Google ADS

A do të paraburgosen të gjithë ish-pjesëtarët e UÇK-së që u konfirmohet aktakuza nga Specialja?

16:03 | 24 Shtator 2020
Arbresh.info

Salih Mustafa është ish-pjesëtari i UÇK-së i parë i arrestuar me urdhër të Dhomave të Specializuara të Prokurorisë në Hagë. Mustafa është gjithashtu personi i parë ndaj të cilit është konfirmuar aktakuza e ngritur nga Prokuroria.

Nën mjegullën e rrjedhjes së dosjeve sekrete të Speciales, kjo e fundit mori konfirmimin nga gjykata se një aktakuzë të cilën e kishte përpiluar më herët, ishte konfirmuar më herët, shkruan lajmi.net.

Me të marrë konfirmimin, Specialja u vu në veprim. Me ndihmën logjistike dhe operacionale të EULEX-it, ish-eprori i UÇK-së, dikur pjesë e FSK-së në sektorin e intelegjencës, Salih Mustafa, u arrestua me urdhërin e një prokurori të specializuar të Hagës. Kjo do të shënojë edhe fillimin e procedurës penale në gjykatë ndaj tij.

Ligji për Dhomat e Specializuara, i miratuar në Kuvendin e Kosovës specifikon dhe shpjegon qartë të drejtat e një të paraburgosuri, si dhe procesin në tërësi.

Neni 41 i këtij ligji, specifikon se çdo person që privohet nga liria, me anë të arrestimit apo të paraburgimit të tij, ka të drejtë të paraqesë ankesë lidhur me ligjshmërinë e arrestimit të tij.

“Askush nuk privohet nga liria nga Dhomat e specializuara ose Prokurori i specializuar, apo në emër të tyre, përveç në rrethanat dhe në pajtim me procedurat e përcaktuara nga ky ligj dhe mbrojtjet e garantuara në nenin 29 të Kushtetutës. Çdo person që privohet nga liria me anë të arrestimit ose paraburgimit ka të drejtë që sipas procedurave të parashikuara në këtë ligj dhe sipas rregullave të procedurës dhe provave të paraqesë ankesë lidhur me ligjshmërinë e arrestimit të tij dhe kushtet e paraburgimit, dhe që ajo ankesë të vendoset me shpejtësi nga Dhomat e specializuara dhe nëse ai paraburgim nuk është i ligjshëm, të urdhërohet lirimi i tij ose saj”, specifikohet në këtë nen.

Në këtë rast, ashtu siç përcaktohet nga dispozitat ligjore, Salih Mustfës do t’i bëhen të ditura arsyet e arrestimit të tij, të drejtën e ndihmës ligjore dhe të drejtën për informimin e familjes.

“Kushdo që privohet nga liria nga Dhomat e specializuara ose Zyra e Prokurorit të Specializuar, ose në emër të tyre, informohet menjëherë në gjuhën që ai e kupton për: a. arsyet e arrestimit të tij, që pasohet me arsyet me shkrim sa më shpejt të jetë e mundur, b. të drejtën e ndihmës ligjore përmes mbrojtësit nga Dhomat e specializuara të zgjedhur prej tij dhe që atij t’i caktohet mbrojtësi i specializuar pa pagesë nëse ai nuk ka mjete të mjaftueshme për pagesë dhe c. të drejtën për ta njoftuar ose për të kërkuar që t’i njoftohet ndonjë anëtar i familjes apo person tjetër i zgjedhur prej tij lidhur me arrestimin e tij ose saj”, thuhet tutje në ligj.

I paraburgosuri edhe mund të lirohet në pritje të shqyrtimit gjyqësor. Ligji po ashtu parasheh që ky shqyrtim të mbahet brenda një kohe të arsyeshme dhe pa vonesa.

“Personi i privuar nga liria nga Dhomat e Specializuara ose në emër të tyre, transferohet me mënyrën e udhëtimit të specifikuar në ndonjë urdhër të Dhomave të specializuara dhe sillet para gjyqtarit të Dhomave të specializuara pa vonesë dhe ka të drejtën për shqyrtim gjyqësor brenda një kohe të arsyeshme ose për t’u liruar në pritje të shqyrtimit gjyqësor. E drejta e ankesës së përcaktuar në paragrafin 2 të këtij neni vlen, po ashtu, edhe për urdhër transferin sipas këtij paragrafi”, shpjegohet në nenin 41 për paraburgimin.

Sipas ligjit në fuqi, Dhomat e specializuara apo Prokurori i Specializuar urdhërojnë arrestimin dhe paraburgimin e një personi vetëm kur:

-Ekziston dyshimi i bazuar se ai e ka kryer ndonjë vepër penale që është nën juridiksionin e Dhomave të specializuara dhe

– Ekzistojnë arsye të artikulueshme të besohet se: i. ekziston rreziku i arratisjes, ii. se ai ose ajo do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e ndonjë vepre penale, ose rrethanat specifike tregojnë se ai do të pengojë ecurinë e procedurës penale duke ndikuar tek dëshmitarët, palët e dëmtuara ose bashkëfajtorët, ose natyra e rëndë e veprës penale, ose mënyra apo rrethanat në të cilat është kryer dhe karakteristikat personale të tij, sjellja e tij në të shkuarën, mjedisi dhe kushtet në të cilat ai jeton, ose rrethanat e tjera personale e tregojnë rrezikun se ai do ta përsërisë veprën penale, do të përfundojë ndonjë vepër penale në tentativë, ose do të kryejë ndonjë vepër penale që ai ka kërcënuar se do ta kryejë.

Ajo çka është pjesa më e rëndësishme e nenit 41 të Ligjit për Dhomat e Specializuara, është se jo të gjithë ata të cilëve u konfirmohen aktakuzat mund të paraburgosen.

Në këtë rast siç parashihet në dispozitat ligjore në fuqi, ish-pjesëtarët e UÇK-së, ndaj të cilëve mund të ketë aktakuza të konfirmuara në të ardhmen, varësisht nga rrethanat e rastit u mundësohen edhe masa tjera për rrjedhën e procedurës penale ndaj tyre.

Ato mund të jenë: fletëthirrjet, urdhër-arresti, dorëzani me lirim në Kosovë, paraburgim shtëpiak në Kosovë, premtim që mos të largohet nga vendbanimi aktual në Kosovë, ndalimi apo afrimi i personave dhe vendeve të caktuara, paraqitja në stacionin e policisë si dhe devijimin.

Në shumicën prej këtyre mundësive tjera, i akuzuari duhet të pajtohet që procedurën ta vijojë përmes video telekonferencës.

“Përveç paraburgimit, Dhomat e specializuara mund t’i urdhërojnë edhe masat në vijim për ta siguruar praninë e të akuzuarit (përfshirë përmes video telekonferencës) gjatë procedurës, për ta parandaluar përsëritjen e kryerjes së veprës apo për të siguruar zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale: a. fletëthirrjet, b. urdhër-arresti, c. dorëzani me lirim në Kosovë, nëse i akuzuari pajtohet që procedurën ta vijojë përmes video telekonferencës, d. paraburgim shtëpiak në Kosovë, nëse i akuzuari pajtohet që procedurën ta vijojë përmes video telekonferencës, e. premtim që të mos largohet nga vendbanimi aktual në Kosovë, nëse i akuzuari pajtohet që procedurën ta vijojë përmes video telekonferencës, f. ndalimi nga afrimi i vendeve apo personave të caktuar, g. paraqitja në stacionin e policisë apo në ndonjë vend tjetër në Kosovë, nëse i akuzuari pajtohet që procedurën ta vijojë përmes video telekonferencës dhe h. devijimin”, specifikohet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Dhomat e Specializuara të Prokurorisë së Hagës kishin paraqitur aktakuzë pranë Gjykatës edhe për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi si dhe kreun e PDK-së, Kadri Veseli.

Aktakuza e dërguar më 24 prill në Gjykatë ka kohë të konfirmohet apo hudhet poshtë deri më 24 tetor të këtij viti, pasë parasysh afatin gjashtëmujor që gjyqtari i procedurës paraprake ka për të marrë një vendim. /Arbresh.info/

Arrestohet ish- eprori i UÇK-së, Sali Mustafa

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme