Google ADS

81 ushtarët e Kosovës në krah të vëllezërve shqiptarë po ndërtojnë urat e dëmtuara në Shqipëri

17:16 | 15 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Dikush i krahasoi ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës me burrat e Isa Boletinit. Një fotografi shihej radha e gjatë e mjeteve dhe ushtarëve që shkonin në Shqipëri, e pranë asaj fotografie tjetra tregonte ardhjen e Isa Boletinit në Vlorë.
Shkuarjet e dy palëve kanë qëllime të ndryshme. Teksa dikur shkohej që të pavarësohej Shqipëria, sot djemtë nga Kosova shkojnë t’u ndihmojnë vëllezërve të tyre.

Përmbytjet nga shiu disaditësh në Shqipëri bënë që shumë ura të dëmtoheshin. Disa më të mëdha, e disa më të vogla, por që efektin e kishin shumë të madh. Në krah të Ushtrisë Shqiptare, veçse ishin nisur ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ndërtimi.info ka kërkuar informacione shtesë nga Ministria e Forcës së Sigurisë për misionin humanitar dhe ka kuptuar se ata janë nisur për ndërtimin e 50 metrave urë. Ura e parë që ka ndërtuar FSK-ja është në Delvinë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Ibrahim Shala për Ndërtimi.info ka treguar se me 6 dhjetor në Shqipëri kanë zbarkuar ekipi i FSK-së prej katër pjesëtarëve dhe 1 automjet për rikonacion dhe vlerësim.

Ndërsa, me datën 7 dhe 8 dhjetor ka zbarkuar konvoji prej 81 pjesëtarëve dhe 40 automjeteve për transportin e konstruksionit të urës metalike, mjeteve dhe pajisjeve për montim të urës nga Batalioni i Xhenios si dhe ekipet mbështetëse për komunikim, ekip mjekësor, ekip i policisë së forcës si dhe ekipi i specialistëve për ndërtim.

Shala ka treguar se me 9 dhjetor konstruksioni i urës është shkarkuar me mjete dhe pajisje për montim.

“Me datën 09.12.2017. Konstruksioni i urës është shkarkuar me mjetet dhe pajisjet për montim. Aktualisht në Shqipëri qëndrojnë 9 pjesëtarë, konstruksioni i urës dhe pajisjet për montim te urës. Pjesëtarët tjerë janë kthyer në Kosovë”, ka treguar Shala. Pjesëtarët e FSK-së do të qëndrojnë në Shqipëri deri vendimin e autoriteteve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për ndërtimin e urës montuese.

Atasheu Ushtarak në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, Enver Dugolli ka takuar nga afër pjesëtarët e FSK-së të cilët ofruan ndihmë në sanimin e pasojave të shkaktuara nga vërshimet në shumë pjesë të Shqipërisë.

Ai përmes një shkrimi në “Facebook” ka dhënë detaje nga puna që po bëhet në Shqipëri ku ka theksuar se ekipet e ekspertëve të FSK-së dhe FASH kanë kryet inspektimet dhe vlerësimet për ndërtimin e urës mbi 50 metra.

“Ishte kënaqësi të takoja këta pjesëtarë të FSK-së të cilët për një javë rresht ofruan ndihmë në sanimin e pasojave të shkaktuara nga vërshimet në shumë pjesë të Shqipërisë! Këta djem të shkëlqyer të FSK-së, së bashku me Xhenieret e Forcave të Armatosura të Shqipërisë ndërtuan urë në Delvinë, si dhe ekipi i ekspertëve të FSK-së, kryen inspektime dhe vlerësime për ndërtimin edhe të një ure mbi 50 metrash të ofruar ndihmë nga FSK”, ka shkruar Dugolli, përcjellë Ndërtimi.com

Ndërsa misioni sipas zëdhënësit të FSK-së mund të vazhdojë së paku edhe dy javë. Gjithashtu personeli mund të shtohet atje, varësisht nga dinamika e ndërtimit. Kjo ndihmë vjen si përgjigje e nevojës në të cilën Shqipëria u ndodh pas përmbytjeve të ditëve të fundit, ku u dëmtuan rëndë mbi 65 ura./ndertimi.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme