Google ADS

A do të shtyhet afati për konvertim të patentë-shoferë ilegale serbe?

00:00 | 8 Gusht 2024
E.G

Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë kanë edhe dy ditë afat për t’i konvertuar patentë shoferët e tyre, që janë lëshuar nga autoritetet serbe – në ato të autoriteteve të Kosovës.

Nëse nuk i konvertojnë ato deri më 9 gusht, dhe policia i ndalon gjatë vozitjes, ata do të konsiderohen se e kanë drejtuar veturën pa patentë shoferë.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, sot në Leposaviq janë lëshuar 106 patentë shoferë, në Mitrovicën Veriore 51, në Zveçan 48 dhe në Zubin Potok 33, në Graçanicë 12.

E gjithsejt nga data 10 maj e deri më 7 gusht numri i tyre ka shkuar në 5 mijë e 588.

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë për RTK-në se ky proces po shkon mirë, por në disa raste disa qytetarë kanë hasur në vështirësi dhe probleme teknike.

Për këtë arsye, Elshani ka thënë se do të kërkohet nga Ministria e Punëve të Brendshme që të lejohet shtyerja e afatit edhe për pesë apo dhjetë ditë pune.

“Ne kemi kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, që edhe tabelat edhe lejet e veturave të konvertohen dhe procesi i konvertimit të tabelave ka përfunduar, përderisa procesi i konvertimit të patent shoferëve është duke u zhvilluar.

I kemi disa probleme teknike dhe e shohim se njerëzit i kanë ato telashe. P.sh dikush e ka ndonjë problem teknik – ndalim të ngasjës për tre muaj, dhe ky ndalim shkon pas 9 gushtit. Ne do te shohim se a do të mund t’a dërgojmë një kërkesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme që të na lejojë që kjo të zgjatet për pesë apo dhjetë ditë pune, per shkak të këtyre vështirësive”, deklaroi Elshani.

Ndryshe, sipas ligjit, shuma e gjobave për mungesë të patentë shoferëve është nga 500 deri në 1.500 euro.

LEXO EDHE:

Edhe dy ditë afat: Gati 5 mijë e 600 patentë-shoferë ilegalë serb të konvertuar në të Kosovës

Të ngjashme