A është Kosova e rrezikuar nga spiunazhi?

14:07 | 6 Qershor 2024
E.H

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë dy shqiptarët që nga Kosova punonin për Serbinë që një kohë të gjatë.

Punën e tyre disa vjeçare e ndërpreu të mërkurën Policia e Kosovës, pasi vendosi që të dy në pranga nën dyshimin se po spiunonin për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA)

Arrestimi tyre ndodhi pas një hetimi disa mujor të Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe Policinë e Kosovës (PK).

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së”, bënë të ditur prokuroria.

Por, për çfarë spiunonin te Serbia, Shabani dhe Qerimi?

Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) ishte ajo që zbuloi dy të dyshuarit se po spiunonin tek BIA serbe, ani se këta të fundit, e kanë hedhur poshtë një ‘pretendim’ të tillë.

Mirëpo, detaje rreth të dyshuarve ka mësuar gazeta Express, ku sipas informacioneve Bedri Shabani gjatë periudhës së Millosheviqit ka punuar si doganier ndërsa Muharrem Qerimi deri pak pas shpalljes së pavarësisë, ka qenë zyrtarë në Policinë e Kosovës, i cili më pas ishte suspenduar nga puna.

Sërgjan Rosiq, një serb i lindur në Ferizaj, është eprori i shërbimit sekret serb të cilit Shabani e Qerimi i raportonin herë fizikisht e herë virtualisht.

Ajo çka e bënë më të çuditshëm është fakti se këta të dy spiunët nuk kanë funksionuar në grup , mirëpo të ndarë kanë raportuar te i njëjti person, Rosiqi.

Sipas informacioneve të Gazetës Express, ajo çfarë kanë tentuar të bëjnë Shabani e Qerimi ishte kontaminimi dhe diskretimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes stisjes së provave ose inskenimit të dëshmitarëve të ndryshëm.

Po ashtu, është zbuluar se Shabani ka tentuar ta shtrembëroj të vërtetën për masakrën e Reçakut.

Përveç këtyre, Shabani ka tentuar të shpik edhe një ‘shtëpi të verdh’ si ajo në veriun e Shqipërisë por kësaj radhe në Kosovë.

Këtë ‘shtëpi të verdh’ ai ka tentuar që ta krijoj në ish-spitalin e UÇK-së në fshatin Mollopollc afër Reçakut.

Në mesin e shumë provave dhe materialeve të mbledhura, është edhe tentimi për krijimin e një incidenti etnik në Kosovë e po ashtu, për Shabanin dhe Qerimin ka prova bindëse që po përpiqeshin të dëmtonin shtetin e Kosovës.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe BIA serbe, e cila ka mohuar çdo lidhje të mundshme me dy shqiptarët e akuzuar për spiunazh.

Sipas tyre, Prishtina po tenton që përmes kësaj për përhap lajme të rreme.

Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë derisa të ndërmarrën të gjitha veprimet e tjera të nevojshme./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme