Google ADS

90 raste të kanosjeve dhe vrasjeve të gazetarëve kosovarë nga paslufta (VIDEO)

14:08 | 21 Qershor 2017
Arbresh.info

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se nga viti 1999 e deri më sot, në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë shënuar 90 raste të veprave penale të kryera ndaj gazetarëve në Kosovë.

Besim Kelmendi, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit tha sot në tryezën ku u prezantuan rastet e veprave penale ndaj gazetarëve se këto vepra kanë të bëjnë me kanosje e deri te vrasjet, shkruan arbresh.info.

Sipas tij, nga kjo shifër në një numër të madh të rasteve nuk është identifikuar kurrë kryesi i veprës penale.

“Kemi bashkëpunuar me OSBE-në dhe kemi marrë edhe aty një listë të gazetarëve e që janë viktimave të veprave penale dhe kështu kemi arriture deri te një finalizim i listës së personave që janë viktima ose të dëmtuar nga veprat penale. Ne nuk kemi arritur t’i përfundojmë të gjitha listat sepse kemi nevojë për ndihmën tuaj  Për fat të keq, viktimat sidomos në rastet e vrasjeve, kanë shkuar por kryesit e veprave penale kanë mbetur ende të pagjykuar. Qëllimi jonë është që të shohim se çka mund të bëjmë për të shtyrë këto çështje më tutje”, ka thënë Kelmendi.

Ai shtoi se do të monitorohet secili prokuror që i ka këto raste në mënyrë që ato të trajtohen me prioritet.

Lumturije Vuçetaj nga prokuroria e Pejës tha se kjo Prokurori ka pranuar 3 raste, të cilat kanë rezultuar me ngritje të aktakuzës.

“Në të tria raste ka pasur aktgjykim dënues.  Nuk kemi raste në procedurë”, ka thënë ajo.

Naim Beka, prokuror në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë tha se janë evidentuar 13 raste ku gazetarët janë të dëmtuarit.

“Nga këto raste disa kanë përfunduar me aktakuzë, disa janë dënuar dhe disa të tjera janë në fazën e grumbullimit të informacioneve. Kemi pasur rastin e Arbana Xharrës Gazmend Morinës e disa të tjerë”, është shprehur ai.

Ndërkaq, Vllaznim Surdulli përfaqësues i Policisë së Kosovës tha se është shumë e rëndësishme që të luftohen kërcënimet dhe vrasjet e gazetarëve.

“Ne kemi pjesën e hetimit paraprak ku rastet e gazetarëve merren me prioritet. Komuniteti i gazetarisë duke e ditur mirëfilltë punën e tyre dhe rreziqet sidomos tek gazetaria hulumtuese i trajtojmë me urgjencë dhe në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Surdulli./Arbresh.info.

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/1455501911181563/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme