Kosova ka një muaj që po e shqyrton mundësinë e trajtimit të pacientëve të infektuar me koronavirus, me plazmën e gjakut të personave që tashmë e kanë kaluar sëmundjen COVID-19, që e shkakton ky virus. Megjithatë, profesionistët shëndetësorë po presin që Ministria e Shëndetësisë t’i kalojë procedurat administrative, në mënyrë që kjo metodë të mund të zbatohet.
Personat që shërohen nga COVID-19 krijojnë antitrupa në gjakun e tyre kundër virusit. Këto antitrupa gjenden në plazmën e gjakut (plazma konvulsive), e cila mund të përdoret te një person i infektuar. Transfuzioni i këtyre antitrupave, krijon atë që njihet si imuniteti pasiv te të sëmurit nga COVID-19.
Kjo metodë nuk është e re për mjekësinë dhe është përdorur për trajtimin e të prekurve nga pandemia e Gripit Spanjoll në vitin 1918. Por, një trajtim i tillë – me plazmën e gjakut të pacientëve të shëruar – nuk është konfirmuar se funksionon edhe te të infektuarit me koronavirusin e ri dhe kjo metodë është ende në fazën hulumtuese.
Megjithatë, studiuesit dhe bashkëpunëtorët e Klinikës prestigjioze amerikane Mayo, në qershor kanë gjetur që plazma e të shëruarit është e sigurt për përdorim te pacientët me COVID-19, dhe se ka të ngjarë të zvogëlojë vdekshmërinë nga koronavirusi. Ky studim është bërë te 20 mijë pacientët të cilët e kanë pranuar plazmën.
Megjithatë, disa shtete tash veç kanë filluar aplikimin e kësaj metode. Në Shtetet e Bashkuara përdoret për hulumtim, por kjo metoda përdoret edhe në Turqi, edhe në rajon. Këtë metodë po e zbaton Serbia dhe është paralajmëruar se do të nisë së zbatuari edhe në Kroaci.
Agjencia e lajmeve, Reuters më 9 korrik raportoi se edhe Bashkimi Evropian dëshiron të sigurojë fonde të shpejta për të trajtuar pacientët me COVID-19 me plazmën e gjakut, të marrë nga të shëruarit. Kjo po shihet si një sinjal që në bllokun evropian po rritet besimi ndaj këtij trajtimi eksperimental.
Mundësitë e Kosovës
Infektologu Sali Ahmeti tha për Radion Evropa e Lirë se pacientët që e kanë kaluar sëmundjen COVID-19, konsiderohen si persona që në gjakun e tyre kanë antitrupa të sëmundjes.
Ai thotë se shërimi me plazmën e gjakut, si metodë është e aplikueshme dhe bëhet nga infektologët, por që për një gjë të tillë, janë duke pritur për procedurat administrative nga Ministria e Shëndetësisë.
“Ne, si metodë të hulumtimit ka kohë që e kemi marrë parasysh dhe kemi shikuar mundësitë tona rreth aplikimit të trajtimit. Kemi kontaktuar edhe me transfuzionin e gjakut, meqë procedurat për ndarjen e gjakut nga plazma kryhen në transfuzion. Gjithashtu kemi përgatitur një draft-propozim që është dërguar në komitetin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për të vazhduar më tutje për të kaluar procedurat administrative deri në Ministrinë e Shëndetësisë”, tha Ahmeti.
Amorim ka gjetur tashmë zëvendësuesin e Casemiros te Man Utd...
“KB Krusha” për deklaratat e Pecit: Do të paraqesim fakte pë...
“I ke bërë ato lojërat e tua”, Lela ia lë fajin Gresës për d...
Në Leposaviq vendoset gurthemeli i objektit të ri të nënstac...
Rama: Shqipëria Turistike, në gjigantin mediatik amerikan Wa...
Chelsea kthehet te fitorja, triumfon në udhëtim te Leicester...