6 plusi i ka dhënë afat deri të premten Haradinajt për shkarkimin e Dedajt (Dokument)

12:29 | 31 Korrik 2018
Arbresh.info

Deputetët e Grupit 6+ kërkojnë nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që deri në fund të javës ta shkarkojë zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj.

Në kërkesën e deputetëve të Grupit 6+ thuhet se Dedaj ka fyer, ofenduar dhe nënçmuar komunitetin turk.

Gjergj Dedaj, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, të dielën përmes një postimi në Facebook ka thënë se Turqia dhe Serbia synojnë rikthimin e tyre strategjik në Kosovë, përmes emisarëve të tyre. Madje, ish-lideri i Partisë Liberale të Kosovës, këto dy shtete i ka quajtur ‘Shtriga të Ballkanit’.

Deklarimet e zëvendësministrit Dedaj kanë nxitur reagimin e përfaqësuesve të komuniteti turk, të cilët përmes deputetit të tyre në Parlamentin e Kosovës, Fikrim Damka, i kanë thënë kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, që ta shkarkojë zëvendësministrin Dedaj.

Dedaj kishte shkruar se “Turqia dhe Serbia synojnë rikthimin e tyre strategjik në Kosovë, secila përmes emisarëve të tyre, të mbetur nën rrënjët e sundimit shekullor dhe mbetjet e këtyre sundimtarëve të ndyrë, të cilët duhet të çrrënjosen nga Kosova dhe trojet e Gjergj Kastriotit!”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme