Tre herë radhazi, në Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë arritur dosje të ndjeshme dhe konfidenciale të Gjykatës Speciale që përfshinë emra të të dyshuarve, dëshmitarëve dhe dokumente të tjera të rëndësisë juridike e që janë pjesë e kësaj gjykate.
Rrjedhja e këtyre dokumenteve nga Gjykata Speciale e në duart e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë bujë të madhe në opinionin publik.
Gjykata Speciale ka reaguar lidhur me këto dosje dhe ka përgëzuar mediet në Kosovë për mospublikimin e tyre, por gjithashtu kanë treguar se publikimi i tyre është vepër kriminale dhe do të hetohet nga vet Gjykata Speciale.
“ZPS-ja është e angazhuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht me forcë individë që kryejnë krime të tilla, që përfshijnë publikimin e identitetit të individëve që mund të thirren para gjykatës apo të ndonjë informacioni që mund të çojë në identifikimin e tyre.Gjatë këtyre javëve të fundit zyra ime ka marrë shumë pyetje nga gazetarët në lidhje me deklarata të bëra nga Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së e cila në një numër rastesh është përfshirë në aktivitete që unë besoj se kanë për qëllim të minojnë administrimin në mënyrën e duhur të drejtësisë”, kanë thënë nga Specialja.
Por, a mund të ndikojë rrjedhja e këtyre dosjeve dhe publikimi i tyre që Gjykata Speciale të humbë kredibilitetin dhe mbase edhe të shpërbëhet?
Avokati i akredituar nga Specialja, Tomë Gashi në një prononcim për lajmi.net gjatë javës që po lëmë pas është shprehur se kjo nuk mund të ndalë punën e Speciales, por sipas tij kredibiliteti i saj zbehet.
Ai shprehet se këtë e forcon edhe më tepër fakti që Specialja merret me gjykimin e shqiptarëve dhe në këto dokumente tregohet se Serbia si palë lufte i siguron dokumentacione Speciales.
“Nuk mund të ndalë punën e Gjykatës Speciale dhe me këto dokumente vetëm vërtetohet bashkëpunimi i organeve të Serbisë me Gjykatën Speciale që ka qenë e ditur po nuk e kemi parë dokumentacionin që i bie se dëmtohet kredibiliteti i Gjykatës meqenëse Specialja merret vetëm me gjykimin e shqiptarëve dhe pala që i siguron dokumentacion është pala që ka qenë në luftë që është Serbia”, tha Gashi për lajmi.net.
Më tutje, Gashi është shprehur se rrjedhja e dosjeve nuk mund të vonojë punët e Speciales, për më tutje, ai shprehet se Specialja duhet të merret me punë të brendshme që informata të tilla të ndjeshme të mos rrjedhin në këtë mënyrë.
“Nuk ka arsye të vonojë procesin e punës së Gjykatës Speciale rreth konfirmimit ose jo të aktakuzave, por unë besoj se ata duhet të merren me punë të brendshme të tyre se si një gjykatë që është larg rreth 2000 kilometra prej Kosovës të rrjedhin informata të tilla sensitive apo të ndjeshme”, tha Gashi.
Edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shprehet se rrjedhja e dosjeve e dëmton kredibilitetin e Speciales.
“Rrjedhja e informacioneve, dosjeve apo provave të cilat janë sekrete në këtë fazë të procedurës më së shumti e dëmtojnë kredibilitetin e Gjykatës Speciale. Një gjykatë si kjo nuk është dashur të lejojë që në asnjë rrethanë provat e tyre të dalin në publik.”, është shprehur Miftaraj për lajmi.net.
Ai më tutje shprehet se kjo nuk mund të ndikojë as në shtyrjen e proceseve gjyqësore e as shpërbërjen e gjykatës.
Sipas tij, personat që potencialisht mund të publikojnë dosje të tilla do të mund të arrestohen nën pretendimet për tentim të ndërhyrjes në punët e drejtësisë.
“Përderisa rrjedhja e informacioneve nuk mund të përbëjë asnjë fakt për shpërbërjen e gjykatës apo shtyrjes së proceseve gjyqësore. Përkundrazi rrjedhjet e informacioneve mund të kenë ndikim tek personat që kanë pasur qasje dhe mund të ketë arrestime të personave që mendohet se mund të pengojnë punën e drejtësisë”, tha në fund Miftaraj.
E pikërisht në lidhje me këto dosje, hetues të Speciales dje kanë arrestuar dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucatin e Nasim Haradinaj.
Gucati nga Specialja po akuzohet për pengim të drejtësisë dhe rrezikim të dëshmitarëve.
Në Hagë tashmë ka arritur edhe nënkryetari i OVL-së, Nasim Haradinaj, për të cilin Specialja ende nuk ka lëshuar ndonjë sqarim.
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike
Sot diskutohet për transparencën parlamentare