Reforma zgjedhore, e iniciuar në vitin 2011, nuk ka përfunduar ende në mungesë të vullnetit të liderëve të partive politike. Deputetët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se reforma zgjedhore do të mundësonte zgjedhje më të mira.
Ata presin që ajo të përfundohet pasi të përmbyllen temat e mëdha.
Në mungesë të vullnetit politik për përmbylljen e reformës zgjedhore, ky proces i iniciuar në vitin 2011 ende nuk është përmbyllur. Madje, çështja e reformës është riaktualizuar disa herë gjatë këtyre shtatë vjetëve për shkak të krizave politike. Deputetët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile presin që reforma të përmbyllet pas përfundimit të disa prej “temave të mëdha” me të cilat aktualisht po përballet vendi.
Me përmbylljen e reformës zgjedhore duhet t’u jepet përgjigje disa çështjeve të ngritura si: numri i zonave zgjedhore, pragu zgjedhor për kandidatët e pavarur, për partitë dhe për koalicionet, mënyra e zgjedhjes së presidentit, mbyllja ose jo e listave zgjedhore, si dhe çështjet tjera.
Nga Kryeministria kanë thënë se reforma zgjedhore e iniciuar kohë më parë nga Kuvendi tashmë është në “dorën” e presidentit. “Vitin e kaluar ka pasur edhe një iniciativë nga Zyra e Presidencës, së cilës i është bashkuar edhe Qeveria e Kosovës, edhe të gjitha palët e interesit, duke u mbajtur punëtori dhe gjithashtu janë përgatitur drafte të avancuara, të cilat gjenden në zyrën ligjore të presidentit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së kryeministrit.
Ndërkohë Presidenca nuk ka dhënë përgjigje nëse ky proces do të finalizohet shpejt.
Reforma zgjedhore, pas përmbylljes së temave të mëdha
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë për “Zërin” se reforma zgjedhor do t’i kontribuonte stabilitetit politik. Ajo po ashtu ka theksuar faktin se reforma zgjedhore është kriter në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Përveçse i shërben stabilitetit politik, është edhe njëra prej kritereve të kërkuara në ecjen e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Deliu-Kodra.
Ajo më tej ka thënë se reforma zgjedhore nuk është përfunduar për shkak se ky proces u nis në kohën kur vendi ishte në prag të zgjedhjeve dhe shtoi se kjo reformë zgjedhore duhet të përmbyllet pasi të përfundohen tema e mëdha. “Kosova aktualisht është në pritje të miratimit të Marrëveshjes së Demarkacionit. Natyrisht që jemi të interesuar t’i përfundojmë këto çështjet e mëdha, por natyrisht që është në interes të vendit të diskutohet edhe për reformën zgjedhore dhe të shihet vullneti i partive politike”, ka shtuar ajo.
Sipas deputetes Blerta Deliu-Kodra, qartësimi i listës së votuesve të cilët jetojnë jashtë vendit do ta lehtësonte procesin zgjedhor. “Mendoj se një qartësim sa më i mirë i çështjes së votuesve jashtë vendit do ta lehtësonte procesin zgjedhor në të ardhmen. Po ashtu ka pasur një progres në zgjedhjet e fundit sa i përket pastrimit të listave nga personat e vdekur, edhe pse prapë ka pasur vende-vende probleme në këtë aspekt”, ka përfunduar ajo .
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...