Kushtetuta e Republikës së Kosovës e lejon martesën e gjinisë së njëjtë. Megjithatë, Kodi i ri Civil nuk e parasheh një gjë të tillë.
Andaj, aktualisht nëse dy persona të gjinisë së njëjtë dëshirojnë të martohen, e që këtë të drejtë ua garanton Kushtetuta e Kosovës, një gjë të tillë nuk mund ta bëjnë.
Nëse i referohemi raporteve të Avokatit të Popullit, zgjidhja e një rasti deri në vendimin final, merr kohë deri në 8 vjet.
Blerti Morina i takon komunitetit transgjinor. Ai njëherësh është edhe drejtor i organizatës “Qendra për Barazi dhe Liri për Komunitetin (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor), LGBT”.
Ai tha për Radion Evropa e Lirë se nëse dy persona të gjinisë së njëjtë dëshirojnë të martohen, duhet të sakrifikojnë tetë vjet të jetës së tyre për të realizuar një të drejtë elementare që u garantohet me Kushtetutën e Kosovës.
“Ne këtë shqetësim e kemi ngritur edhe më herët sa e kemi pasur Kodin Civil të vjetër, ku kemi thënë që institucionet tona duhet bëjnë kujdes duke i trajtuar të gjitha komunitetet në mënyrë të barabartë dhe të kenë kujdes kur të bëhen përditësimet e ligjeve në mënyrë që të jenë në harmoni dhe në frymën e Kushtetutës”.
“Deri më tash çka kemi vërejtur në Kodin e ri Civil nuk ka ndryshuar asgjë në Ligjin e martesës dhe bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pra nuk është në frymën e njëjtë, ku në këtë rast Kosova gëzon një Kushtetutë mjaft të avancuar dhe e lejon martesën mes gjinisë së njejtë, por që Kodi Civil, specifikisht Ligji mbi familjen e ndalon një gjë të tillë”.
“Pra, në Kosovë është e pamundur martesa e dy personave me gjini të njëjtë, meqë nuk e kemi legjislacionin në vend, për ta bërë një gjë të tillë duhet ta kemi këtë legjislacion. Në rast se dikush dëshiron ta bëjë një gjë të tillë me legjislacionin aktual, duhet të sfidohet ai ligj”, tha Morina.
Instituti Kombëtar Demokratik ka bërë publik kohë më parë një raport sipas të cilit vetëm 3 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se do ta pranonin fëmijën si anëtar të komunitetit LGBT, derisa 97 për qind, kanë thënë se nuk do t’i lejonin të jetojnë në shtëpi anëtarët e këtij komuniteti.
Në anën tjetër, zyra e Avokatit të Popullit, përmes një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, ka thënë se në mungesë të një qëllimi legjitim për përjashtimin e personave të gjinisë së njëjtë, projekt-kodi paraqet shkelje të së drejtës kushtetuese.
Prandaj, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë që të rishqyrtojë mosnjohjen e martesave të personave të gjinisë së njëjtë gjatë fazës së rishikimit të projekt-kodit.
“Avokati i Popullit vë në pah se të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë, mund të kufizohen me ligj, mirëpo neni 55, paragrafi 4 i Kushtetutës, përcakton pesë kritere për vlerësimin e proporcionalitetit të një kufizimi të një të drejte të njeriut”.
“Për më shumë, Avokati i Popullit vëren se, nuk është e qartë askund në Projekt-kod se cilit qëllim legjitim do t’i shërbente mosnjohja e martesave të personave të gjinisë së njëjtë. Po ashtu, nuk është e qartë nëse hartuesit e Projekt-kodit kanë marrë parasysh pesë kritere, kur kanë vendosur të privojnë çiftet e gjinisë së njëjtë nga njohja ligjore e së drejtës së martesës”, thuhet në deklaratën e dhënë nga zyra e Avokatit të Popullit.
Në anën tjetër, Rina Kika, avokate, shpjegon se sipas nenit 37 të Kushtetutës së Kosovës, garantohet e drejta në martesë për çdo kënd, dhe nuk specifikon gjininë. Përveç kësaj, Kushtetuta i përmban edhe disa mbrojtje shtesë të të drejtave të njeriut, që janë të parapara në nenin 22 të Kushtetutës ku i përmban 8 konventa ndërkombëtare, ndër të tjera edhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut që mbrojnë të gjithë qytetarët.
“Ministria e Drejtësisë nuk e ka zbatuar në përpilimin e draft-Kodit Civil praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut,duke i përjashtuar personat e gjinisë së njëjtë nga e drejta për martesë dhe rrjedhimisht familje”.
“Kjo ministri ka dështuar t’i interpretojë dhe t’i përfshijë të drejtat dhe liritë që i takojnë qytetarëve të cilët kanë një orientim seksual tjetër, njëkohësisht kanë bërë një kod që është diskriminues ndaj personave duke u bazuar në orientim seksual. Kjo është drejtpërdrejt në kundërshtim me nenin 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila e garanton barazinë para ligjit edhe të drejtën e personave me orientim seksual tjetër, për të qenë të lirë nga diskriminimi në bazë të orientimit seksual”, tha Kika.
Në Qeverinë e Kosovës, saktësisht në Zyrën për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, është ripërsëritur qëndrimi se megjithëse Kosova ka shënuar përparime në respektimin e të drejtave të komunitetit LGBT, problemet mbeten ende të shumta.
Ndryshe, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës për të drejtën e martesës dhe familjes thuhet se “në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin, martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve, familja gëzon mbrojtje të veçantë të shtetit, në mënyrën e rregulluar me ligj’’.
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë
Arrestohet një grua në Prishtinë, nën ndikim të alkoolit sul...
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...