Për shkak të pandemisë, synimi i qeverise për rritjen e kërkesës agregate në Kosovë është edhe mundësia e tërheqjes së 10 për qind të parave nga kontribut-dhënësit.
Tërheqja e 10 për qind të mjeteve nga llogaria e qytetarëve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, si dhe tërheqja e 100 milionë eurove nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, në emër të rimëkëmbjes ekonomike, parashihen në Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Ky projektligj është miratuar në Kuvend në lexim të parë. Që të jetësohet duhet të miratohet edhe në leximin e dytë.
Qytetarët kanë shprehur interesim se a do të mund t’i tërheqin edhe paratë e grumbulluara në Trust prej atyre llogarive që nuk janë aktive.
Faton Morina, një qytetar, të cilit i punon vëllai në Gjermani nga viti i kaluar, por që ka të grumbulluara mjete në Trust në kohen kur ka punuar në Kosovë ka shprehur interesim që të tërheq disa mjete të vëllait të tij, pasi ai vetë nuk është kontribut-dhënës.
“Rreth 20 vjet më ka punuar vëllai bashkë me gruan me letra të rregullta. Tash ka shku në Gjermani, nuk e dimë nëse mund të tërheqim pak para nga kontributet e tij. Në Trust kanë thënë se duhet pritur të miratohet ligji në tersi për t’u infomuar me të gjitha detajet. Unë jam i pa punë që një kohë”, tha ai.
Jeton Demi, zëdhënës në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës tha për lajmi.net, se çdo person, i cili ka kontribute, mund të tërheq ato në bazë të legjislacionit që do të miratohet.
“Çështja e tërheqjes së 10%-shit, sipas projektligjit të miratuar në Kuvend në leximin e parë, nuk ndërlidhet me të qenit ose jo aktivë si kontribuues. Çdo person që ka mjete të kursyera në Trust do të mund të aplikojë, nëse hyjnë në fuqi ndryshimet ligjore, për tërheqjen e 10%-shit.
Meqë aplikimi është menduar të jetë online, pra përmes internetit, kjo nuk paraqet asnjë problem për të aplikuar edhe kontribuuesit që nuk mund të mos jenë në momentin e aplikimit në Kosovë”, tha Demi.
Por, në gjithë këtë ka një problem të vogël për ata qytetarë që nuk kanë llogari bankare të hapur në Kosovë.
“Mjafton që të njëjtit të kenë numër personal të Kosovës dhe llogari aktive në një bankë po në Kosovë dhe i tërheqin pa problem”, shtoi tutje Demi.
Në Trust nuk kanë shifra se sa është vlera monetare e personave që aktualisht llogaria e tyre është jo aktive.
“Në vlerë monetare nuk e kemi nxjerr, por ndërsa llogari të papensionuara janë rreth 639 mijë llogari aktive janë rreth 350 mijë. Diferenca i bie të jenë llogari joaktive në periudhën shtator 2020. Këto shifra ndryshojnë çdo muaj”, shtoi tutje Demi.
Qytetarët që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës kanë kërkuar vazhdimisht që të marrin kursimet e tyre në Trust. Por, ky institucion nuk e ka të rregulluar me ligj këtë gjë, andaj me miratimin e ligjit do të mund të tërheqin vetëm 10 për qind të shumës, nëse ata kanë llogari bankare në Kosovë.
Deri më datë 12 tetor 2020, Trust-i ka pasur nën menaxhim 2, 093, 590, 648 euro.
Sipas të dhënave të Trust, gjysma e kontribut-paguesve apo mbi 312 mijë persona kanë më pak se një mijë euro të kursyera.
Rreth 27% e kontribut-paguesve apo afër 167 mijë persona mund të tërheqin mesatarisht 9 euro.
10% e kontribut-paguesve (65,756 persona) mund të tërheqin mesatarisht 37 euro.
7% e kontribut-paguesve (afër 51 mijë persona) mund të tërheqin mesatarisht mbi një mijë euro kursime.
FKPK-ja është themeluar si institucioni i vetëm për menaxhimin dhe investimin e kontributeve të detyrueshme pensionale të të punësuarve të Kosovës, si dhe për administrimin e llogarive individuale të kursimeve pensionale të kontribuuesve deri në pensionimin e tyre. FKPK-ja u themelua me Ligj në dhjetor të vitit 2001 si institucion jo-përprofit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), nuk e ka përkrahur iniciativën e Qeverisë së Kosovës për tërheqjen e 10 përqindëshit të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale, por e arsyeton fokusimin e një pjese të mjeteve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) te masat zbutëse dhe të rimëkëmbjes në buxhetin e vitit 2021.
Kështu thuhet në një deklaratë përmbyllëse të stafit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka zhvilluar një vizitë virtuale në Kosovë nga 23 shtatori deri më 7 tetor.
Në deklaratën e FMN-së, thuhet se “tërheqja e propozuar e 10 përqindëshit të kursimeve pensionale nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK) zvogëlon pensionet e ardhshme dhe kufizon madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit, që ka qenë burim esencial i financimit të buxhetit”.
Kuvendi me sqarim për kontratën e re për pastrim dhe mirëmba...
Policia e Shqipërisë nis aksion të antidrogës, “shënjestër” ...
Mbledhja e përbashkët Kosovë-Maqedoni, dalin detajet
Shqipëria mbyll përgatitjet në “Air Albania”, gati për ndesh...
Vëllai i Xhenetës me urgjencë vjen nga Suedia, gruaja e Mevl...
Kryetari Konjufca priti në takim deputetët laburistë të Mbre...