Viti 2019 do të jetë vit i hapjes së kufirit Kosovë-Shqipëri, por edhe vit i arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me këtë fjali të publikuar në rrjetin e tij social, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u drejtohet qytetarëve të Kosovës në fillim të vitit 2019, duke paralajmëruar një vit me shumë sfida, por ndër më të rëndat, ai përmend arritjen e një marrëveshje historike paqeje me Serbinë.
“Një moment i tillë përcaktues apo vendimtar yni, i cili duhet të ndodhë në të ardhmen e afërt, ndërlidhet me marrëveshjen përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Mendoj se nuk ka moment më të mirë se tani për të arritur paqen e qëndrueshme dhe përfundimtare. Rrethanat politike në Kosovë dhe Serbi mundësojnë një marrëveshje të tillë”, shkruan në një opinion të tij, Presidenti Hashim Thaçi, duke rikujtuar edhe njëherë rolin që kanë SHBA-së në këtë proces.
“Në favor të shfrytëzimit të plotë të kësaj mundësie historike janë SHBA-ja dhe BE-ja. Nuk kemi kohë për të humbur tani, por me zgjuarsi dhe të bashkuar duhet të vendosim për të mbyllur konfliktin shekullor me Serbinë dhe për ta hapur atë të paqes. Historia, koha dhe gjeneratat e ardhshme do të na gjykojnë për veprimin e duhur apo humbjen e mundësisë. Unë dua që të mbahemi në mend për të parën”, shkruan Presidenti Thaçi. Për një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, shprehet edhe kryeministri Ramush Haradinaj, por nga prizmi i autoriteteve ndërkombëtare, Haradinaj ka tensionuar raportet ndërmjet dy vendeve me vendosjen e taksës 100% për të gjitha prodhimet e Serbisë që hyjnë në Kosovë. Kryeministri këtë vendim e mori për shkak të sic thotë “agresionit politk dhe diplomatic të Serbisë ndaj Kosovës”, ndërsa, shprehet i vendosur që taksën mund ta heq vetëm nëse Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Masa pos që është politike është edhe në mbrojtje të sigurisë të Kosovës. Nëse Serbia nuk ndryshon, (sepse Serbia është një mini Rusi në Ballkan), atëherë taksa ka me mbet përgjithmonë, përjetësisht. Nëse Serbia dëshiron njohje reciproke do e hiqnim menjëherë, sa më shpejtë që bimë dakord për njohjen reciproke”, tha kryeministri Haradinaj, duke i dhënë mbështetje për një marrëveshje me Serbinë, Grupit Negociator të Kosovës, i mandatuar në Parlamentin e Kosovës. “Delegacioni shtetëror e ka përkrahjen e Qeverisë. Negocimi bëhet prej delegacionit, jo prej dy njerëzve. Unë kam kërkuar që edhe Presidenti t’ua dërgoj delegacionit krejt çka posedon”, u shpreh Haradinaj në një konferencë të fundvitit.
Tensionet
Tensionet e larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përshkuan këto dy vende gjatë gjithë vitit 2018. Nuk u shënua përparim në dialog, ndërsa, nga Brukseli zyrtarë u tha se Kosova plotësoi të gjitha kushtet për liberalizim vizash, por kjo nuk ndodhi gjatë vitit 2018. E për gjitha këto “dështime”, partitë politike opozitare akuzojnë partitë në pushtet. Avdullah Hoti, Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, partia më e madhe opozitare, kritikoi Presidentin Thaci dhe koalicionin qeverisës të cilët, sipas tij, po i vënë në rrezik arritjet e Kosovës për shkak të interesit të vetëm për të mbetur në pushtet.
“Në vetëm një vit të qeverisjes, koalicioni PAN na ka larguar nga Bashkimi Everopian. Sot, Kosova është në pikën më të ulët të përkrahjes ndërkombëtare në tri dekadat e fundit. Viti u përmbyll me qeverisje pa legjitimitet të koalicionit PAN, i cili nuk ka guxim të përballet me qytetarët. Ajo që e bashkon sot Qeverinë, Presidentin dhe Kryeparlamentarin nuk është dialogu, por interesi për të mbetur në pushtet”, shkroi Avdullah Hoti, duke ritheksuar se “dështimet e koalicionit qeverisës kanë bërë që edhe qytetarët e Kosovës të mbesin pa liberalizim të vizave”.
Në të njëjtën linjë shprehet edhe lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti, i cili vazhdimisht akuzon Presidentin Hashim Thaçi, për sic thotë, “skenare të fshehta me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.
Takimet e vazhdueshme
“Takimet e vazhdueshme të Thaçit e të Vuçiqit siç duket nuk prodhuan vetëm skenarin e ndarjes së Kosovës, që e kundërshtuam masivisht në protestë në 29 shtator. Por, paskan prodhuar edhe një taktikë për pushtet. Vuçiqi siç duket është i gatshëm të bëjë shumëçka me kusht që në krye të Kosovës e në krye të dialogut të mbetet Thaçi. Madje nuk është çudi që në kuadër të kësaj aleance të fshehtë Vuçiq-Thaçi, presidenti i Serbisë të lejojë edhe një qeveri të Kosovës ku Listën Serbe do ta zëvendësonte ndonjë pseudoopozitë shqiptare me kusht që kështu të zgjatej qëndrimi i PDK-së në pushtet”, shkroi Albin Kurti.
Lista Serbe që ka 10 deputet në Parlamentin e Kosovës, tashmë ka kohë që bojkoton institucionet e Kosovës, që nga koha kur Policia e Kosovës arrestoi për hyrje ilegale në Kosovë, shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Po ashtu argumentin e tyre për largim nga institucionet e fuqizoi sipas tyre, edhe vendimi i autoriteteve kosovare që me ligj e shndërruan Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri. Për këtë të fundit Prishtina zyrtare e kishte mbështetjen e SHBA-së dhe disa vendeve të BE-së.
Sidoqoftë, edhe autoritetet ndërkombëtare të pranishme në Kosovë vazhdimisht shprehen se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje paqeje, sepse kjo do të kuntribuonte në stabilitetin e krejt rajonit. Në një intervistë të fundvitit për mediet lokale, ambasadori gjerman në Kosovë Christian Heldt, është shprehur se “po ta kishte shkopin e famshëm magjik”, ai do ti ndryshonte tri gjëra në Kosovë: “Që shqiptarët e serbët, sikurse edhe bashkësitë tjera, t’i qaseshin njëri-tjetrit në mënyrë më aktive dhe të arrihet paqe me Serbinë. T’i zhdukë mbeturinat gjithandej dhe të ketë një qasje më miqësore ndaj natyrës. Dhe e fundit që gjenerata e re e Kosovës të udhëtojë shpejt e pa kufizime në Evropë”. /dw/
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...