Ndër vite në Kosovë flitet për ndryshimin e sistemit arsimor dhe atë të edukimit në kuadër të shkollave.
Përveç lëndëve tradicionale, ka shumë kohë që kërkohet edhe futja e lëndëve tjera, të cilat do të ndihmonin në përmirësimin e sistemit arsimor në vend.
Fakt që baza e ndërtimit të personalitetit të çdo njeriu është familja, megjithatë edhe shkolla luan rol të jashtëzakonshëm në këtë drejtim.
Pikërisht për shkak të ndikimit të madh që ka shkolla në edukimin e fëmijëve, është kërkuar që në sistemin edukativo-arsimor të futen lëndët: Edukimi medial apo edukimi fetar.
Për profesorin universitar të gazetarisë, Muhamet Jahiri, e ardhmja e të rinjve nuk ekziston pa pasur një edukim të mirëfilltë medial, duke pasur parasysh ndikimin e madh të medieve dhe teknologjisë në jetën e njerëzve në ditët e sotme.
Jahiri thekson se Edukimi Medial si lëndë përdoret në të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian.
“Kjo lëndë aplikohet në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian duke e përfshirë këtë lëndë disa vende edhe në çerdhe. Natyrisht që kjo është shumë e nevojshme, sepse impakti i medieve dhe internetit ndërlidhet drejtpërdrejt me mënyrën tonë të jetesës, me mënyrën tonë të një autodidakti dhe me mënyrën tonë të reagimit karshi ngjarjeve dhe situatave që na përcjellin çdo ditë. Andaj pa një edukim medial në shkolla nuk do të ketë as një të ardhme për brezat e rinj”, shprehet Jahiri për arbresh.info.
Sipas Jahirit, lënda Edukimi Medial është çelësi i përgatitjes së të rinjve për t’i përdorur mediat në interes të tyre.
Jahiri: Edukimi medial mbetet çelësi i përgatitjes së të rinjve
“Edukimi medial mbetet çelësi i përgatitjes së të rinjve, nxënësve për t’i përgatitur ata në përdorimin e medieve të reja, rrjeteve social dhe çdo produkti medial në interesin e mirëfilltë të tyre. Kjo do të ndikonte që nxënësit të marrin njohuri dhe të fitojnë shkathtësi në përdorimin e medieve dhe të teknologjisë në interesin e tyre. Sot, një gjë e tillë është tepër e domosdoshme, duke pas parasysh edhe zhvillimet që po ndodhin në teknologji dhe ndikimin e kësaj teknologjie në jetën tonë.” – thotë Jahiri.
Në një bisedë për arbresh.info, profesori Jahiri tregoi objektivat që synojnë t’i arrijnë me futjen e kësaj lënde në sistemin arsimor të shkollave.
Për nxënësit, sipas tij, këto objektiva do të ishin: njohja e internetit dhe medieve, shkathtësia për t’i përdorur ato dhe zhvillimi i mendimit kritik.
“Përmes kësaj lënde do të duhej të synohet që të arrihen tri objektiva kurrikulare. E para ka të bëjë me njohjen. Pra të rinjtë të kenë informacione për mediet, internetin, rrjetet sociale dhe produktet tjera mediale. Ne të dytën, nxënësit do të duhej të fitojnë dhe te zhvillojnë shkathtësi për t’i përzgjedhur, për t’i krijuar për t’i përdorur mediet e reja, dhe e treta, përmes këtij edukim të arrihej zhvillimi i mendimit, apo gjykimit kritik në raport me të gjitha fenomenet që hasim në internet.” – sqaron ai.
Muhamet Jahiri, i cili njëherësh është edhe drejtor i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, tregon se departamenti të cilin ai e udhëheq, e ka të obligueshme këtë lëndë, që e cilëson si të domosdoshme në ditët e sotme. Përkundër iniciativave të shumta që kanë pasur, ai thotë se niveli qendror nuk i ka marrë parasysh.
Shoqëria në Kosovë, sipas tij, përballet me shumë probleme si shkak i mungesës së edukimit medial.
“ Deri më tani ka pas mjaft iniciativa nga profesionistët që e dinë rëndësinë e kësaj fushe, por, ka hasur në vesh të shurdhër nga ata që bëjnë politika vendimmarrëse, duke përfshirë edhe Ministrinë e Arsimit. Në Departamentin e Gazetarisë kjo lëndë është obligative për studiuesit e medieve, si departament kemi trajnuar mbi 2 mijë mësimdhënës në këtë fushë, një pjesë e të cilëve tashmë e mbajnë këtë lëndë si zgjedhore në shkollat e tyre, kemi ngritur zërin në çdo tryezë, diskutim publik dhe medie, mirëpo, duhet vullnet politik dhe vetëdije shoqërore që të shtyhet tutje mësimi në këtë fushë, që është i domosdoshëm sot. Mjafton t’i shohësh raportimet ditore, raportet e policisë dhe institucioneve të tjera për të parë dhe kuptuar se me sa shumë telashe përballet shoqëria jonë si rezultati i mos përgatitjes së tyre ne fushën e edukimit medial.” – përfundoi Jahiri për arbresh.info.
Për dallim nga Edukimi medial, i cili është kërkuar nga profesionistët e fushës, lënda tjetër e kërkuar është Edukimi Fetar, i cili është kërkuar nga një pjesë e madhe e qytetarëve si dhe nga klerikët fetarë.
Konushevci: Një njohuri apo vetëdije më shumë mbi fenë nuk do t’i shndërronte nxënësit në ekstremistë
Sociologu Labinot Konushevci deklaron se feja është sistem i vlerave, po ashtu dhe shkolla bazohet në disa vlera evropiane. Andaj, sipas tij, në qoftë se vlerat e fesë dhe vlerat evropiane që janë të theksuara në shkollë nuk u kundërvihen njëra-tjetrës, atëherë futja e kësaj lënde në shkollë është e pranueshme.
“Kur jemi tek edukimi fetar në sistemin arsimor, vërtet kemi të bëjmë me një debat të papërfunduar dhe të keqinterpretuar. Feja është sistem koherent i ideve dhe i vlerave. Feja është pjesë e identitetit të shoqërisë kosovare, ndërsa shkolla është institucion edukativo-arsimor që bazohet në disa vlera evropiane si: solidariteti, humanizmi, të drejtat e njeriut, diversiteti, mendimi kritik, toleranca etj”, thekson ai.
Nëse këto vlera evropiane nuk bien ndesh me këndvështrimin fetar, sipas tij, mësimi mbi fenë mund të jetë i pranueshëm, por gjithmonë brenda kufijve të tolerancës.
“Edukimi fetar ashtu sikur edhe shumë forma tjera të edukimit kulturor, mund të përfshihet si lëndë zgjedhore në arsimin publik, me një plan-program të hapur, tolerant, fleksibil, me një përmbajtje humane, disiplinuese dhe qytetëruese, nga ekspertë të ndryshëm, sociologë e psikologë të fesë.” pohon Konushevci për arbresh.info.
Meqë gjithmonë ka pasur hezitim për futjen e kësaj lënde fetare në shkolla për shkak të ekstremizmit që do të mund të përhapej, Konushevci thotë se njohja e mëtejshme e fesë nuk do ta shtynte përpara ekstremizmin, përkundrazi, do t’iu ndihmonte nxënësve për t’i kuptuar vlerat shoqërore.
“Ndikimi tek nxënësit varet nga plan-programi, nga metodologjia e punës së mësimdhënësit, nga përgatitja profesionale e ligjëruesve, nga përmbajtja lëndore, nga komunikimi etj. Por, duke njohur trashëgiminë e feve monoteiste, veçmas Islamit, besoj që një njohuri apo vetëdije më shumë mbi fenë nuk do t’i shndërronte nxënësit në ekstremistë dhe as nuk do ta cenonte demokracinë e shtetit. Përkundrazi, do t’u ndihmonte atyre në konceptim më të mirë të vlerave shoqërore.” – thotë Konushevci.
Sipas tij, më emergjente në Kosovë është mungesa e psikologëve dhe sociologëve nëpër shkolla sesa mungesa e lëndës së Edukimit fetar apo lëndët e tjera të ngjashme. Ndonëse e rëndësishme, sipas tij Edukimi fetar është i dyti në raport me mungesën e psikologëve dhe sociologëve.
“Por krahas kësaj, shkollat publike tek ne kanë mungesë të konsiderueshme të psikologëve dhe sociologëve. Kjo zbrazëtirë ka krijuar kushte rebelimi. Por rolin e sociologut dhe psikologut nuk mund ta zë një ligjërues mbi edukimin fetar. Prandaj secili mund ta kryejë rolin e vet, por përparësi kanë ekspertët e studimeve sociale, pastaj edhe fushat tjera.” – përfundoi Konushevci për arbresh.info.
Ndryshe, këto dy lëndë vazhdimisht janë përmendur si opsione për futjen e tyre në shkolla, megjithatë institucionet përkatëse nuk kanë dashur të ‘dëgjojnë’ dhe kështu, kjo kërkesë ka mbetur vetëm si diskutim publik pa ndonjë hap apo vendim konkret.
Në shumicën e vendeve të kontinentit ku bën pjesë Kosova, pra, Evropës, këto dy lëndë janë të futura në sistemin parauniversitar dhe mësohen nga nxënësit.
Në shumicën e rasteve, në Perëndim këto lëndë janë të pranishme si lëndë zgjedhore dhe jo obligative, por, mbetet të shihet nëse Kosova do ta ndjek këtë rrugë, apo do të vazhdojë me ‘avazin’ e vjetër./arbresh.info/Emir Abduramani/
Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë
Vullneti e komenton me Arionin situatën mes Sarës, Drilonit ...
Haradinaj në Junik: Plani ynë për Kosovën Fituese – an...
Salah dëshiron të vazhdojë me Liverpoolin, por s’ka as...
Osmani takon mërgimtarët në Kanada: Kudo, një copëz Kosove &...
GJKKO dënon me 2 vjet e 8 muaj burg ish-kryebashkiakun e Dur...