31 tetori është afati i fundit kur serbët e Kosovës që kanë targat ilegale serbe nëpër veturat e tyre, duhet t’i zëvendësojnë ato me targat RKS.
Ky afat është vendosur nga Qeveria e Kosovës, e cila çdo ditë e më shumë po bën thirrje që të ndërrohen targat serbe dhe rrjedhimisht, të hiqen nga përdorimi.
Megjithatë, serbët lokalë assesi nuk po pranojnë një gjë të tillë, ata madje po refuzojnë dhe po paralajmërojnë bllokim të kufijve në pikën kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.
Të udhëhequr nga direktivat e Vuciqit, lideri i serbëve në Kosovë, Goran Rakiq, ka paralajmëruar të enjten në Beograd se në rast të detyrimit dhe dënimit të serbëve për ndërrimin e targave, atëherë ai dhe serbët tjerë lokalë, si ‘paterica’ të Vuciqit, do të bllokojnë në veri hyrje-daljet në kufirin Kosovë-Serbi.
Ndërsa, edhe emisari i përgjithshëm i ShBA-ve, Gabriel Escobar, gjatë vizitës në Kosovë javën e kaluar deklaroi se afati për zëvendësimin e targave duhet të shtyhet për së paku 10 muaj.
Edhe ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeff Hovernier, i ka bërë presion kryeministrit Albin Kurti për ta shtyrë afatin për targa. Hovernier ka shkruar se duhet të shtyhet ky afat dhe rrjedhimisht, të shmangen tensionet. Ai ka dënuar edhe hakmarrjen ndaj serbëve që veçse kanë vendosur t’i konvertojnë targat serbe në RKS.
“E rëndësishme që të shmangen tensionet dhe të shtyhet vendimi për zbatimin e targave. Po ashtu, ne dënojmë veprimet intimiduese apo hakmarrëse ndaj atyre që kanë konvertuar targat e tyre” – ka shkruar Hovernier.
Megjithatë, kryeministri Kurti deri tash nuk e ka përfillur këtë deklaratë të Escobarit, sepse në një deklaratë të martën në Samitin e Ballkanit Perëndimor tha se afati për zëvendësimin e targave nuk do të shtyhet.
“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj, dhe në vend se të jetë data 1 tetor është data 1 nëntor. Të gjithë qytetarët serbë të Kosovës që kanë automjetet me targa të kohës së Millosheviqit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime RKS. – ka thënë Kurti të martën para gazetarëve.
Kjo ‘rezistencë’ e Kurtit për këtë afat nga analisti politik, Nexhmedin Spahiu, po shihet si veprim i drejtë.
Frika për tensione në Mitrovicën veriore
Megjithatë, Spahiu thotë se kjo çështje është objekt ‘pazari’ mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ne duhet ta ndihmojmë qeverinë kur vie puna te zëvendësimi i targave ilegale serbe. Sipas tij, nuk duhet t’i bëhet kaq shumë presion Kurtit në këtë drejtim.
“Pse duhet t’i bëjmë presion qeverisë ne si publik në pazarin që e ka me Serbinë, ne duhet me i ndihmu e jo me ia vështirësu. Nëse unë them se duhet të shtyhet ky afat, atëherë kjo do të thotë vështirësim i punës së qeverisë. Veprimet që i bën qeveria janë objekt pazari në bisedime me Serbinë” – deklaroi Spahiu për arbresh.info.
Gjithsesi, sipas Spahiut, problemi i Kosovës nuk janë targat e veturave.
Sipas tij, problemi i Kosovës qëndron diku tjetër.
Ai thotë se shteti nuk mund t’ua imponojë simbolet shtetërore të Kosovës serbëve në veri, përderisa vetë shqiptarët nuk i respektojnë ato simbole, duke iu referuar vërshëllimit të himnit të Kosovës nga disa tifozë basketbollit në Gjakovë.
Për tensionet që do të mund të prodhoheshin, Spahiu thotë se është e natyrshme që serbët të trimërohen, por gjithsesi, për të, njëherë duhet të forcohet sundimi i ligjit brenda shtetit, e më pas edhe problemet me serbët e veriut do të ishin më të pakta, për shkak të frikës që ata do të kishin ndaj organeve të rendit.
“Kjo natyrisht që i ka trimëru serbët, ata thonë se kur s’mundet Policia e Kosovës të bëjë asgjë ndaj huliganëve të Gjakovës, atëherë pse do të mund të bënin diçka me neve. Kjo sigurisht që prodhon konflikt dhe situatë të rënduar, rrjedhimisht i trimëron bandat e Vuciqit në Kosovë. Për me tregu se Qeveria e Kosovës donë të i shtrëngojë ‘dhëmbët’ në veri, së pari duhet të shkojë në Gjakovë dhe t’i fusë në burg të gjithë ata që e kanë vërshëllyer himnin e Kosovës, ta dënojë Federatën, e më pas serbët tuten vetë dhe nuk ka nevojë të ndërmirren masa atje.” – theksoi Spahiu për arbresh.info.
Ndërsa profesori universitar dhe eksperti i çështjeve politike, Milazim Krasniqi, tha për arbresh.info se ideja e Escobarit që të shtyhet afati i ndërrimit të targave ilegale serbe të paktën për 10 muaj, është shumë i qëlluar dhe duhet të bëhet para 31 tetorit, në të kundërtën institucionet paralele serbe dhe organizatat kriminale që operojnë atje do të revoltohen dhe më pas mund të pasojë konflikti dhe sulmet e mundshme të tyre.
“Ideja e Escobarit për shtyrjen e 31 tetorit si afat i fundit është ide shumë e qëlluar, sepse ne e dijmë që Serbia ka institucionet e saj paralele atje dhe madje edhe struktura dhe organizata kriminale të cilat i kontrollon vetë Vuciqi, andaj, në rast se nuk shtyhet ky afat, ata do të mobilizohen dhe do të nxisin tensione, të cilat më pas, do të ktheheshin në sulme dhe destabilizim të situatës.” – deklaroi Krasniqi
Ish-themeluesi i LDK-së theksoi se kryeministri Kurti me refuzimin për ta shtyrë këtë afat, po bën shumë gabim dhe qëndrimi i tij duket jashtëzakonisht i paqartë se a don të bëhet përsëri luftë në Kosovë, apo të sigurojë jetë të sigurt për qytetarët.
“Unë përnjëmend nuk po mundem me kuptu se çka po donë Kurti të bëjë me këtë refuzim për ta shtyrë afatin e targave. A po donë përnjëmend luftë, apo çka? Ai po e shet tek populli një trimëri që nuk e ka, sepse ne e dimë se Kosova është shumë e dobët ushtarakisht për t’u përballur me Serbinë, andaj ai duhet ta dëgjojë propozimin e ShBA-ve dhe mos t’i kontribuojë luftës.” – tha Krasniqi në një intervistë për arbresh.info.
Për këtë çështje, edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ndan të njëjtin mendim me Kurtin.
Osmani ka thënë të dielën se me mos shtyrjen e afatit të targave, Kosova nuk po bën asgjë përveç që po e respekton ligjin, ashtu siç duhet ta bëjë secili shtet normal, duke lënë kështu të nënkuptohet 31 tetori si afat përfundimtar për targa nuk duhet të shtyhet.
E presidenti i Serbisë problematike, Aleksandër Vuciq, ka thënë të premten se detyrë kyçe e të gjithëve duhet të jetë shtensionimi i situatës Kosovë – Serbi.
Me këtë deklaratë që ai e dha në një takim në Beograd me kreun e Komitetit ushtarak të NATO-s, admiralin Tom Bauer, ish-ministri i Millosheviqit lë të nënkuptojë se Qeveria e Kosovës duhet që sa më parë ta shtyjë afatin për targat, në mënyrë që serbët lokalë të qetësohen dhe të mos vendosin barrikadat e tyre të ‘famshme’, që sa herë të bëhet ndonjë hap i Kosovës ndaj shtetit serb, ata dalin dhe i vendosin ato afër pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Serbët në veri të Kosovës kryesisht përdorin targa KM (Mitrovica e Kosovës), që Kosova i konsideron ilegale.
Ndryshe, besohet se në katër komunat në veri të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) janë afër 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia, dhe sipas shifrave të fundit, vetëm 20 prej tyre janë riregjistruar në RKS.
Ndërkaq, vetëm në 4 ditët e fundit, në veriun e Kosovës janë raportuar tri raste të djegies së veturave apo pronave të serbëve të cilët kanë konvertuar targat serbe në RKS./arbresh.info/Emir Abduramani/
Dy të plagosurit në Vranjevc po i ruan policia në QKUK, u ca...
Shtyhet seanca ndaj Kobrës, seancën e radhës pritet të dëgjo...
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...
Sot shorti i Ligës së Kombeve: Me kë do t’i bie Kosovës?
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të bujqësisë, eko...
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...