhiri.

Edhe analistja politike, Afërdita Maliqi tha se deputetët që mund të largohen nga VV-ja për LDK-në, nuk kanë ndonjë bagazh politik që mund të ndikojnë.

“Është e vërtetë se disa deputetë të VV-së tashmë nuk janë pjesë e Grupit Parlamentar të VV, për arsye të ndryshme që s’janë pajtu me qëndrimet e VV-së. Mirëpo disa nga këta deputetë nuk kanë ndonjë bagazh politik që mund të ndikojnë, megjithatë është mirë që po largohen”, tha Maliqi.

Sipas analistes, Vetëvendosja është duke u braktisur edhe nga qytetarët, përshkak se janë zhgënjyer me qeverisjen e Kurtit.

“Javën e fundit një deputete e VV kaloi në LDK dhe ndoshta këtu është bazuar deklarata e Qunit. Vetëvendosje po braktiset më shumë nga qytetarët, të cilët janë zhgënjyer me qeverisjen e saj. Kurse deputetët më shumë kalkulojnë interesa personale dhe ata si ndalon askush të kalojnë në cilëndo parti duanë”, tha analistja.

Ndryshe, deklarata e Qunit vjen pasi deputetja Drita Millaku braktisi Lëvizjen Vetëvendosje për t’iu bashkuar LDK-së.

Abdixhiku atë kohë kishte  thënë se Millaku i bashkohet familjes së tyre politike në rrugëtimin e përbashkët që i pret përpara.

“Ky vendim i saj për të qenë pjesë e radhëve tona është jo vetëm një dëshmi e përkushtimit të saj politik, por gjithashtu një tregues i qartë se vizioni dhe programin i LDK-së për Republikën, është i duhuri sot”, ishte shprehur  Abdixhiku.

Së fundi, nga kjo parti është larguar edhe Eman Rrahmani dhe Visar Korenica.

Ndërsa deputeti tjetër në të cilin VV vështirë se mund të llogarisë është Fitim Uka.

Ai në janar të këtij viti kishte thënë se nuk do të kandidojë më si deputet në shenjë proteste.

Ndërsa para dy viteve, deputetja Doarsa Kica-Xhelili nga Lista Guxo kaloi në LDK.

“Sot, Lidhjes Demokratike të Kosovës, iu bashkua deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili. Si politikane aktive e profesioniste e shquar, ardhja e saj në LDK është vlerë. Për këtë jemi të lumtur të gjithë”, ishte shprehur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixiku për aderimin e saj në partinë e tij.

Më pas nga VV u largua edhe deputeti i VV-së, Haki Abazi i cili përveç se deputet, ishte edhe kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

“Kurti, këtu ndahen rrugët tona përfundimisht. Ti ke vazhduar në rrugën e njëjtë me ata që janë opozitë- konfidenciale . Edhe ata flisnin për “fshisa kur pyeteshin për lisa”, ishte statusi përmes të cilit Abzazi zyrtarizoi largimin nga VV.

Pas Abazit, largimi tjetër ishte ai nga Fatmir Humolli./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme