A do të funksionalizohet spitali i ri i Pediatrisë në muajin mars siç premtoj ministri Latifi, flasin nga MSH-ja

09:28 | 27 Mars 2022
A Z

Spitali i ri Pediatrik-Kirurgjik “Sheika Fatima”, u përurua më 13 shtator të këtij viti me shumë bujë, në praninë e kryeministrit Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani dhe ish-ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, por ende ka mbetur pa u funksionalizuar.

Edhe pas më shumë se gjashtë muaj, kur edhe u përurua, në këtë spital nuk është dhënë as edhe një shërbim.

E, Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka premtuar se në muajin mars do të bëhet funksionalizimi i këtij spitali.

“Ne do të arrijmë që spitalin ta hapim me të gjitha funksionet në fund të marsit”, pati thënë Latifi në muajin janar në Kuvendin e Kosovës.

Arbresh.info ka marr një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, se sa është duke punuar rreth kësaj çështje

Nga kjo ministri thonë se janë duke punuar që brenda disa ditësh të fillojë dhënia e shërbimeve.

“Është duke u punuar midis MSH, SHSKUK dhe kontributorëve të tjerë që brenda disa ditësh, të fillojë dhënia e shërbimeve pediatrike dhe kirurgjike në Spitalin e ndërtuar në QKUK me kontributin e drejtpërdrejt të Emirateve të Bashkuara Arabe. Bartja e shërbimeve për fëmijë dhe integrimi i tyre do të fillojë me çka do të nis funksionalizimi i spitalit sipas planit të veprimit të bërë nga SHSKUK”, thuhet në përgjigjën e MSH-së.

Por, këtë si të pamundur po e konsideron, Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovës, Blerim Syla.

Sipas tij, krejt çka mund të bëhet deri në fund të muajit mars është të bëjnë përsëri prerjen e shiritit, pasi që, sipas tij ky spital ka probleme me kuadrot.

“Po sot jemi me datën 23 mars dhe nuk kom pa asnjë indikacion që po lëviz në QKUK për mu funksionalizu spitali i ri i fëmijëve, ata ndoshta munden me bo qysh e kanë bo prerjen politike por nuk ka shancë tani për tani mu hap, pasi që aty e dimë mirë që ka probleme me kuadrot”, tha ai për arbresh.info

Kujtojmë se, ky spital është në vlerë 22 milionë euro donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Më 21 mars të vitit 2016, ish-presidentja, Atifete Jahjaga dhe Maitha Al Shamsi, atë kohë ministre e shtetit e Emirateve të Bashkuara Arabe, kishin vënë gurthemelin e Spitalit Pediatrik-Kirurgjik, në hapësirat e QKUK-së.

Ndërsa, realizimi i këtij projekti ishte paraparë të përfundojë në vitin 2018./ arbresh.info/

Të ngjashme