Google ADS

77 vjet nga masakra e Tivarit

08:22 | 30 Mars 2022
S D

Sot mbushen 77 vjet nga masakra më e madhe e kryer ndaj shqiptarëve në Tivar, e cila ndodhi më 30 mars 1945.

Lufta Nacionalçlirimtare apo Lufta e Dytë Botërore sapo kishte përfunduar edhe në Kosovë.

Populli shqiptar, i gjendur dhe i rivendosur pa dëshirën e tij në Jugosllavi, megjithatë shpresonte se gjendja e tij do të ndryshonte rrënjësisht në krahasim me paraluftën. Shpresonte për bashkimin me shtetin amë dhe shpresonte për lirinë e fituar në luftë me gjak. Por, në vend se ta gëzonte lirinë e fituar, regjimi serb kishte planifikuar e realizuar masakra masive kudo.

Pranvera e atij viti kishte ardhur e zezë si nata, skëterrë. Numëroheshin njëra pas tjetrës masakrat, vrasjet masive, burgosjet dhe plaçkitjet e një populli të lodhur nga lufta, nga varfëria dhe nga robëria e gjatë.

Në dimrin e ftohtë të vitit 1945 “çlirimtarët” jugosllavë iu kishin vërsulur nga të gjitha anët Kosovës dhe viseve tjera shqiptare për t’i gëlltitur ato. Kurse, për ta bërë gllabërimin më të lehtë, njësitë vendore partizane, si aradhet, çetat, batalionet e brigadat, ishin dërguar në frontet e luftës jashtë vendit, kudo nëpër Jugosllavi, gjoja për t’i plotësuar njësitë partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë.

Pos kësaj, regjimi i ri jugosllav kishte mobilizuar dhunshëm edhe dhjetëra-mijëra shqiptarë të tjerë për t’i dërguar në frontet e luftës në Dalmaci, Srem e kudo nëpër Jugosllavi. Por, në vend se në frontet e luftës, në muajt mars – prill 1945, shovinistët serbë, maqedonas e malazezë kryen vrasje monstruoze e masakra të papara mbi ushtarët – rekrutët duarthatë shqiptarë.

Më 1 prill 1945, pasoi një masakrim masiv i ushtarëve – rekrutë shqiptarë.  Aty janë vrarë, pa asnjë shkak, sipas disa shënimeve, mbi katër mijë ushtarë. Më 18 prill, me një metodë tjetër, atë të ngulfatjes me gaz helmues, në Dubrovnik, janë vrarë edhe 1300 shqiptarë të tjerë. Në Trogir, në Dalmaci u mbytën në det, pas fundosjes me një anije, së paku 29 shqiptarë – ushtarë rekrutë. Numri i saktë i ushtarëve – rekrutëve shqiptarë të vrarë gjatë rrugës nëpër territorin shqiptar, në qytetet e Tivarit, Dubrovnikut e Trogirit, asnjëherë nuk është mësuar./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme