I akuzuari për vrasje të rëndë, Ragip Shabani, në seancën fillestare të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka mohuar ta ketë vrarë bashkëshorten e tij, Nurije Shabani.
Këtë vepër penale, i akuzuari i moshës 81 vjeçare, pretendohet se e ka kryer në prill të këtij viti, në shtëpinë e tij në fshatin Varosh të Komunës së Ferizajt.
Sipas aktakuzës, për motive të ulëta xhelozie, i akuzuari kishte goditur me sëpatë gruan e tij që ishte në gjumë, e cila pas lëndimeve trupore ishte dërguar për tretman mjekësor në QKUK, por pas më shumë se një muaji në gjendje kome, ajo kishte ndërruar jetë.
Seanca gjyqësore për këtë rast, është mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në të cilën i akuzuari Shabani, nuk e ka pranuar fajësinë lidhur me këtë rast.
Por, paraprakisht avokati Rafiz Shehu, ka kërkuar që i akuzuari të mos deklarohet rreth fajësisë, pa u bërë një analizë psikologjike për gjendjen e tij shëndetësore. Ai ka thënë se vërehet se klienti i tij, as në natën kritike, por as tani nuk ka gjendje të mirë psikofizike.
“Propozoj që ndaj të mbrojturit tim sipas neni 146 të Kodit të Procedurës Penale të bëhet fillimisht analiza psikologjike, e mandej në seancën e radhës të deklarohemi rreth fajësisë”, ka thënë avokati Shehu.
Ndërkaq, lidhur me këtë propozim prokurori Burim Çerkini, ka thënë se parimisht nuk e kundërshton, por sipas tij nuk ka ndonjë të dhënë për të pandehurin Shabani se ai para kryerjes së veprës penale të ketë vuajtur nga ndonjë sëmundje psikike, e që sipas tij, do të ndikonte në përgjegjësinë për veprimet e tij.
Ai ka shtuar se le t’i mbetet gjykatës që të vendosë lidhur me këtë propozim.
Gjykatësja e rastit, Hysnije Gashi, ka marr aktvendim që deri në shqyrtimin e dytë, i akuzuari Ragip Shabani të dërgohet në Institutin e Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë.
Momentalisht, ai është duke qëndruar në qendrën e paraburgimit në Dubravë, që nga data 13 prill 2018, kur pretendohet të jetë kryer vepra penale e vrasjes së rëndë.
Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i akuzuari Ragip Shabani, më 13 prill 2018, rreth orës 03:30 në fshatin Varosh të Komunës së Ferizajt, përkatësisht në shtëpinë e tij, me qëllim që ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën Nurije Shabani, e ka goditur disa herë me sëpatë.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që deri se ajo ishte në gjumë, për shkak të motiveve të ulëta të xhelozë, i pandehuri del nga shtëpia në oborr dhe merr një sëpatë, pastaj hynë në dhomën e gjumit, ku ishte viktima-bashkëshortja e tij dhe me të njëjtën sëpatë e godet tri herë në pjesën e qafës.
Siç thuhet në aktakuzë, nga këto goditje, asaj i ishin shkaktuar lëndime trupore. Në aktakuzë thuhet se si pasojë e këtyre lëndimeve e dëmtuara fillimisht është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e pastaj në QKUK në Prishtinë dhe pas një kohe të qëndrimit në komë, më 29 maj 2018, ka vdekur.
Me këto veprime, Ragip Shabani akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 179 par.1 nënparagrafi 1.3 dhe 1.8 të KPRK-së./Betimi për Drejtësi
Tragjedia në Gjermani, e përsëritur/ Sulmet terroriste në 20...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist