Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Izraelit në Kosovë, në shënim të festes Hanukkah.
Në fjalën e tij të rastit Kurti uroi komunitetin hebre duke kujtuar se si populli i Kosovës i ka qëndruar pranë popullit të Izraelit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Shumë vite më vonë, një histori e ngjashme u përsërit, por këtë herë populli shqiptar i Kosovës ishte në nevojë.
Familjet hebreje në Izrael ishin ato që hapën dyert e strehimit për shumë prej refugjatëve tanë”, u shpreh Kurti.
Më poshtë mund ta gjeni fjalën e plotë të kryeministrit Kurti:
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar nga Ambasada e Izraelit në Kosovë, në shënim të festës Hanukkah:
Shkëlqesia juaj Znj. Tamar Ziv – Ambasadore e Izraelit në Republikën e Kosovës,
Shkëlqesia juaj Znj. Vjosa Osmani-Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,
Të nderuar deputetë, ministra, kryetarë komunash, ambasadorë dhe diplomatë,
Të nderuar të ftuar dhe miq,
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dëshiroj t’i shpreh urimet më të mira komunitetit hebre në Kosovë dhe në mbarë botën me rastin e Hanukkah.
Hanukkah është një festë e historisë së fuqishme të çlirimit, në të cilën Makabinjtë çliruan popullin hebre nga dominimi dhe rishenjtëruan Tempullin e Dytë në Jerusalem.
Ndezja e një qiriri në Menorah, një qirimbajtëse me tetë degëzime, çdo natë përkujton historinë e llambës së vajit që digjej për tetë ditë, megjithëse kishte vaj të mjaftueshëm për të djegur vetëm për një. Kjo histori na kujton se edhe kur burimet tona janë të kufizuara, besimi ynë mund të na ndihmojë të përfitojmë sa më shumë nga ajo që kemi.
Ne gjithashtu e dimë se historia e Hanukkah është historia e një populli, që jo thjesht vazhdon përpara përballë tragjedisë, por që është i përkushtuar ndaj besimit të tyre e është krenar për traditën dhe mirënjohës për mrekullitë dhe bekimet e shumta në jetët tona.
Ndërsa kujtojmë historinë dhe mësimet që mund të nxirren nga e kaluara, unë do të doja të theksoja historinë e përbashkët, që populli hebre ndan me kombin tonë – një histori shtypjeje dhe persekutimi që populli ynë pësoi në periudha dhe vende të ndryshme, por një histori që triumfoi me lirinë dhe çlirimin për të dy kombet.
Populli shqiptar i Kosovës ka qëndruar pranë popullit hebre, në kohët më të vështira gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku dhjetëra familje shqiptare strehuan hebrenjtë dhe i ndihmuan ata të shpëtonin nga më e keqja.
Shumë vite më vonë, një histori e ngjashme u përsërit, por këtë herë populli shqiptar i Kosovës ishte në nevojë. Familjet hebreje në Izrael ishin ato që hapën dyert e strehimit për shumë prej refugjatëve tanë. Dhe, kjo histori solidariteti mes popujve tanë, po hedh tashmë themelet e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve tona.
Ne po e zhvillojmë shpejt këtë bashkëpunim në shumë fusha: arsim dhe kulturë; arkiva dhe kinematografi; bashkëpunim ekonomik; bujqësi dhe sektor të ujit; shkencë, teknologji dhe inovacion; shëndetësi dhe mjekësi, si dhe shumë fusha të tjera me interes të përbashkët.
Kosova gëzon një diversitet të pasur kulturor, ku kultura të ndryshme gjatë shekujve kanë lënë gjurmë të prekshme dhe të paprekshme. Dhe ky diversitet kulturor pasurohet më tej nga gjurmët e kulturës hebraike dhe të komunitetit hebre, të cilat shtrihen në shekuj në historinë tonë.
Për të forcuar më tej këtë lidhje kulturore dhe shpirtërore, ne kemi ndërmarrë hapa konkret drejt themelimit të Qendrës Kulturore Hebraike në Prizren. Kjo qendër do të vendoset në objektin e trashëgimisë kulturore në kuadër të Qendrës Historike, ndërsa pas restaurimit dhe përshtatjes do të vendoset një sallë lutjesh – një sinagogë dhe muze që tregon historinë e miqësisë mes kombeve tona.
Ne synojmë ta kthejmë këtë qendër në një pikë lidhëse për bashkëpunim kulturor ndërmjet Kosovës dhe Izraelit dhe me shtetet e tjera me popullsi të konsiderueshme hebreje.
Për t’iu kthyer festës së sotme, më lejoni të përfundoj fjalën time duke ritheksuar se Hanukkah është një festë e shpresës, lirisë dhe fitores. Është një mundësi për ne që të kremtojmë vlerat tona të përbashkëta dhe të jemi mirënjohës për lidhjet e forta të prosperitetit që kemi krijuar si vende demokratike e multikulturore.
Siç edhe shumë prej jush e dinë, emri ‘’Hanukkah’’ vjen nga fjala hebraike për ‘’përkushtim’’. Prandaj dëshiroj t’iu ftoj të gjithëve t’ia përkushtojmë këtë rast përpjekjeve tona të përbashkëta për një botë më paqësore. Le të ripërkushtohemi për të bërë gjithçka që mundemi për të ndriçuar urrejtjen, në mënyrë që t’i japim fund urrejtjes.
Le të kujtojmë se në fund, drita gjithmonë do të triumfojë mbi errësirën dhe liria do të lulëzojë kundër shtypjes.
Ndërsa qirinjtë janë ndezur këtë stinë, ju uroj të gjithëve një Festival të Dritave të lumtur dhe të begatë.
Faleminderit./arbresh.info/
Hamza u bënë thirrje mërgimtarëve në Gjermani që të regjistr...
Të premten bëhet tërheqja e shortit për Kupën e Kosovës
Haradinaj: Kosova nuk duron qeveri që humbjet i mbulon me de...
Në BE s’ka pajtim për hapjen e kapitujve për anëtarësim me S...
Nis protesta para Ministrisë së Arsimit për vrasjen e 14-vje...
De Bruyne lë në pikëpyetje të ardhmen e tij tek Manchester C...