Google ADS

Nuk kalon Projektligji për tërheqjen e kursimeve nga Trusti

12:28 | 25 Maj 2022
Fjolla Bajraktari

Me 5 vota për, 5 kundër dhe një abstenim deputetët e Komisionit për Buxhet dhe Transfere nuk e kanë miratuar ndryshimin në parim të Ligjit për tërheqjen e kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti).

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu gjatë prezantimit të Ligjit për tërheqjen e kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti) ka thënë se qytetarët janë duke u përballur me krizë ekonomike dhe së është e nevojshme që të kalon ky ndryshim.

“Qytetarët e Kosovës janë duke u përballur me krizë që nga viti 2020 nga pandemia COVID-19, kriza energjetike dhe ajo e çmimeve, andaj kemi propozuar ndryshimin e Ligjit të Trustit për tërheqje nga 10 për qind deri 30 për qind për ata që kanë nevojë”, tha Haxhiu, shkruan Telegrafi.

Ai ka treguar se sa është përqindja që qytetarët duhet t’i tërheqin kursime.

“Pjesëmarrësit mund t’i tërheqin kursimet nën 10 mijë euro kanë të drejtë t’i tërheqin deri 30 për qind, ata që kanë deri 19 mijë euro kanë të drejtë t’i tërheqin deri 25 për qind. Kurse ata që kanë deri 29 mijë euro kanë të drejtë t’i tërheqin deri 20 për qind dhe për ata që kanë deri 39 mijë euro kanë të drejtë t’i tërheqin deri 15 për qind. Më shumë se 40 mijë euro kanë të drejt t’i tërheqin deri 10 për qind”, ka treguar ai.

“Gjashtë muaj pas tërheqjes së kursimeve, Ligji do të shfuqizohet”, përfundon Haxhiu.

Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se e mbështetin këtë ndryshim.

“Ne e mbështesim plotësisht këtë Projektligj”, tha Hoti.

Për deputetin e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK), Pal Lekaj se duhet të fokusohemi te qytetarët.

“Ndoshta nuk është metoda më e mirë, por deri se kemi një krizë ekonomike atëherë duhet të fokusohemi për të mirën e qytetarëve”, tha Lekaj.

Kurse, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë ky propozim duhet të miratohet për të mirën e vendit.

“I ftoj të gjithë deputetet që ta miratojnë këtë propozim për të mirën e vendit”, tha Lushtaku.

Në Kuvendin e Kosovës, ky Projektligj do të shqyrtohet pa aprovim të këtij Komisioni apo Qeverisë.

Ndryshe, deputeti Haxhiu në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, më 9 mars pati dorëzuar në Kuvend, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.

Kujtojmë se një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në fund të vitit 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19. Në raportin e gjashtëmujorit të parë të 2021-së, Trusti kishte njoftuar janë tërhequr rreth 200 milionë euro nga më shumë se 427 mijë kontribuues. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme