Google ADS

2 vjet në pushtet, opozita dhe analistët tregojnë sukseset dhe dështimet e Qeverisë Kurti

12:55 | 14 Shkurt 2023
A Z

Sot janë bërë dy vjet prej kur Albin Kurti ka veshur petkun e kryeministrit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare tw vitit 2021 fitoi mbi 50 për qind të votave, duke iu mundësuar kështu të krijonte e vetme qeverinë.

Por, qeverisja e tij për këto dy vite po kritikohet nga opozita e analistët, ku sipas tyre ekzekutivi deri tani dështoi t’i realizojë premtimet e veta.

Suksesi i vetëm i Qeverisë në këto dy vite është demistifikimi

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku thotë se Kurti po vepron si analist politik dhe sipas saj ai duhet të marrë vendime dhe veprime.

“Do të thoja suksesi i vetëm i Qeverisë në këto dy vite është demistifikimi (ang.Demystify), lexo: ç’mitizimi i Albin Kurtit. Kryeministri po sillet dhe vepron si analist politik. Ai është aty për të marrë vendime dhe veprime”, tha Çitaku për Arbresh.info

Këto dy vite janë zënë me kapjen e institucioneve, në emër te “ç’kapjes”

Ndërsa, analistja politike, Aferdita Maliqi për arbresh.info ka deklaruar LVV për këto dy vite ka dështuar në diplomaci, ekonomi, e po ashtu me situatën në veri.

“Unë realisht nuk e di çka kanë punuar, sepse tanë këto dy vite janë zënë me kapjen e institucioneve, në emër te “ç ‘kapjes” se tyre. Dështimi më i madh është në diplomaci, në ekonomi dhe bërjen e një ambienti të përshtatshëm për biznese. Po ashtu, dështim mund ta quajmë edhe situatën me veri ku për shkak te keq menaxhimit atje, ka vakum sigurie”, thotë ajo.

Lëvizja Vetëvendosje s’ka me çka të mburret

Lufta kundër krimit e korrupsioni në veri të Kosovës është arritja e vetme e qeverisë, sipas analistit Fatmir Sheholli.

Ai thotë se për këto dy vite Kosova s’ka asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, e sipas tij VV s’ka me çka të mburret.

“Ajo çfarë mund të themi brenda këtyre dy viteve të qeverisjes së VV-së, e arritura e vetme është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht në veri të Kosovës dhe nuk kemi ndonjë rezultat efektiv i cili do të mund të mburrej për këto dy vite. Sepse në këto dy vite nuk kemi asnjë njohje të asnjë shteti, nuk kemi anëtarësim në asnjë organizatë ndërkombëtare dhe më kryesorja është tensionim permanent të situatës në veri të Kosovës me serbët në Kosovë. Nuk kemi ndonjë çështje që ka të bëjë me përmirësimin e situatës në aspektin juridik. Vetëvendosja nuk mund të mburret në këto dy vite, do të presim dy vitet e ardhshme ndoshta kanë diçka më shumë”, deklaroi Sheholli për arbresh.info.

Kujtojmë se 14 shkurt 2021 ishte dita kur u rikthye Qeveria Kurti në pushtet me një mandat të plotë katër vjeçare.

Kjo ishte hera e dytë që Vetëvendosje fitoi zgjedhje parlamentare.

Ajo doli fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 me një dallim të vogël nga Lidhja Demokratike e Kosovës./Ejona Hyseni/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme