Po bëhen 6 muaj prej kur ish-Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka përfunduar mandatin e tij në krye të kësaj pozite.
Që nga atëherë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dërguar propozimin e tyre për personin që duhet t’a marrë një ndër pozitat më të rëndësishme të vendit.
Prokuroi Blerim Isufaj, më 6 prill 2022 ishte votuar në mënyrë unanime nga KPK për t’u emëruar në këtë pozitë.
Megjithatë, që nga prilli, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ende nuk ka vendosur t’a dekretojë Isufajn për Kryeprokuror.
Ani pse arbresh.info i ka dërguar pyetje rreth kësaj çështje zyrës së Presidencës, nuk ka arritur të marrë një përgjigje.
Mirëpo, në një njoftim për media të Presidentes të lëshuar më 4 tetor të këtij viti, e para e shtetit kishte bërë të ditur se deri në përfundim të të gjitha procedurave gjyqësore në gjykatat e vendit dhe shfrytëzimin e papenguar dhe efektiv të mjeteve juridike nga kundërkadidatët nuk do këtë dekretim.
“Presidentja ritheksoi qëndrimin e saj se do të pritet deri në përfundim të të gjitha procedurave gjyqësore në gjykatat e vendit në sistemin tonë të drejtësisë, para se Presidentja të marrë vendimin e saj për propozimin e KPK-së. Një qasje e këtillë, theksoi Presidentja, është e domosdoshme për ta ruajtur sigurinë juridike dhe për ta siguruar shfrytëzimin e papenguar dhe efektiv të mjeteve juridike nga kundërkadidatët, si dhe për ta garantuar besimin qytetar në proces pas vërejtjeve nga shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidentes me datë 4 tetor 2022.
Menjëherë pas vendosjes së KPK-së për zgjedhjen e Isufajt në krye të Prokurorisë së Shtetit, ishte njëri nga kandidatët për këtë pozitë, Shqipdon Fazliu i cili pretendonte se Këshilli Prokurorial i Kosovës, gjatë procesit të zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, ka shkelur të drejtat e parashtruesit të kërkesës të garantuara me Kushtetutë, përkatësisht të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të drejtën në mjet juridik, të drejtën për barazi para ligjit, të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes, të drejtat për mbrojtje gjyqësore e të drejtave të Kushtetutës së Kosovës si dhe të drejtat tjera të përcaktuara me Ligj dhe Konventa ndërkombëtare.
Pretendimet e prokurorit Shqipdon Fazliu, në lidhje me procesin e përzgjedhjes së Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, nga KPK’ja, muajin e kaluar i kishte hedhur poshtë Gjykata e Apelit.
Apeli e kishte refuzuar refuzuar si të pabazuar ankesën e prokurorit dhe kandidatit për Kryeprokuror, Shqipdon Fazliu dhe ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, e cila e kishte hudhur poshtë padinë si të paraqitur pas kalimit të afatit.
Prokurori Fazliu, ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën Supreme në lidhje me procesin e përzgjedhjes së kandidatit për këtë pozitë.
Arbresh.info ka tentuar të bisedojë me të dhe avokatin e tij, Flakron Sylejmani, por të njëjtit nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.
Në anën tjetër arbresh.info ka kontaktuar me Gjykatën Supreme, për të mësuar nëse është dorëzuar ndonjë ankesë.
Zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka ka thënë për arbresh.info se asnjë ankesë nuk është dorëzuar në këtë institucion deri tash për çështjen e Kryeprokurorit të shtetit.
“Bazuar ne informacionet nga shkrimorja, ne Gjykate Supreme, ende nuk është dorëzuar asnjë ankese nga kandidatet për kryeprokuror të shtetit”, ka thënë Uka për arbresh.info
IKD: Nuk e specifikon Kushtetuta, por nuk nënkupton që Presidentja ka të drejtë pafundësisht të shtyjë vendimmarrjen
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lavdim Makshana, i cili po merret me monitorimin e këtij procesi, vlerëson se përkundër faktit që Kushtetuta nuk ka caktuar ndonjë afat kohor brenda së cilit Presidentja duhet të dekretojë Kryeprokurorin e ri, ajo nuk ka të drejtë që ta shtyjë kaq shumë këtë çështje.
“Fillimisht, duhet të theksojmë faktin se në Kushtetutë dhe ligj nuk ka një afat specifik se kur Presidentja e vendit duhet të marrë vendim përkitazi me propozimin e KPK-së për Kryeprokuror të Shtetit. Por, kjo nuk nënkupton se Presidentja ka të drejtë që pafundësisht të shtyjë vendimmarrjen përkitazi me këtë çështje.” – vlerësoi Makshana për arbresh.info.
Në një prononcim për arbresh.info, Makshana deklaroi se gjatë monitorimit të këtij procesi janë vërejtur shumë probleme dhe parregullsi, të cilat e ‘zbehin’ integritetin e procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të shtetit.
“Konsiderohet se e njëjta duhet të vendosë brenda një afati të arsyeshëm kohor. Në rastin konkret, IKD dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile të cilat kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit kanë evidentuar një numër të konsiderueshëm të problemeve në këtë proces, të cilat probleme e kanë cenuar integritetin e këtij procesi.” – u shpreh ai.
Sipas IKD-së dhe organizatave tjera të shoqërisë civile, integriteti i këtij procesi kaq të rëndësishëm është i kontestuar dhe përkundër vlerësimit të tyre, KPK-ja nuk ka reaguar fare.
Andaj, sipas tij, presidentja Osmani duhet të veprojë më shumë në këtë drejtim, sepse nuk mund të zgjedhet Kryeprokurori i ri i Shtetit nga një proces, integriteti i së cilit është i cenuar dhe kontestuar.
“Për këtë arsye, organizatat e shoqërisë civile që kanë monitoruar këtë proces kanë vlerësuar se Kryeprokurori i ri Shtetit nuk mund të dal nga një proces me integritet të kontestuar. Përballë këtij rekomandimi, nuk ka vepruar KPK. Për këtë arsye, IKD vlerëson se është Presidentja e vendit ajo që duhet të kujdeset që nga një proces me integritet të kontestuar mos të dal emri i ri i Kryeprokurorit të Shtetit.” – përfundoi Makshana për arbresh.info.
Gashi: Presidentja duhet ta ketë parasysh se kemi të bëjmë me një institucionin gati më të rëndësishëm në vend
Për njohësin e çështjeve juridike, Leotrim Gashi, Kryeprokurori i Shtetit është një nga institucionet më të rëndësishme të vendit, andaj presidentja duhet që sa më parë ta dekretojë Kryeprokurorin e ri, bazuar në propozimin e KPK-së, e jo ta lë këtë institucion me ushtrues detyre.
“Normalisht që kompetencat e Kryeprokurorit të Shtetit i ushtron edhe ushtruesi i detyrës, mirëpo roli i tij është shumë më serioz dhe efikas kur është Kryeprokurori i Shtetit, e jo ushtrues detyre. Për këtë arsye, presidentja duhet që sa më parë të marr një vendim lidhur me propozimin e KPK-së, sepse kemi të bëjmë me njërin nga institucionet më të rëndësishme të sundimit të ligjit në vend, si institucion kryesor për ndjekjen e veprave penale dhe menaxhimit të Prokurorit të Shtetit si institucion.” – deklaroi Gashi për arbresh.info.
Në një prononcim për arbresh.info, Gashi thotë se presidentja ka pasur jashtëzakonisht shumë kohë për ta përmbyllur këtë proces dhe duhet ta ketë parasysh që e ka për detyrë të kujdeset për funksionimin e të gjitha institucioneve në vend, ashtu siç e parasheh Kushtetuta.
Ndonëse me ligj nuk është i caktuar afati kohor për dekretimin e Kryeprokurorit, sipas Gashit, presidentja e vendit duhet ta trajtojë me më shumë seriozitet këtë çështje dhe të vendosë sa më shpejtë në bazë të propozimit të KPK-së.
“Në bazë të ligjit për Kryeprokurorin e Shtetit, nuk është përcaktuar ndonjë afat ligjor brenda cilës periudhë kohore duhet të bëhet dekretimi nga ana e presidentes. Për këtë arsye, nuk mund të thuhet se a është shkelur apo jo ndonjë afat. Megjithatë, presidentja duhet ta ketë parasysh se kemi të bëjmë me një institucionin gati më të rëndësishëm në vend dhe duhet të trajtohet me më seriozitet dhe të vendoset lidhur me propozimin që ka bërë KPK-ja.
Presidentja ka pasur kohë jashtëzakonisht të madhe për ta vlerësuar dhe të marrë një vendim sepse tash e sa kohë ajo e ka të gjithë dokumentacionin dhe ka zhvilluar takime me shoqërinë civile e cila e ka monitoruar këtë proces dhe ajo duhet të sigurojë një funksionim normal dhe efikas të të gjitha institucioneve për shkak të rolit që ka si presidente të cilin ia ka garantuar Kushtetuta” – tha ai.
Gashi tha që nuk e di se për çfarë arsye presidentja po e vonon kaq gjatë këtë proces, mirëpo meqenëse Kushtetuta ia garanton dekretimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, ajo duhet ta bëjë këtë gjë sa më parë.
“Nuk mund ta di se a ka ndonjë prapavijë politike, mirëpo roli që presidentes ia ka dhënë Kushtetuta është të sigurojë funksionimin normal të të gjitha institucioneve, dhe përderisa ka një rol për të marrë vendim lidhur me emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, ajo këtë vendim duhet ta marrë sa më parë që është e mundur për shkak se tashmë ka kaluar një kohë e gjatë nga momenti i propozimit” – përfundoi Gashi për arbresh.info.
Pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit nga prilli po e ushtron Besim Kelmendi, i cili është zgjedhur nga KPK-ja si ushtrues detyre i kësaj pozite, pas përfundimit të mandatit të Aleksandër Lumezit.
Ndryshe, Kryeprokurori i Shtetit ka mandat 7-vjecar dhe ka për detyrë që të nxjerr me shkrim rregulla, udhëzime dhe vendime të përgjithshme të detyrueshme për të gjithë kryeprokurorët dhe prokurorët me qëllim të zbatimit të ligjshmërisë, ngritjes së efikasitetit dhe zbatimit unik të praktikave dhe legjislacionit, të mbikëqyr zbatimin e udhëzimeve dhe akteve të tjera, t’i propozojë Këshillit për miratim rregullat mbi veprimtarinë dhe udhëheqjen e evidencës në prokurori, kryen edhe punë të tjera të përcaktuara me ligj.
Me qëllim të zhvillimit efikas të procedurës ose për arsye të tjera të rëndësishme, Kryeprokurori i Shtetit në bazë të një vendimi me shkrim, mund të marrë nën juridiksion cilindo rast në cilëndo prokurori në Republikën e Kosovës, ose ta ricaktojë atë te një prokuror tjetër./Emir Abduramani/arbresh.info/
BBVA4 nis të shtunën, mesazhi i Sara Hoxhës: Kemi sakrifikua...
Nesër seanca e përbashkët plenare, deputetët shqiptarë dhe k...
Ledri Vula lanson këngën e re “Oj oj oj”
Osmani: E ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për...
71 aksidente brenda 24 orëve në Kosovë
Ancelotti bëhet trajneri më i trofeshëm në histori të Real M...