A duhet të largohet taksa pas kërkesës së amerikanëve, flasin ekonomistët?

13:22 | 16 Janar 2019
Arbresh.info

Edhe pas presioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ekonomistët vlerësojnë se Kosova duhet të aplikoj masa tregtare ndaj Serbisë e Bosnjës e Hercegovinës.

Por jo edhe taksë 100 për qind siç është duke aplikuar shteti i Kosovës për produktet e këtyre vendeve.

Vendosjen e taksës 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës ekonomistët e vlerësojnë si një vendim të duhur të marrë nga Qeveria pasi që këto dy shtete vazhdimisht kanë dëmtuar interesat e Kosovës. Por pas presioneve ndërkombëtare kërkohet reflektimi i bartësve të institucioneve.

Kjo pasi vendimi për taksë 100 për qind nuk po pritet mirë nga vendet e BE e nga SHBA.

Së fundmi kjo e fundit zyrtarisht kërkoi heqjen e masave tregtare.

Ekonomisti Jakup Bellaqa për gazetën inFokus ka thënë se taksa 100% prej qeverisë mos të hiqet derisa të kthehen masat e reciprocitetit.
“Pas nënshkrimit të marrëveshjes me vendet rajonit më 2009 deri më 2011 Serbia e ka shkelur marrëveshjen, ku nuk i ka pranuar produktet “Made in Kosovo” por më e domosdoshme kishte qenë masa e reciprocitetit sesa taksa 100%” ka thënë Bellaqa.

Sipas tij kjo taksë po e pengon zhvillimin e dialogut Kosovë-Serbi me ç’rast duhet të gjendet një ekuilibër i përbashkët.

Edhe ekonomisti, Mustafë Kadrijaj për inFokus ka thënë se kryeministri duhet të ketë parasysh kërkesën e Amerikës dhe të reflektoj më një tërheqje të ngadalshme.

“Serbia vazhdimisht ka dëmtuar vendin ekonomikisht. Por duke marrë parasysh kërkesën e SHBA-ve kryeministri duhet të reflektoj më një tërheqje të ngadalshme për një kohë të caktuar por që të mos dëmtohen produktet vendore”, ka thënë Kadrijaj.

Megjithatë, Kadrijaj ka bërë thirrje që institucionet e vendit të mos tregohen neglizhente në këtë aspekt duke e drejtuar vendin në zgjedhje të parakohshme, e cila do të krijonte ngërçe politike dhe ekonomike.

Së fundmi SHBA-të kanë formësuar pozicionin e tyre lidhur me çështjen e taksës së vendosur.

Përmes një dokumentacioni Këshilli i Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve dhe Departamenti i Shtetit Amerikan drejtuar autoritete shtetërore kosovare ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të taksës ndaj Serbisë.

“Kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të tarifës. E njëjta tarifë mund të rivendoset në rast se dështon marrëveshja me Serbinë. Mbështetja e SHBA-ve për Kosovën nuk është e pakushtëzuar. Kosova për momentin e bart barrën e rrezikimit të dështimit të dialogut“, thuhet ndër të tjerash në kërkesën e Uashingtonit drejtuar Prishtinës zyrtare.

Qeveria e Kosovës ka marr vendim vitin e kaluar që të vendosen masa mbrojtëse prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme