Çka përfshin projekti 237 milionë dollarësh i amerikanëve për energjinë?

10:49 | 5 Korrik 2022
A. B.

Hisedarët e sektorit të energjisë së Republikës së Kosovës dhe delegacioni amerikan i  Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) mbajtën sot takim plenar.

Takimi u hap nga Ministrja e Ekonomisë së Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, dhe drejtorja e MCC për Kosovë, Sarah Olmstead.

Në fjalën e hapjes Ministrja Rizvanolli falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për punën dhe gatishmërinë për të lëvizur tutje me hapa të shpejtë në dizajnimin e projektit. Në veçanti, falënderoi MCC-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën me 202 milionë dollarë, që do të jetë granti më i madh në sektorin e energjisë në histori të Kosovës.

Nga ana tjetër, znj.Olmstead falënderoi Ministren Rizvanolli dhe pjesëmarrësit për takimin e sotëm, si dhe për ndihmën e dhënë gjatë muajve të kaluar në zhvillimin e programit kompakt me MCC-në.  Po ashtu, znj.Olmstead kërkoi nga të gjitha partitë politike vendore mobilizim politik gjatë procesit ratifikues, për të shmangur vonesa, duke marrë parasysh rëndësinë e madhe të këtij projekti për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të dy palët u dakorduan për domosdoshmërinë e intensifikimit të procesit të ratifikimit dhe proceset e tjera përcjellëse teknike të cilat përshpejtojnë dhe hapin rrugën drejt zbatimit të projektit.

Periudha zbatuese e projektit pritet të fillojë nga viti 2024, ndërsa çdo vonesë gjatë ratifikimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të paraqiste vonesë në periudhën e zbatimit, u tha në takim.

Në këtë takim të përbashkët morën pjesë edhe përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT, KEK, ZRrE dhe KEDS.

Ky takim plenar pason konfirmimin me votë unanime të Programit Kompakt nga Bordi i Drejtorëve të MCC-së, vendim i cili ka hapur rrugën në përshpejtimin e procesit të zbatimit të projektit.

Me qëllim të fillimit të dizajnimit të projektit të kapaciteteve akumuluese të energjisë, për vizitë pune 10 ditore në Kosovë, po qëndron në Kosovë delegacioni amerikan i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), i përbërë nga 10 persona, kryesuar nga Jonathan Saiger, Këshilltar i lartë operativ i MCC-së.

Programi Kompakt do të jetë investimi më i madh në sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës, në vlerë prej 236.7 milionë dollarëve. Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës, dhe shënojnë njërin nga bashkëpunimet më të rëndësishme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Programi do të përfshijë tri projekte: rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh); zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.

Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë. Kapaciteti i sistemit akumulues të energjisë pritet të jetë më i madhi në Evropë për kokë-banori, dhe shënon njërin prej projekteve më inovative në rajon dhe më gjerë./arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme