Google ADS

8 Marsi Dita e Gruas, mbahet sot në Prishtinë marshi protestues “Marshojmë, s’festojmë”

07:46 | 8 Mars 2023
Vjollca Gajraku

Kolektivi “Marshojmë, s’festojmë” do të zhvillojë sot, me rastin e 8 Marsit – Ditës së Gruas, një marshim i cili nis nga Pallati i Drejtësisë.

Sipas një njoftimi këtë vit manifestohet 8 Marsi me thirrjen “Marshojmë, s’festojmë për një jetë pa dhunë ndaj vajzave dhe grave”.

“Sikundër çdo 8 mars, edhe këtë vit ne organizohemi në protestë kundër sistemit shtypës patriakalo-kapitalist, heteronormativ, transfob e racist. Bashkë marshojmë e revoltohemi meqë refuzojmë t’i dorëzohemi një sistemi i cili dhunon e vret vajza e gra cis e trans. Organizohemi nga kuzhinat, vendet e punës, shkollat e fakultetet, qytete e katunde dhe e denoncojmë këtë sistem i cili vazhdon të na shfrytëzojë e dhunojë. Këtë vit ne e denoncojmë dhunën e gjinizuar në shumëdimensionalitetin e saj. Duke filluar nga organizimi i gjinizuar i punës dhe feminizimi i varfërisë, dhunës seksuale, psikologjike e fizike e deri tek dhuna e institucionalizuar e cila vazhdon t’i shtypë gratë në mënyrë asimetrike duke i shndërruar në subjekte më të cenueshme dhe më të varfra”, thuhet në njoftim.

Këtë vit marshi në Prishtinë do t’i ketë tri pikëtakime kryesore:

10:00 – Pallati i Drejtësisë, Hajvali, Prishtinë

11:20 – Rrethi i Flamurit, Prishtinë

12:00 – Sheshi “Zahir Pajaziti”, Prishtinë, për të vazhduar në trajektoren tradicionale deri te Qeveria e Kosovës.

“Nisja për në Hajvali bëhet me autobusë të organizuar nga Kolektivi „Marshojmë s’festojmë” tek parkingu pranë TV21 – në ora 9:40. Sa më shumë prej nesh që 8 marsi të jehojë solidaritet e shpresë!”, thuhet ndër të tjera në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme