Google ADS

Daka: Lista votuese, votimi jashtë vendit dhe votimi me kusht, problemet kryesore zgjedhore

19:22 | 9 Maj 2018
Arbresh.info

Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se lista votuese, votimi jashtë vendit dhe votimi me kusht janë tri pikat në të cilat ka nevojë më së shumti që të ketë reformë.

Daka ka thënë se KQZ duhet të jetë pjesë e grupit punues për reformë zgjedhore.

“Roli i KQZ-së duhet të jetë i madh në reformën zgjedhore, nëse do ta kemi ndonjëherë. KQZ është organi i vetëm që organizon zgjedhjet dhe ballafaqohet direkt me procesin e zgjedhjeve. Vlerësimet që jep KQZ duhet të jenë rekomandime që duhet të merren më së shumti parasysh. Ne e dimë që reforma ka filluar, por fatkeqësisht s’ka pas asnjë të përfunduar. Shpresoj se nëse nuk kemi zgjedhje dhe nëse kemi një periudhë të mirëfilltë mes zgjedhjeve të ardhshme parlamentare do të kemi mundësi të bëjmë reformë”, është shprehur Daka në KTV.

Ajo ka renditur problemet kryesore që kanë hasur në zgjedhjet e fundit duke thënë se duhet të ketë patjetër avancim.

“Për listën votuese kemi vërejtje gjithmonë nga të gjithë edhe pse nuk është KQZ-ja që bën listën votuese. Vërejtjet tona kishin me qenë shumë të rëndësishme për këtë pikë. Pastaj kemi votimin jashtë Kosovës që na ka sjellë probleme të mëdha në zgjedhjet e fundit. Ka pas shumë keqpërdorime dhe me siguri këto kishin me qenë poenta më e madhe e ndryshimit të zgjedhjeve. Pastaj votimi me kusht që konsideroj se nuk është më i nevojshëm. Te zgjedhjet lokale është balotazhi që shton koston e zgjedhjeve. Ka shumë çështje teknike, përzgjedhja e komisionerëve, emërimi i tyre e shumë të tjera. Duhet të ketë avancim të procesit zgjedhor edhe në numërim e shumë pika tjera”, ka thënë ajo.

Sipas Dakës, çelësi për reformë zgjedhore është te vullneti politik.

“Subjektet politike që janë akterë të zgjedhjeve dhe për të cilat ekzistojnë zgjedhjet duhet të marrin iniciativë që bashkë me pak vullnet politik të bëjnë reformën zgjedhore”, ka deklaruar Daka.

Daka ka thënë se KQZ është gjithmonë e gatshme për zgjedhje teksa ka thënë se kanë ndalë nga fondi për partitë borxhin që disa prej tyre nuk e kanë paguar.

Për komisionerët e zgjedhjeve të fundit që akoma s’janë paguar, Daka ka thënë se shkaktar është mbyllja e vitit fiskal, dhe kthimi i mjeteve në ministrinë e Financave. Ajo ka shprehur besimin se me rishikim të buxhetit, qeveria do t’u lejojë buxhet për t’i paguar personat që s’janë paguar akoma.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/daka-lista-votuese-votimi-jashte-vendit-dhe-votimi-me-kusht-problemet-kryesore-zgjedhore-534412/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme