Rasti i fundit i përdhunimit të 11 vjeçares nga pesë persona tronditi gjithë Kosovën dhe jo vetëm.
Të mërkurën sheshet e Prishtinës u stërmbushën nga mijëra protestues që kërkonin dënim maksimal për personat e përfshirë në këtë rast, por edhe për të gjithë ata që kryejnë një vepër të tillë.
Megjithatë, Kodin Penal në Kosovë parasheh dënim maksimal për një vepër të tillë penale me burgim të përjetshëm veç nëse viktima e dhunimit vdes, ndërsa dënimi maksimal për dhunim sipas Kodit Penale arrin deri në 20 vjet .
Njohësit e çështjeve të drejtësisë janë pro kthimit të dënimit me vdekje për përdhunuesit e vajzave dhe grave, apo edhe dënimit me vdekje, mirëpo sipas tyre Kodi Penal nuk e lejon një gjë të tillë.
Damati: Në të ardhmen do të duhet të instalonin edhe dënimin me vdekje si pjesë e sanksioneve penale
Avokati Musa Damati thotë për arbresh.info se duhet të punohet që në të ardhmen të instalohen edhe dënimet me vdekje si pjesë e sanksioneve penale për këto vepra penale.
Sipas tij, dënimi me vdekje praktikohet edhe në vendet më të zhvilluara të botës, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
“Sidoqoftë si avokat mendoj se ne Kosovë duhet të punohet në projekt ligjet të cilat në të ardhmen do të duhet të instalonin edhe dënimin me vdekje si pjesë e sanksioneve penale, sepse ka vende shumë të zhvilluara në botë, siç janë SHBA-ja të cilat parashikojnë si sanksion penal me legjislacionin e tyre penal edhe dënimin me vdekje për kategorinë e caktuar të veprave penale”, shprehet avokati Damati.
Ai sqaron se si sanksionohet kjo vepër penale me Kodin Penal aktual.
“Kodi Penal e sanksionon këtë vepër duke përcaktuar dënim me burgim deri në 20 vite, ndërsa në rastet kur vepra nga paragrafët e caktuar rezultojnë në vdekjen e viktimës, kryesi dënohet me burgim prej së paku njëzet (20) vjet ose me burgim të përjetshëm”, thotë Damati.
Avokati i njohur Ariani Koci beson se dënimi me burg të përjetshëm do t’i parandalonte njerëzit ti kryenin këto vepra penale.
“Thellë besoj që burgimi i përjetshëm do t’i parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave të tilla penale dhe do të shprehet fuqishëm gjykimi shoqëror për vepra të tilla penale. Këto edhe janë dy prej katër qëllimeve të dënimit”, është shprehur Koci.
“E sa për rehabilitimin e kryerësve po ashtu njëri prej qëllimeve të dënimit, të njëjtët le të rehabilitohen në burg. Përjetësisht!”, thotë Koci.
Por për dënimin me vdekje avokati Koci bënë të ditur se vendi ynë është duke ecur me ligjet evropiane dhe një gjë e tillë është e ndaluar.
“Dënimi me vdekje ne jemi në atë frymën e ligjeve dhe kodeve evropiane dhe është i ndalum dënimi me vdekje kështu që ne nuk mundemi me ndryshu atë”, deklaroi Koci për arbresh.info.
Megjithatë, përveç rastit të 11 vjeçares që ndodhi pak ditë më parë është edhe rasti i vitit të kaluar ku një person në Ferizaj e dhunoi dhe rrahu deri ne vdekje gruan e tij 18 vjeçare, dhe drejtësia ende nuk e ka dhënë fjalën e saj./arbresh.info/Ejona Hyseni/
Mbappe nuk do të jetë më kapiten i Francës? – gazeta L’Equip...
Kurti mirëpriti në takim lamtumirës Ambasadorin e Bullgarisë...
Dy të plagosurit në Vranjevc po i ruan policia në QKUK, u ca...
Shtyhet seanca ndaj Kobrës, seancën e radhës pritet të dëgjo...
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...
Sot shorti i Ligës së Kombeve: Me kë do t’i bie Kosovës?