Ministri Murati takon ambasadorin Italian, flasin për buxhetin e vitit 2022

15:22 | 5 Nëntor 2021
A Z

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka pritur në takim ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë Antonello De Riu, për të diskutuar rreth programit Qeverisës, Pakos së Ringjalljes Ekonomike dhe Projektligjit për Buxhetin e vitit 2022.

Ministri Murati e ka mikpritur Ambasadorin De Riu dhe ka prezantuar punën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve duke u fokusuar në masat e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, menaxhimin e mirëfilltë të financave publike dhe rritjen ekonomike që ka pasur vendi muajve të fundit.

Ambasadori De Riu ka theksuar se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në vend, e sidomos Projektligjin për Buxhetin 2022, i cili drejtpërdrejtë synon arritjen e objektivave të parapara në Programin Qeverisës 2021-2024.

Ministri Murati gjatë takimit e njoftoi  Ambasadorin De Riu për gjendjen me situatën pandemike, duke theksuar se Qeveria ka ndërmarrë një varg masash për kontrollin e pandemisë duke e bërë Kosovën vendin me popullsinë më të vaksinuar në regjion. 

Ambasadori De Riu falënderoi Ministrin Murati për pritjen dhe theksoi se do ta mbështesin Qeverinë Kurti në arritjen e qëllimeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, si dhe do të vazhdojnë me rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve./arbresh.info/

Të ngjashme