Shtimi eventual i masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës, do ta thellonte padrejtësinë.
Kështu thotë Qeveria e Kosovës për Radion Evropa e Lirë, duke komentuar deklaratat e zyrtarëve të Bashkimit Evropian, të cilët kanë përsëritur më 8 gusht qëndrimin se masat mund të reduktohen, mund të hiqen, por mund edhe të shtohen varësisht nga hapat që ndërmarrin autoritetet e Kosovës në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të vendit.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në qershor të vitit të kaluar, si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë – nisën detyrën e tyre në komunat në veri.
Masat e tilla janë ende në fuqi.
Qeveria e Kosovës ka theksuar se masat e tilla “nuk janë zgjidhje” dhe se, sipas saj, “koha ka dëshmuar se kanë qenë të padrejta”.
“Ato vazhdojnë të jenë të tilla për aq kohë sa janë në fuqi. Shtimi i tyre vetëm sa do ta thellonte padrejtësinë”, thuhet në komentin e Qeverisë për Radion Evropa e Lirë.
Cilat janë masat e BE-së ndaj Kosovës?
Masat e BE-së ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.
Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).
Programi IPA, sipas Komisionit Evropian, është paraparë si “mënyrë përmes së cilës BE-ja përkrah reforma në ‘vendet në procesin e zgjerimit’ me ndihmë financiare dhe teknike”.
Kosova ka përfituar gjithsej 1.21 miliard euro nga ky program që nga viti 2007 deri në fund të vitit 2022. Ndërsa, nga programi Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor, Kosova ka përfituar rreth 1.8 miliard euro nga viti 2009 deri më 2021.
Por, pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.
Qeveria e Kosovës është shprehur e indinjuar pse BE-ja, sipas saj, “nuk ka ndërmarrë masa ndaj Serbisë”, e cila pas sulmit të grupeve të armatosura serbë në Banjskë të Zveçanit, shtatorin e vitit të kaluar, “po e strehon dhe financon Millan Radoiçiqin”.
Radoiçiq kishte marrë mbi vete përgjegjësinë për sulmin në Banjskë në veri të Kosovës në shtator të vitit 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku. Në përleshjet që pasuan me policinë, u vranë edhe tre serbë të armatosur, pjesë e grupit të udhëhequr nga Radoiçiq. Ndaj Radoiçiqit ende nuk ka aktakuzë në Serbi, por as në Kosovë.
“BE-ja vetëm ka ripërsëritur qëndrimin e vitit të kaluar”
Burimet diplomatike të Bashkimit Evropian (BE) kanë thënë se nuk ka ndonjë ndryshim në qasjen e Bashkimit Evropian (BE) lidhur me masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Sipas tyre, “BE-ja vetëm ka përsëritur qëndrimin e shprehur para më shumë se një viti”, kur ishin vendosur masat, për të cilat kishin deklaruar se janë të përkohshme.
Asokohe ishte thënë se masat mund të reduktohen, mund të hiqen, por mund edhe të shtohen varësisht nga hapat që ndërmarrin autoritetet e Kosovës në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të vendit.
Në këtë kontekst, sipas burimeve diplomatike të BE-së është edhe deklarata e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, e 8 gushtit, sipas së cilës, në vend të hapave që do të çonin në uljen e tensioneve, “janë ndërmarrë shumë e më shumë hapa dhe vendime të njëanshme që çojnë drejt përshkallëzimit”.
“Pra, kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të ashpërsohen nëse për një gjë të tillë pajtohen të gjithë aktorët e BE-së”, tha Stano.
Stano u është referuar veprimeve të autoriteteve të Kosovës, të cilat më 5 gusht mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë, pasi thanë se ato vepronin në veri të Kosovës pa licencë. Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara e kritikuan këtë vendim.
Po ashtu, komuniteti ndërkombëtar po kundërshton edhe hapjen e urës mbi lumin Ibër, që Qeveria e Kosovës synon ta hapë për qarkullimin e automjeteve.
Shtetet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – ditëve të fundit deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.
Qeveria e Kosovës, megjithatë ka theksuar se mbyllja e degëve të Postës së Serbisë në veri “është çështje e sundimit të ligjit”, ndërkaq hapja e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër “është çështje e lirisë së plotë të lëvizjes, sundimit të ligjit dhe respektimit të marrëveshjeve të dala nga Brukseli që në vitin 2015”, si dhe “kontribut i drejtpërdrejtë i integrimit të mëtejmë të qytetarëve tanë”.
Mospajtime në BE për masa të reja ndaj Kosovë
Burimet diplomatike në BE thonë se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës, të cilat nga BE-ja janë cilësuar të njëanshme dhe të pakoordinuara “nuk shkojnë në drejtim të shtensionimit të situatës, por mund të kenë efekt të kundërt”.
Bazuar në gjithë situatën e krijuar së fundmi me veprimet e autoriteteve të Kosovës, burimet diplomatike në BE, thonë se “ata që kanë kërkuar heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, tash do ta kenë të vështirë që ta arrijnë këtë qëllim”.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, në qershor u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës.
Asokohe, shumica e shteteve të BE-së ishin në favor të heqjes së plotë të masave, por disa vende të BE-së janë shprehur se “përmbushja e kërkesave nga ana e Kosovës nuk ka qenë e plotë” dhe ato shtete nuk u pajtuan që Kosovës t’i hiqen të gjitha masat.
Mospajtimi i shteteve të caktuara për heqjen e masave ndaj Kosovës, kanë theksuar si argument prishjen e besimit në raport me autoritetet e Kosovës, të cilat, siç thuhej atëherë, mund të ndërmarrin veprime të njëanshme në veri të vendit, qoftë edhe nëse gradualisht hiqen disa masa.
Si argument, diplomatët përmendnin paralajmërimet për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Duke u bazuar në zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, burimet diplomatike në BE thonë se vendet që kanë kërkuar heqjen e masave ndaj Kosovës, tash do ta kenë të vështirë që ta arrijnë këtë.
Disa diplomatë në Bruksel, thonë se në këtë situatë është e mundur që të mendohet edhe për veprime të reja ndaj Kosovës, që nuk nënkuptojnë doemos masa ndëshkuese. Ata nuk kanë dhënë sqarime se cilat mund të jenë ato veprime.
Sipas këtyre diplomatëve, gatishmëria në BE lidhur me këto veprime, do të varet nga ngjarjet në terren, në ditët në vijim.
Por, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, ka shtete që mendojnë se masat vetëm ndaj Kosovës dhe asnjë masë ndaj Serbisë, krijojnë hapësirë për ta konsideruar rolin e BE-së si jo të balancuar.
Prandaj, sipas tyre, konsiderohet e vështirë që në Këshillin e BE-së të arrihet pajtim i të gjitha vendeve anëtare për të shtuar masat ndaj Kosovës e ndërkohë të mos ketë asnjë masë ndaj Serbisë.
Megjithatë, BE-ja vazhdon të presë që autoritetet e Kosovës t’i kthehen bashkëpunimit dhe koordinimit me partnerët dhe para se të ndërmarrin çfarëdo veprimi, të kenë parasysh edhe efektin që ato mund të kenë për komunitetet e ndryshme në Kosovë.
Çfarë ka në dispozicion BE-ja për shtrëngim masazh?
Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, shpreh mendimin se masat që ka vendosur BE-ja ndaj Kosovës, janë të buta dhe nuk janë me pasoja të pariparueshme.
Megjithatë, sipas tij, ndonëse BE-ja ka në dispozicion mundësinë që t’i shtrëngojë këto masa, vendimi për një gjë të tillë kërkon konsensusin e të gjitha vendeve anëtare, gjë që është vështirë të arrihet.
Deri më tash, siç thotë ai, BE-ja ka anuluar takimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), gjë që ka efekt margjinal.
Megjithatë, sipas tij, në rast se do të arrihej një konsensus për ashpërsimin e masave, atëherë BE-ja mund të marrë vendime politike dhe ligjore që pezullojnë zbatimin e disa pjesëve të MSA-së.
“Për shembull, BE-ja mund të nxjerrë vendim që komplet pjesa tregtare e MSA-së të pezullohet. Kjo i bie që eksportuesve të Kosovës u mohohen të gjitha privilegjet që i gëzojnë aktualisht gjatë eksportit në BE”, thekson Shasha.
Po ashtu, sipas tij, BE-ja ka mundësi të ashpërsojë masën e deritashme të mosftesës së Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.
Pavarësisht masës aktuale, sipas tij, krerët më të lartë institucionalë të Kosovës kanë marrë pjesë deri më tash në disa takime të nivelit të lartë, por kjo mund të ndryshojë.
“Për shembull, BE-ja mund të nxjerrë vendimin që nga 1 shtatori, institucioneve të Kosovës t’iu mohohet pjesëmarrja në të gjitha forumet evropiane. Unë po flas për përshkallëzime. Kjo mund të shkojë duke u përshkallëzuar, deri në nivelet ku hyjmë në rangun e sanksioneve”, thekson Shasha.
Ai shton se deri më sot edhe masat e BE-së në fushën financiare kanë qenë të buta dhe nuk kanë prodhuar pasoja të pakthyeshme.
Sipas tij, BE-ja ka pezulluar fondet e caktuara për Kosovën, por nuk i ka anuluar ato.
“Tani BE-ja mund ta përshkallëzojë këtë dhe nga pezullimi i fondeve mund të shkojë në anulim të fondeve. Pastaj, pasojat janë të pakthyeshme”, thekson Shasha.
Në këtë kontekst, sipas tij, humbjet për Kosovën mund të jenë nga mijëra euro në qindra miliona euro, varësisht nga ajo se çfarë mesazhi dëshiron të dërgojë BE-ja tek autoritetet e Kosovës.
Megjithatë, ai nuk beson se BE-ja do të ndërmarrë masa ekstreme, por ato do të jenë proporcionale në raport me sjelljen e autoriteteve të Kosovës.
“Gama e mundësive për t’i përshkallëzuar këto masa, është e pafund”, thotë Shasha.
Megjithatë, sipas tij, shtrëngimi eventual i masave nuk ka gjasë të ndodhë për një kohë të shkurtër dhe lehtësisht, sepse kjo mund të shkaktonte pasoja të pariparueshme në raportet Kosovë-BE.
Ai konsideron se edhe BE-ja do të sillet varësisht nga situata në terren.
“Nëse BE-ja, konkretisht, thotë ‘mos e hapni urën (mbi Ibër) dhe nëse institucionet e Kosovës e hapin atë, por gjatë këtij procesi nuk ka ndonjë pasojë në terren – pra nuk do të ketë trazira – atëherë unë nuk shoh që BE-ja do të marrë masa”, thekson Shasha, duke shtuar se në të kundërtën, BE-ja do të reagojë në proporcion me situatën e krijuar.
Sidoqoftë, Shasha shpreh besimin se BE-ja nuk do të marrë masa serioze ndaj Kosovës.
Ai konsideron se edhe në të kaluarën, kur pati trazira serioze në veri të vendit, të cilat rezultuan me ushtarë të lënduar të KFOR-it, masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës ishin të buta.
Më 29 maj të vitit të kaluar, protestat e serbëve në veri të Kosovës, kundër vendosjes së kryetarëve shqiptarë në katër komunat atje, kulmuan me përleshje me pjesëtarët e KFOR-it.
Gjatë përleshjeve, 93 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan, disa prej të cilëve kishin lëndime të rënda.
“Prishtina gjithmonë do të jetë krah Tiranës”, Komuna publik...
Superliga rikthehet në aksion me ndeshje interesante
Kurti vendos gurthemelin për ndërtimin e Sallës së Edukatës ...
Ukraina thotë se ka goditur një depo nafte dhe një stacion r...
Grafiti në “Car Lazar”, suspendohen gjashtë policisë për mos...
Aksidenti me fatalitet në Kaçanik, Policia jep detaje – ka r...