Google ADS

61 raste me Covid-19 në Holandë, dyshohet për variantin e ri Omicron

12:15 | 27 Nëntor 2021
A. B.

Në Holandë janë raportuar 61 persona të infektuar me koronavirus në një aeroplan që fluturoi nga Afrika Jugore dhe se janë duke kryer testim të mëtejmë për të parë nëse udhëtarët e infektuar e kanë variantin Omicron.

Rastet u zbuluan në mesin e rreth 600 pasagjerëve, që arritën me dy fluturime në Aeroportin e Schipolit në Amsterdam të premten para se qeveria holandeze ta ndërprente trafikun ajror nga jugu i Afrikës për shkak të shqetësimeve rreth variantit të ri, shkruan Reuters transmeton arbresh.info

Pasagjerët nga këto dy fluturime u mbajtën të ndarë nga udhëtarët tjerë dhe ata që dolën pozitivë në test po mbahen në izolim në një hotel afër aeroportit.

Një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në Holandë tha se nuk do të dihet deri më vonë të shtunën nëse ndonjëri nga pasagjerët është prekur nga varianti i ri.

Një zëdhënës i autoriteteve publike në Kennemerland, rajoni holandez që e ka nën kontroll Schipolin, tha se rastet pozitive të pasagjerëve janë duke u analizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë. / arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme