Google ADS

A do të ketë ndëshkime të reja financiare për autostradën Prishtinë – Shkup

13:19 | 23 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Autostrada që lidh kryeqytetet e Kosovës dhe Maqedonisë, përkatësisht Prishtinën dhe Shkupin, ishte paraparë të përfundonte në fund të këtij viti. Por, në bazë të paralajmërimeve, lëshimi në qarkullim i kësaj autostrade mund të shkojë përtej këtij afati.

Që nga fillimi i ndërtimit në korrik të vitit 2014, nga kompania ndërtuese është paralajmëruar se autostrada do jetë e gatshme për qarkullim në fund të vitit 2018.

Por, nga punët në terren zyrtarë të Qeverisë nuk shpresojnë se punët mund të përfundojnë gjatë 10 ditëve të mbetura të këtij viti.

Konsorciumi turko-amerikan “Bechtel-Enka”, është kompania e cila po ndërton këtë autostradë. Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje që të marrë një konfirmim nga përfaqësues konsorciumit se kur mund të përfundojë projekti, por ata nuk janë përgjigjur për ndonjë konfirmim të mundshëm.

Ndryshe, ky konsorcium është i njohur në Kosovë, pasi që paraprakisht ka ndërtuar edhe autostradën që lidh Kosovën dhe Shqipërinë.

Rexhep Kadriu, zëvendësministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, tha se punët në autostradën Prishtinë – Shkup, e quajtur “Arbën Xhaferi”, po vazhdojnë me dinamikën që po lejojnë kushtet klimatike. Por, që sipas tij, mundësitë janë të vogla që punët të përfundojnë deri në fund të këtij viti, ashtu siç parashihet në kontratë.

“Në autostradën Prishtinë- Shkup është duke u punuar me intensitet të shtuar. Është montuar trari i fundit i urës. Sipas dinamikës që jemi duke parë në terren vështirë se mund të përfundohet, për arsye se nuk guxojmë të rrezikojmë urën më të gjatë në Ballkan për asfaltim sepse nuk lejojnë kushtet atmosferike për asfaltimin e kësaj ure”, tha Kadriu.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme