Google ADS

A do të nisë mandati i Kurtit me takimin mes dy qeverive shqiptare?

08:04 | 9 Nëntor 2019
A. B.

Kanë mbetur vetëm edhe pak javë deri në ditën kur dy qeveritë e dy vendeve shqiptare do të duhej të bashkoheshin në një datë historike.

Festa e 28 nëntorit dhe takimi tradicional i dy qeverive shqiptare duket që këtë vit nuk do të realizohet.

Përderisa Kosova nuk ka një Qeveri funksionale do të ishte e palogjikshme që në këtë takim të shkonte Qeveria në largim, thotë njohësi i çështjeve politike Blerim Burjani.

“Kosova ende s’ka Qeveri dhe se shtrohet pyetja se nuk ka kurrfarë validiteti kjo qeveri, e cila as ne letër nuk ekziston”.

Madje në përgjigjen dhënë arbresh.info, Burjani, ka vërejtje edhe për takimet që janë mbajtur deri tash.

Sipas tij, dikush do të duhej të jap përgjegjësi për mos realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga takimet e mëhershme.

“Këto takime po marrin konotacione konsultative por jo obligativisht. Realisht duhet të analizohen pse nuk përmbushen, jo vetëm sa për sy e faqe të mbahen dhe pa ndonjë obligim”.

E më optimist për këtë takim shprehet Fatmir Sheholli.

Ai shpreson që deri më 28 nëntor Kosova të ketë Qeverinë e saj të re.

“Mbesim me shpresë që deri më 28 nëntor të formohet qeveria e Kosovës dhe që kryeministri i ri i Kosovës të fillojë mandatin e tij qeveritar, pikërisht me mbledhje të përbashkët me qeverinë e Shqipërisë”.

Ndonëse është optimist për formimin e qeverisë, Sheholli shprehet skeptik për marrëveshjet e arritura deri tash nga këto takime.

“Efektet e këtyre takimeve duhet pranuar botërisht nuk kanë kënaqur popullin shqiptarë, as në Shqipëri e as në Kosovë. Andaj mbetet në qeveritë dhe organet e dy shteteve që në të ardhmen të jetësojnë ato marrëveshje të nënshkruara dhe të rrugëtojnë së bashku në të ardhme të sigurt euroatlantike dhe integrim evropian”, thotë Sheholli për arbresh.info.

Kujtojmë se deri më tash janë mbajtur një sërë takimesh në nivel të qeverive.

Këto takime janë mbajtur më qëllim të arritjes së marrëveshjeve mes dy shteteve shqiptare, me qellim të lehtësimit, por edhe bashkëpunimit institucional.

Deri më tash të gjitha ato marrëveshje kanë mbetur vetëm në letër dhe nuk janë arritur të zbatohen.

Madje, së fundi, deklarata kundërthënëse për mos zbatim të marrëveshjeve ka pasur edhe nga vetë dy kryeministrat e dy shteteve shqiptare, që në nëntor të vitit të kaluara patën nënshkruar marrëveshjet./V.Selimi/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme