9 ligje të miratuara për 6 muaj, problem kuorumi

11:33 | 20 Mars 2018
Arbresh.info

Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës për gjashtë muaj të punës nuk është treguar efikase. Madje, kjo legjislaturë është karakterizuar me pak seanca, me pak ligje të miratuara, me mungesë të kuorumit e shpesh herë edhe me gjuhë dhe veprime jo parlamentare.

Kështu u tha sot në konferencën  e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës ku edhe u paraqitet një vlerësim rreth punës së deritashme të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës, shkruan arbresh.info.

Artan Murati, nga KDI ka thënë se për gjashtë muaj kjo legjislaturë ka miratuar vetëm nëntë ligje.

“Deri më tani janë miratuar 9 ligje, 5 ligje në vitin 2017 ndërsa 4 në 2018-tën. 5 nga nga këto ligje kanë karakter financiar. Për momentin janë gjithsej 42 ligje që janë duke u diskutuar në Komisionet Parlamentare, janë mbajtur 24 seanca. Ajo çka është interesant ka qenë që në 20 raste seancat plenare kanë vazhduar në ditët tjera sesa seanca plenare të reja dhe kjo dëshmon atë që seancat kanë qenë të tejngarkuara, madje në të gjitha këto seanca  kanë qenë 139 pika të rendit të ditës”, ka thënë ai.

Murati ka thënë se për gjashtë muaj janë thirr katër interpelanca.

Sipas tij, Komisioni Parlamentar i cili ka mbajtur më shumë mbledhje ka qenë Komisioni për Zhvillim Ekonomik, ndërsa ai me më pak mbledhje Komisioni për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Ka shtuar se në 29 raste ka pasur raportim të ministrave, kurse janë realizuar 126 pyetje parlamentare dhe më shumë pyetje kanë pasur VV, të pasuar  nga LDK e subjekte të tjera politike.

“Kuvendi nuk është se është duke pasur efikasitet si duhet dhe nuk po arrin ta luaj rolin e vet. Monitorimi i zbatimit të ligjeve vazhdon të mbetet i ultë”, ka thënë ai.

Mirëpo, ajo çka është më interesante sipas Muratit është që në këtë legjislaturë po vërehet mungesë e madhe e kuorumit në seanca.

“Ajo çka kemi parë në Kuvend është interesant që gjatë kësaj legjislature kemi vërejtur mungesa të shumta të deputetëve dhe vonesa dhe për këtë seanca në mungesë të kuorumit është dashur të thirrej për një ditë tjetër. Problemet më të mëdha që është ballafaquar Kuvendi ka qenë mungesa e kuorumit. Kjo çështje duhet të marrë një përgjigje institucionale dhe duhet të përfshihen edhe sanksione në rregulloren e punës së Kuvendit”, ka deklaruar Murati.

Sipas tij, jeta parlamentare nuk po zhvillohet ashtu si është pritur./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme