80 mijë punonjës shtetëror “kërcënojnë” me protesta, duan Ligjin për paga

09:05 | 4 Korrik 2021
Përparim Bublaku

Punonjësit shëndetësor paralajmërojnë grevë dhe protesta në shtator të këtij viti në rast se me planin e ri legjislativ nuk bëhen ndryshime në Ligjin për paga.

Kryetari i Federatës së Sindikatës Shëndetësore të Kosovës, Blerim Syla, për arbresh.info tha se 80 mijë punëtor të shërbimeve publike do të hyjë në grevë nga shtatori.

“ Prej shtatorit fillojnë grevat protestat reagimet më të mëdha sindikale me të vetmen pikë ‘Ligji i pagave’. Unë po ju premtojë se nëse nuk shkon këtu kanë me u inkuadru 80  mijë punëtorë të shërbimeve publike. Andaj prej shtatorit unë e kam paralajmëru, dhe po e them për herë të parë tek ju se kjo është një strategji e jona pasi që po shihet se ma hajgare nuk bahet. Nëse me planin e ri legjislativ këta e kanë parapa  që më  21 tetor Ligji për paga të shkoj në Parlament dhe nëse këta nuk e bëjnë këtë atëherë ne nuk kemi me respektua asnjë ligj të shtetit dhe grevat e protestat janë të pashmangshme”, tha Syla.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, si ish-zëvendëskryeministër kishte udhëhequr me procesin për hartimin e Ligjit për paga, dhe thotë se ky është një prej ligjeve më të rëndësishme për administratën shtetërore.

“Unë i kamë bërë pyetje publike Ministrit për këtë temë se çka ka ndodh deri tash, por nuk kanë pas përgjigje. Kërkesa ime për Qeverinë është që të kyçen në këtë temë seriozisht për shkak se ky ligj e kthen barazinë në pagë në të njëjtën kohë ky ligj njëherë e përgjithmonë ulë pagat që janë mbi 4000 mijë euro dhe e rrit pagën e specialistit, policit, mësuesit, profesorit dhe gjithë tjerëve të cilët bëjnë punë sot me pagë jo të dinjitetshme”, deklaroi Tahiri.

Sipas Tahirit, Qeveria duhet të konsultohet me sindikatat pasi që pa përfshirjen e tyre ky ligj do të ketë probleme.

“Sa i përket sindikatave si udhëheqës i këtij procesi në këtë ligj unë i ka taku te gjithë dhe e di qysh bahet përgatitja. Ne tash jemi në korrik dhe nuk ka asnjë konsultim sindikal të Qeverisë, dhe kjo tregon që këta nuk e kanë seriozisht me e kry këtë ligj, sepse pa përfshirjen e sindikatave është shumë problem me kriju mbështetje sa i përket këtij ligji”, tha Tahiri.

Ai po ashtu tha se si shef i grupit parlamentar të AAK-së, do ta mbështesin Qeverinë në lidhje me këtë temë.

“Si shef i grupit parlamentar të AAK-së, në çfarëdo kapaciteti do ta mbështes Qeverinë në këtë temë, mirëpo ajo që shihet është se nuk ka vullnet politik dhe as nuk ka ide dhe dinamik të punës për ta dërguar këtë ligj përpara, nëse ky ligj nuk vjen në kohë dhe nuk konsultohet atëherë ky ligj nuk do të mund të buxhetohet për vitin 2022”, deklaroi Tahiri.

Ndryshe Gjykata Kushtetuese e Kosovës pati  shfuqizuar Ligjin për pagat pasi nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën, e për këtë shpalli të pavlefshëm dhe shfuqizoi vendimin për caktim të masës së përkohshme të 12 dhjetorit 2019, si dhe vendimin për vazhdim të masës së përkohshme të 30 marsit 2020./S.D/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme