Google ADS

A do të mund të votojnë ish-krerët e UÇK-së nga Specialja?

00:00 | 15 Janar 2021
Trina Galanxhi

Nga DHSK thonë se do ta adresojnë çështjen e votimit në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Kosovës që lidhen me zgjedhjet.

Janë zgjedhjet e para që nga periudha e pasluftës, që do zhvillohen pa pjesëmarrjen e tyre.

Procesi i ri zgjedhor në të cilin ka hyrë vendi, i gjeti në një situatë krejt të re dy polikanë të vjetër, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Por, nuk janë vetëm këta dy ish-krerë të UÇK-së, të cilët zgjedhjet e përgjithshme po i gjejnë, në qendrën e paraburgimit në kuadër të Dhomave të Specializuara.

Atje gjenden edhe Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Salih Mustafa, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Por a do munden ish-krerët e UCK-së që gjenden në Hagë, të japin votën e tyre për ata që iu futën garës për zgjedhjet e 14 qershorit.

Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, nuk e mohojnë një gjë të tillë.

Ata thonë se, do ta adresojnë çështjen e votimit në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Kosovës që lidhen me zgjedhjet.

E nëse vetëm kërkohet, do të sigurojnë mbështetje për kryerjen e procedurave të votimit për ish krerët e UÇK-së.

Sipas kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ligji është shumë i qartë në këtë drejtim.

Valdete Daka thotë se të akuzuarit në Hagë, mund të votojnë si votues jashtë Kosovës.

Sidoqoftë, kjo çështje nuk është e paraparë në rregulloren e procedurës së provave ose në Ligjin e Dhomave të Specializuara.

Kështu shprehet avokati i licencuar nga Gjykata Speciale, Taulant Hodaj i cili beson se, nëse kërkohet nga të akuzuarit mundësi e votimit, atëherë do aprovohet.

Zgjedhjet e reja në Kosovë do të mbahen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli të pavlefshme votën vendimtare të Etem Arifit për formimin e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti./periskopi/

 

 

Të ngjashme