70 agjensione turistike botërore vizitojnë Prishtinën e Prizrenin

09:08 | 11 Prill 2019
Arbresh.info

Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës (ShTAK), në bashkëpunim me institucione të turizmit në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, dhe një grup agjencish turistike, kanë organizuar një tur turistik në Prishtinë e Prizren, me qëllim promovimin e vendit.

Operatorë të shumtë nga vendet e ndryshme të botës gjatë të mërkurës kanë qëndruar në kryeqytetin e Prishtinës, ku kanë parë nga afër disa nga pikat e kryeqytetit si Muzeu i Kosovës, Sheshet e Prishtinës, Biblioteka Kombëtare, Katedralja, monumenti I NewBorn.

Kryetari i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, Baki Hoti, tha për arbresh.info se janë rreth 70 përfaqësues  nga Agjensionet Turistike Botërore, me qëllim që të promovohet turizmi I Kosovës dhe të ketë bashkëpunim me këta operatorë nga e gjithë bota.

“Këto ditë Kosovën po e vizitojnë një grup shumë I rëndësishëm I touroperatorëve nga gjithë bota. Kemi rreth 70 përfaqësues  nga agjensionet turistike botërore, qëllimi pse këta janë këtu dhe pse ne e kemi bërë këtë organizim ka të bëjë me promovimin e turizmit dhe thellimin e bashkëpunimit mes touroperatorëve të Kosovës dhe këtyre touroperatorëve nga e gjithë bota”, tha Hoti.

Sipas tij, ky organizim do të jetë shumë produktiv për turizmin në Kosovë.

Ai gjithashtu ka cekur se për këtë aktivitet mbështetje kanë gjetur edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe nga Komuna e Prizrenit.

“Kjo ka ardhë si rezultat si bashkëpunimit me institucione relevante të turizmit në Shqipëri, ku ne si shoqatë para dy ditëve e organizuam edhe panairin e turizmit në Shqipëri për pjesën e Kosovës, dhe si vazhdimësi tani kemi marr edhe pjesën e këtij grupi, ku po besojmë se do të jetë shumë produktiv për turizmin e Kosovës. Vlen të theksohet që për pjesën e Kosovës, përpos shoqata që është duke e bërë organizimin, kemi gjetur mbështetje edhe nga ministria e punëve të jashtme të Kosovës njëkohësisht edhe komuna e Prizrenit”, tha ai.

E për shkak të intervalit të shkurtër kohor të këtyre operatorëve që vizitojnë Kosovën, Hoti tha se kanë mundësi të vizitojnë vetëm Prishtinën edhe Prizrenin.

E një vizitor nga Belgjika i cili për herë të fundit kishte qenë në Kosovë në vitin 1994, thotë se nga ajo kohë Kosova ka ndryshuar shumë. Ai kosovarët i vlerësoi si shumë të shoqërueshëm dhe të dashur, duke krahasuar me shqiptarët e Shqipërisë.

“Jemi vizitor nga Belgjika, hera e fundit që e kam vizituar Kosovën ka qenë viti 1994. Ishte pothuajse periudhë lufte. Tani ka ndryshuar gjithçka. Njerëzit këtu në Kosovë janë shumë të shoqërueshëm dhe shumë të dashur. Është njësoj sikurse në Shqipëri”, tha një vizitor nga Belgjika për arbresh.info.

Një vizitore tjetër e cila erdhi nga Tirana, Ilda, thotë se i pëlqen shumë Kosova dhe ndjehet gjithmonë e mirëpritur sa herë që vije këtu.

“Për mua nuk është hera e parë që ndodhem këtu, kam qenë shumë herë këtu dhe sa herë që vij ndjej të njëjtën mikpritje dhe të njëjtën ngrohtësi. Më pëlqen shumë Kosova, këtë ua kam treguar edhe kolegëve dhe partnerëve të mi që vijnë nga të gjitha anët e botës, që Tirana dhe Prishtina, janë i njëjti komb ne jemi vëllezër. Shumë nga ata që e kanë vizituar Kosovën janë surprizuar nga ajo çka kanë parë këtu dhe më kanë thënë që kanë pasur tjetër informacion prej vendeve prej nga ne vijmë. U është thënë që Kosova dhe Shqipëria janë të ndara nga një mur I lartë, por kanë parë krejt të kundërtën”, tha ajo. 

E përfundimi i vizitës, këta operatorë do t’i gjejë në qytetin e Prizrenit, ku atje është thënë se do të prezantohen edhe materiale ekskluzive para këtyre operatorëve, me qëllim që të gjithë këta të njihen me turizmin e Kosovës.

Pavarësisht kushteve, ekspertët e turizmit kanë deklaruar se numri i turistëve që vizitojnë Kosovën është çdo herë e më shumë në rritje./Arbresh.info

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/376323796544776/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme