A do të dorëhiqen kryetarët në veri, PDK-ja hesht për t ‘vetët

09:56 | 10 Qershor 2023
K.B

Situata e tensionuar në veriun e Kosovës, tri kushtet e Bashkimit Evropian (BE) të shoqëruara nga deklaratat e ‘prera’ të ShBA-ve dhe deklaratat e Kryeministrit dhe Presidentes, duket se janë paralajmërim që veriu do shkojë në zgjedhje të reja.

E gjithë kjo, gjenezën e ka te tensionimi i situatës në veri të vendit, e nisur më 26 maj dhe e eskaluar të hënën e 29 majit, nga ku u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it italian e hungarez.

Kjo situatë nisi për shkak të moslejimit të kryetarëve të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që të hyjnë në ndërtesat komunale nga protestuesit serbë, raporton Arbresh.info.

Përshkallëzimi i situatës dhe prania e shtuar e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës para objekteve komunale, ka shtyrë ShBA-të dhe BE-në që të kërkojnë ‘urgjentisht’ zgjedhje të reja në këto komuna për shkak të pakënaqësisë së serbëve dhe legjitimitetit që po konsiderohet i ‘dobët’ meqë vetëm 3% e qytetarëve votuan në zgjedhjet e 23 prillit.

Për të organizuar zgjedhje të reja në veri, fillimisht nevojitet dorëheqja e kryetarëve që tashmë kanë nisur ushtrimin e detyrës.

Lidhur me këtë, ka një çështje e cila mund të krijojë ‘telashe’.

Kryetari i Zubin Potokut që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Izmir Zeqiri, ka deklaruar për Arbresh.info se nuk e ka ndërmend të ofrojë dorëheqjen e tij, edhe nëse kjo i kërkohet nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.

“ShBA-ja nuk e ka kërkuar dorëheqjen tonë, por nëse e kërkon kryeministri Kurti, duhet të analizohet se pse po kërkohet, cilat janë arsyet dhe pastaj e shohim.

Por, nëse ma kërkon kështu nuk jam i gatshëm, sepse jam zgjedhur me vota të atyre që kanë marrë pjesë në zgjedhje”, ishte shprehur Zeqiri.

Ai theksoi se situata aktuale nuk kërkon veprime të menjëhershme, duke shtuar se as pas tensionimit dhe gjithë dramës në veri nuk është ftuar në takim dhe as nuk është telefonuar nga presidentja Vjosa Osmani.

Zeqiri dhe kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, aktualisht detyrën e tyre po e ushtrojnë nga objektet alternative, meqë hyrja për në komonë është e ndaluar nga serbët lokalë.

Nga PDK-ja, pas takimit me emisarët perëndimorë, Escobar dhe Lajçak, kryetari Memli Krasniqi ka refuzuar të përgjigjet se a do të japin dorëheqje kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, që vijnë nga kjo parti.

Shkurt, ai ka thënë se “Nuk do të spekuloj për çështje hipotetike sepse një gjë e tillë nuk është diskutu deri tash”.

Nga përgjigja ka ikur edhe shefi i grupit parlamentar i kësaj partie, Abelard Tahiri, i cili pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën ka deklaruar se me rëndësi është ruajtja e rendit kushtetues dhe koordinimi me ndërkombëtarët, e jo dorëheqja e kryetarëve.

“Mendoj se cilindo veprim që do ta marrin institucionet, duhet të jetë në përputhje me rendin tonë kushtetues, nëse lejojmë precedane të rrezikshme për vendin tonë dhe rendin kushtetues, atëherë përnjëmend po e cenojmë shtetësinë e vendit. “Është e rëndësishme veprimet që ndërmirren të jenë në përputhje me rendin tonë kushtetuese, kjo është më e rëndësishmja, pastaj modalitetet se si do të zgjidhen kryetarët, si ecë procesi, janë më pak të rëndësishme”, deklaroi Tahiri para gazetarëve.

E nga AAK-ja, shefi i grupit parlamentar, Besnik Tahiri, ka thënë se këto zgjedhje s’është dashur të mbahen fare edhe më 23 prill, për të mos u krijuar kjo situatë që është tash.

Problemi dhe pikëpyetja kryesore qëndron në atë se çka do të ndodh nëse kryetari i Zubin Potokut në këtë rast, por edhe ai i Zveçanit, refuzojnë të japin dorëheqjen.

Legjislacioni në fuqi ofron mundësinë që zgjedhjet e reja të organizohen edhe nëse s’ka dorëheqje nga kryetarët përkatës.

Sipas ligjit, nëse ata refuzojnë dorëheqjen, Qeveria mund t’i suspendojë ata, dhe derisa suspendimi të jetë në fuqi dhe i konfirmuar si i tillë nga Gjykata Kushtetuese, ata mund të shkarkohen pikërisht nga Qeveria.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, për Arbresh.info është zotuar se “Ne shprehim gatishmërinë për të përmbushur detyrat tona që dalin nga kushtetuta dhe ligjet në fuqi nëse një gjë e tillë veçse na kërkohet neve si KQZ”.

Ndryshe, të parët që hodhën idenë mbi zgjedhjet e reja në veriun e vendit, kanë qenë dyshja e madhe evropiane, Franca dhe Gjermania.

Pas takimit me presidenten Osmani në Moldavi, krahas qetësimit të situatës, presidenti Macron dhe kancelari Scholz kërkuan zgjedhjet e reja nga Kosova sa më parë që mundet.

“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron të enjten e 1 qershorit.

Pas takimit me dyshen, presidentja Osmani u shpreh e gatshme që të mbahen zgjedhjet e reja në veri

“Unë i thash që jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë mundësi”, tha Osmani.

“Ata kërkuan nga Kosova që të gjejë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri që do tu jepte qytetarëve serbë mundësinë që të marrin pjesë dhe të zgjedhin kryetarë me legjitimitet më të madh”,

“Unë i informova ata që rregullimi ynë ligjor e lejon atë mundësi dhe jemi të gatshëm ta konsiderojmë bazuar në Ligjin e Kosovës për Zgjedhje”, tha presidentja Osmani pikërisht të enjten.

Atë natë, zgjedhjet i pranoi edhe më i zëshmi në mbrojtjen e rezultateve të 23 prillit, kryeministri Albin Kurti.

Mjaftoi një telefonatë që erdhi nga përtej Atlantikut, që Kurti të ndërrojë mendje.

Ishte zëvendëskëshilltari për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në administratën e Biden, Jonathan Finer, i cili bisedoi me Kurtin më 1 qershor, në të cilën Kurti u zotua se do të bashkëpunojë me SHBA-të për t’i depërshkallëzuar tensionet në veri të vendit derisa konfirmoi se është i hapur për organizimin e zgjedhjeve të reja.

“I lumtur që bisedova me me Zëvendës Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Jon Finer. E falënderova për thirrjen dhe u zotova që të bashkëpunim me SHBA-në për t’i depërshkallëzuar tensionet”, ka njoftuar Kurti në Twitter.

Zgjedhjet e reja i kërkoi edhe BE-ja, ku shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, renditi tri kushtet e tyre, në të cilën përveç zgjedhjeve, kërkohet edhe sigurimi se serbët e veriut do marrin pjesë në ato zgjedhje dhe nisja e punës për themelimin e Asociacionit.

“Dështimi për të bërë këtë, do të ketë pasoja serioze për marrëdhëniet tona”, kishte shkruar Borrell.

Zgjedhje kërkoi edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili pas takimit me kryeministrin Kurti të hënën në mbrëmje tha se duhet shtensionuar situata në veri, të mbahen zgjedhjet e reja atje dhe palët t’i rikthehen dialogut të ndërsjellë.

Ndërkaq Escobar u mundua t’i jap siguri Kosovës duke deklaruar pas takimit me Kurtin se zgjedhjet e reja dhe Asociacioni që synohet të krijohet nuk do të bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe assesi nuk do e cenojnë rendin kushtetues të shtetit.

Gjithsesi, sfidë në vete për Qeverinë e Kosovës nuk është mbajtja e zgjedhjeve të reja në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, por sigurimi i votave të qytetarëve serbë në këto zgjedhje.

Ata bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit, me c’rast i hapën rrugë edhe zgjedhjes së kryetarëve shqiptarëv aty, me mesatarisht vetëm 3% të votave.

Pra, 97% e popullatës me të drejtë vote në këto komuna refuzoi daljen në zgjedhje, meqë edhe partia e tyre, Lista Serbe, e cila dirigjohet direkt nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, refuzoi pjesëmarrjen.

Ndërkaq, Lista Serbe ka dhënë dy kushte për të marrë pjesë në zgjedhjet e reja eventuale.

Ato janë largimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës nga veriu dhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si parakushte për marrjen pjesë në zgjedhjet e reja, dhe njëkohësisht dhënies fund të ‘sagas’ e cila ka kohë që dominon zhvillimet politike në vend./Arbresh.info/Emir Abduramani

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme