Google ADS

A nisi gara për kandidat për kryeministër në LDK?!

00:32 | 20 Prill 2018
Trina Galanxhi

Numri dy i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka mohuar se në këtë parti ka nisur gara për të marrë kreun apo mandatarin për t’u dominuar për kryeministër të vendit.

Duke i referuar deklaratës së kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxhiri, se do të mund të jetë kandidat për kryeministër, ka thënë se “deklarata e kolegut të tij e hapi këtë debat të panevojshëm”.

“Është provokuar nga një pyetje në të cilën ai ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë. Por ne e ruajmë kalendarin e zgjedhjeve në LDK. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është duke u bërë shumë mirë. LDK-ja ka kryetar, ka struktura dhe kalendar të zgjedhjeve”, ka thënë Haziri, në Interaktiv të KTV-së.

“Kemi mbajt zgjedhje edhe në luftë, në vitin ‘98 kur ka pas kërcënime me armë se nuk guxoni të mbani zgjedhje. Por ne e kemi të organizuar këtë traditë të kalendarit të zgjedhjeve. Kah fundi i vitit do të shpallen zgjedhjet që duhet të kryhen në majin e vitit që vjen.
Është humbje kohe që të flitet qysh tash për atë punë. Kushdo që mendon ta shpallë kandidaturën për kryetar të LDK-së, mund ta bëjë atë dhe ka mjaftueshëm kohë, 5 muaj që të shpalosë platformën e vet”, ka thënë Haziri.

“Edhe më herët z. Mustafa ka deklaruar se ky është mandati i cili do ta çojë përpara LDK-në. Nëse dikush e ka njëlloj përparësie për kandidaturë është z. Mustafa, por ai do ta vlerësojë vet”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se mendon se për LDK-në është shumë më me rëndësi që ta ketë një listë konsensuale përfaqësuese politike, se sa një kandidatë për kryeministër e që pastaj mbetet kryeministër në tentativë./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme