Para më shumë se 5 vitesh në Kuvendin e Kosovës ishte zhvilluar një “luftë” në mes të partive politike për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit, pas disa rokadave që ishin bërë brenda grupeve parlamentare.
Kryesia e Kuvendit nuk e kishte aprovuar kërkesën e AAK-së në atë kohë për t’ia dhënë pozitën e nënkryetarit, ndërsa Gjykata Kushtetuese e kishte vlerësuar si të papranueshme kërkesën e AAK-së për kushtetutshmërinë e vendimit të Kryesisë së Kuvendit.
Kjo luftë po bëhet edhe tash në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate.
VV dhe PSD kanë filluar një debat që një kohë në lidhje me pozitën e nënkryetarit të Kuvendit, të cilën po vazhdon ta mbajë deputetja tashmë e PSD-së, Aida Dërguti.
Aida Dërguti ishte votuar si nënkryetare e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që kjo parti kishte qenë grupi parlamentar i dytë më i madh në Kuvend të Kosovës.
Rregullorja e Kuvendit të Kosovës e thotë që tri grupet më të mëdha parlamentare i propozojnë kandidatët për nënkryetar Kuvendi.
“Kryesuesi i mbledhjes konstituive të legjislaturës kërkon nga tri grupet më të mëdha parlamentare ta propozojnë nga një kandidat për nënkryetar të Kuvendit, të cilët zgjidhen me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit”, thuhet në nenin 12 paragrafi 3 i Rregullores së Kuvendit.
Mirëpo, pas përplasjeve të brendshme në Vetëvendosje, ku një grup prej disa deputetëve u larguan, përfshi edhe Aida Dërgutin dhe krijuan një grup të ri parlamentar, VV po kërkon që të largohet Dërguti dhe në vend të saj të vijë një përfaqësues i saj, meqë ata tani janë grupi i tretë parlamentar.
Kjo gjë “nuk po pranohet” nga PSD ose të paktën deri më tani nuk ka ndonjë veprim për këtë çështje.
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu i kishte kërkuar dorëheqjen Aida Dërgutit ose në të kundërtën do të fillojnë procedurat për shkarkimin e saj.
E procedura për shkarkim të një nënkryetari të Kuvendit janë votimi për shkarkim në seancë të Kuvendit të Kosovës.
Neni 6 i Rregullores së Kuvendit, kur flet për kompetencat e Kuvendit, thotë se Kuvendi mund të zgjedhë dhe shkarkojë kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.
“Zgjedh dhe shkarkon Kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit”, thuhet në nenin 6, paragrafi 6 i Rregullores së Kuvendit.
Mirëpo një rast të ngjashëm, të luftës për pozitën e nënkryetarit, Kuvendi e kishte pasur edhe para 5 viteve. Mirëpo në legjislaturën e katërt të Kuvendit të Kosovës, ishte Vetëvendosje ajo të cilës i ishte kërkuar të lirohet pozita e nënkryetarit të Kuvendit, pasi që e kishte humbur primatin e partisë së tretë dhe aty ishte vendosur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Pas zgjedhjeve të vitit 2010, Lëvizja Vetëvendosje hyri në Kuvend me 14 deputetë ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) hyri në Kuvend me 13 deputetë.
Vetëvendosje ishte në koalicion parazgjedhor me Lëvizjen për Bashkim, e cila ishte e përfaqësuar me dy deputetë.
Mirëpo, në shtator të vitit 2011, dy deputetët e Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta dhe Aurora Bakalli, u larguan nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kjo parti mbeti me 12 deputetë, ndërsa 2 vite më vonë edhe deputetja Alma Lama u largua nga ky grup parlamentar dhe Lëvizja Vetëvendosje mbeti me 11 deputetë.
AAK-së, që kishte 13 deputetë, iu kishte larguar deputeti Ukë Rugova dhe kjo parti tashmë kishte mbetur me 12 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Forca e fuqisë së grupeve parlamentare në 2013 kishte marrë një formë tjetër.
Lëvizja Vetëvendosje nga partia e tretë më e madhe kishte kaluar në partinë e katërt, ndërsa AAK-ja ishte bërë partia e tretë më e madhe në Kuvend.
E më 2013, AAK e gjendur pothuajse në pozitën e njëjtë si të Vetëvendosjes këtë mandat, duke u thirrur si partia e tretë më e madhe në Kuvend, kërkonte pozitën e nënkryetarit.
AAK kishte parashtruar kërkesë në Kryesinë e Kuvendit që t’ia japë nënkryetarin e Kuvendit.
Kryesia në atë kohë e kishte refuzuar kërkesën e AAK-së.
“Duke u bazuar në nenin 67, pika 3, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe pas ndryshimit të numrit të deputetëve në grupet parlamentare, kërkoj nga ju që t’i zhvilloni procedurat konform Kushtetutës deri në emërimin e një nënkryetari të Kuvendit nga radhët e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Meqenëse Rregullorja e punës së Kuvendit nuk është harmonizuar me Kushtetutën, atëherë duhet të respektohet parimi hierarkik ligjor në Kosovë. Po ashtu, radha e fjalës, ulëset ne Kuvend dhe radhitja në dokumente zyrtare, duhet te bëhen konform forcës politike aktuale në Kuvend”, thuhej në kërkesën e atëhershme të grupit parlamentar të AAK-së.
Pas refuzimit të Kryesisë, AAK-ja i ishte drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, mirëpo kjo e fundit nuk e kishte pranuar fare si lëndë kontestimin e AAK-së në atë kohë.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, ata si organ vlerësojnë kushtetutshmërinë e vendimeve të Kuvendit të Kosovës.
Sipas Kushtetueses, vendimi i Kryesisë së Kuvendit dhe vendimi i Kuvendit kanë dallim, andaj vendimi i Kryesisë së Kuvendit në mars të 2013 nuk ishte votuar edhe në seancë të Kuvendit.
“Prandaj, juridiksioni i Gjykatës, ose autoriteti, për të interpretuar kërkesat Kushtetuese, nuk mund të zgjerohet në përfshirjen e akteve të brendshme të organeve të Kuvendit ose vendimet e deputetëve individuale ose të zyrtarëve të Kuvendit”, thuhet në aktvendimin papranueshmërisë së Gjykatës Kushtetuese ndaj kërkesës së AAK-së
Në atë kohë, kryetar i Gjykatës Kushtetuese kishte qenë Enver Hasani./Kallxo/
Çfarë duhet të dinin për Islandën – kundërshtarin e Kosovës ...
Në Ditën e Alfabetit, prezantohet projekti për Fjalorin e ri...
Edi: Jam tregtari më i mirë i kriptovalutave në Kosovë, përf...
Vrasje me armë zjarri në Tropojë
SHBA, senatorët reagojnë pas tërheqjes nga emërimi të ish-li...
Dogana kapi 15 mijë euro mall të padeklaruar në aeroport, gj...