99 mijë të vaksinuar në Kosovë, më 15 qershor fillon vaksinimi masiv

12:51 | 13 Qershor 2021
Përparim Bublaku

Koordinatori i Qendrës së Vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vaksinimit masiv që pritet të nis më 15 qershor

“Për procesin e vaksinimit në masë nga 15 qershor fillon në nivel vendi, të gjitha masat janë ndërmarr ekipet mjekësore janë krijuar  edhe infrastruktura është e gatshme dhe këtë pjesë nuk do ta kemi sfidues”.

Tutje, Bardhi tha se deri me tani kanë arritur të aplikojnë 99 mijë vaksina në nivel vendi.

“Aktualisht deri në këto qaste janë vaksinuar 250 persona në sallën ‘1 Tetori’, përderisa  nëse flasim në nivel vendi deri më tani kemi mbi 650 vaksina të dhëna, por numri total deri tani ne kemi arritur në 99 mijë vaksina të aplikuara në nivel vendi”.

Bardhi tha se nuk dihet kur do të fillojë vaksinimi për personat nën moshën 65 vjeçare, pasi që tha varet nga rekomandimet e komitetit.

“Ajo varet nga komenti kur del rekomandimi dhe pritet shumë shpejt pasi që e dini se nga data 15 qershor fillon vaksinimi masiv”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca janë vaksinuar kundër Coronavirusit të ri, ku edhe kanë parë nga afër “përgatitjet për vaksinimin në masë që do të fillojë nga java e ardhshme”.

Presidentja Osmani, me këtë rast ka porositur të gjithë qytetarët që sapo të fillojë vaksinimi masiv, t’i përgjigjen ftesës për vaksinim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Edhe Konjufca, ka ftuar qytetarët që ta marrin vaksinën, sepse sipas tij, me vaksinim bëhet e mundshme hapja, rikthimi i normalitetit, por edhe stabiliteti i përgjithshëm.

Në Kosovë, procesi i vaksinimit kundër COVID-19 ka nisur në fund të marsit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme