900 mijë euro dëme nga vërshimet në Vushtrri

14:56 | 2 Shtator 2020
Arbresh.info

I pari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka treguar se në bazë të komisionit komunal për vlerësim të dëmeve, në Vushtrri, mbi 900 mijë euro janë dëme e shkaktuara nga vërshimet që kanë ndodhur në disa fshatra të kësaj komune.

Kërkesë për kompensimin e këtyre dëmeve kanë parashtruar 268 fermerë, biznese dhe ekonomi familjare, kështu ka bërë të ditur Tahiri para mediave derisa ka treguar se deri të premten do të pranojnë kërkesa tjera për vlerësim të dëmeve nga fshatarët.

“Në këto vërshime janë dëmtuar shumë kultura bujqësore, biznese, dhe ekonomi familjare. Komuna menjëherë ka bërë komisionin komunal për vlerësimin e dëmeve, dhe deri me tani 268 fermerë, biznese dhe ekonomi familjare kanë paraqitur kërkesat për kompensim të dëmeve. Vlera e totale e dëmit të shkaktuar nga kjo fatkeqësi elementare që kishim me datën 17 dhe 18 gusht në Pestovë, Dumnicë, Stanoc i Epërm e Lumadh përfshinë shumën prej 900 mijë eurove. Mbi 200 mijë euro janë dëmet në bujqësi dhe kulturat bujqësore, mbi 200 mijë euro janë dëmet në biznes dhe mbi 300 mijë euro janë dëmet në ekonomitë familjare, përkatësisht në shtëpitë e vërshuara gjatë kësaj periudhe. Dhe komisioni komunal deri të premten do të pranoj edhe kërkesat të fermerëve të tjerë, apo të ekonomive familjare që akoma nuk janë vizituar”, ka thënë Tahiri.

Tahiri gjithashtu ka thënë se Komuna e Vushtrrisë do të ndaj 100 mijë euro për të bërë kompensimin e këtyre dëmeve nga buxheti i saj, por për kompensimin e dëmeve, ai pret edhe ndihmën e Qeverisë së Kosovës./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme