Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial i Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi si dhe Ardian Krasniqit dhe Marigonë Berishës, duke i dënuar me 5 vite e dy muaj burgim dhe 19 mijë euro gjobë. Ndërsa, e akuzuara Flora Doda, u lirua nga akuzat.
Aktgjykimi ndaj katër të akuzuarve u shpall të enjten nga kryetari i trupi gjykues, Alban Ajvazi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Lavdim Krasniqi për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, u dënua me 6 muaj burgim dhe 8 mijë euro gjobë. Dënimi me burgim, të akuzuarit Krasniqi me pëlqimin e tij mund t’i zëvendësohet me gjobë.
Ndërsa, u lirua nga akuza për veprat penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Kurse, Marigonë Berisha u dënua me 5 mijë euro gjobë për “Falsifikim i dokumenteve”. Të njëjtës, do t’i kthehet vetura e sekuestruar.
Sipas aktgjykimit, Ardian Krasniqi u dënua me 1 vit burgim dhe 1 mijë euro gjobë për “Falsifikim të dokumenteve”, kurse për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” me 4 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Ndaj tij, u shpall dënim unik prej 4 vite e 8 muaj burgim dhe 6 mijë euro gjobë.
Në këtë dënim, të akuzuarve do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Në rast se nuk e paguajnë dënimin me gjobë, i njëjti iu zëvendësohet në dënim me burgim.
Të akuzuarit Ardian Krasniqi, iu shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit në administrate apo shërbime publike, në kohëzgjatje prej 2 vitesh, pas ekzekutimit të dënimit.
Ndërsa, Flora Doda u lirua nga akuzat.
Të akuzuarit obligohen që në emër të paushallit gjyqësor secili veç e veç të paguajë shumën prej 200 euro dhe nga 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.
Pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest civil.
Ndryshe, trupi gjykues ndërpreu shqyrtimin gjyqësor më 6 shkurt 2023, pasi prokurori i çështjes Zejnullah Gashi kërkoi nga gjykata që të vendos pa presion të publikut, teksa përmendi tentativat për interferim në këtë çështje penale. Gjykata vlerësoi se nuk mund të vazhdohet tutje dhe se lidhur me pretendimet e prokurorit do të njoftohet Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit për të vlerësuar edhe njëherë pretendimet e tij, nëse ka pasur tentime për interferime apo presion edhe nëse deklarimi i prokurorit ka të bëjë me shkelje të Kodit të Etikës nga ana e prokurorit.
Ndërsa, në seancën e 7 marsit 2023, kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi tha se lidhur me pretendimet e prokurorit Gashi i është drejtuar u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi më 7 shkurt. Gjykatësi ka njoftuar se më 27 shkurt 2023, kanë marrë një njoftim nga Kryeprokurori Kujtim Munishi dhe i njëjti kishte deklaruar se deklarimet e prokurorit nuk bien ndesh me pozitën e prokurorit të shtetit.
Në seancën e 21 dhjetorit 2022 mbrojtja kishte kërkuar hudhjen e aktakuzës me arsyetimin se prokurori ka vepruar kundërligjshëm, pra pa mandat si prokuror i Krimeve të Rënda, ndërsa kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi mori aktvendim me të cilin e ka refuzuar këtë propozim, pasi që sipas tij, nuk janë përmbushur kriteret për hudhjen e aktakuzës.
Ndryshe, shqyrtimi fillestar në këtë rast është mbajtur më 6 tetor 2021, ku të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë më 25 nëntor 2021 kishte aprovuar pjesërisht kërkesat e mbrojtësve të akuzuarve Lavdim Krasniqi e Marigonë Berisha duke hudhur poshtë dy pika të aktakuzës ndaj Krasniqit me të cilat ngarkohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe Berishës për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” si dhe ka shpallur të papranueshme si provë një CD dhe transkriptimin e saj.
Kurse, ajo ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Lavdim Krasniqit për hudhje të aktakuzës lidhur me veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Mosraportim ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Tutje, ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj Ardian Krasniqit për veprat penale në vazhdimësi dhe bashkëkryerje “Ushtrim ndikimi”, veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Për Marigonë Berishën, ka mbetur në fuqi pika e akuzës ku ngarkohet për “Falsifikim të dokumenteve”. Ndërsa, për Flora Dodën, vepra penale për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Mirëpo, Gjykata e Apelit më 4 shkurt 2022 ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë, me ç’rast ka vendosur që Lavdim Krasniqi të gjykohet edhe për dy pikat e aktakuzës për korrupsion. Ndërsa, ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë që CD të shpallet si provë e papranueshme.
Gjithashtu, Apeli ka anuluar vendimin e shkallës së parë edhe sa i përket të akuzuarës Marigona Berisha për veprën penale “Blerja, posedimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” dhe çështjen e ka kthyer në rishqyrtim dhe rivendosje në shkallën e parë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Lavdim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial (KPK) dhe Ardian Krasniqi në cilësinë e shoferit të tij personal, akuzoheshin se nga janari i vitit 2018 e deri në fund të vitit 2019, në bashkëkryerje, në vazhdimësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjetrin nga Bashkim Mulolli.
Siç thuhet në aktakuzë, përmes të akuzuarit Ardian Krasniqi disa herë të njëjtit kanë pranuar të holla, duke arritur shifrën prej 40 mijë euro, si dhe dhuratë, një veturë në vlerë prej 25 mijë euro, për asistenten e të akuzuarit Lavdim Krasniqi, të akuzuarën Marigonë Berisha.
E që këto përfitime sipas aktakuzës, janë pranuar nga të lartcekurit duke premtuar se do të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, në Kolegjin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, për uljen e dënimit, sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, për të dënuarin Bashkim Mulolli, si dhe të shtyhet ekzekutimi i dënimit për te njëjtin.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkonte ata se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.
Tutje, prokuroria i ngarkonte Marigonë Berishën dhe Ardian Krasniqi se veç e veç kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.
Sipas aktit akuzues, e akuzuara Berisha më 16 dhjetor 2019 kishte falsifikuar dokumentin më të cilin ajo pretendonte se në zyrën e noterit Sefadin Blakaj i ka paguar Bashkim Mulollit shumën prej 8 mijë e 400 euro dhe dënimet kundërvajtëse në vlerë 600 euro, e që më pas është konstatuar se nënshkrimi i Mulollit në këtë dokument nuk është i tij.
Ndërsa, Ardian Krasniqi akuzohej se më 19 gusht 2020 kishte falsifikuar testin e COVID-it me të dhënat e Bashkim Mulollit, se kinse ky i fundit kishte rezultuar pozitiv, me të cilin test do t’i mundësohej të njëjtit shtyrja e ekzekutimit të dënimit.
Aktakuza Lavdim dhe Ardian Krasniqin i ngarkonte se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktin akuzues thuhet se dy të akuzuarit Krasniqi, për shkak të obligimeve që kishin ndaj Bashkim Mulollit kishin keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që kishin penguar arrestimin e Albi Mulollit i cili ishte i dyshuarit për kryerjen e vrasjes se rënde në tentative, duke ia mundësuar këtij të fundit arratisjen nga Kosova për në Shqipëri më veturën zyrtare të akuzuarit Lavdim Krasniqi.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Lavdim Krasniqi ngarkohej edhe për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje me Flora Dodën, pasi që në cilësinë e personave përgjegjës kishin shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik.
Sipas Prokurorisë, në muajin shkurt të vitit 2021, të akuzuarit Krasniqi dhe Doda, kanë predikuar fituesin dhe kanë diskriminuar operatorët e tjerë ekonomik, duke favorizuar operatorët ekonomik (OE) “Graniti Shpk” dhe “Solos Studios“ si dhe përkundër vendimit të Sekretariatit të KPK-së, në fillim të vitit kalendarik, i cili në kuadër planifikimit të prokurimit kontrata e KPK-së ka qenë e lidhur me OE, “Mobeland Shpk”. Të njëjtit thuhet se kanë porositur dhe pranuar mobilie në vlerë prej 9 mijë e 480 euro, e që pas disa ditësh është lidhur kontrata dhe janë zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.
Gjithashtu, Lavdim Krasniqi akuzohej edhe për mosdeklarim të pasurisë, pasi që sipas prokurorisë, i akuzuari Krasniqi më 31 mars 2020 në deklaratën për deklarim të pasurisë nuk ka përfshirë shumën e të hollave prej 40 mijë euro, të cilat i ka pranuar nga Fitim Arifi për shitjen e banesës, si dhe të hollat në shumën prej 10 mijë euro, të cilat ia ka dhënë mikut të tij Alush Zariqi, në emër të blerjes së dy banesave.
Krejt në fund, prokuroria e ngarkonte Marigonë Berishën edhe për veprën penale ”Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale”, sepse më 16 dhjetor 2019 e ka pranuar një veturë në vlerë prej 25 mijë euro nga Bashkim Mulolli edhe pse ka qenë e vetëdijshme se kjo veturë ishte fituar më vepër penale të shkaktuar nga Lavdim dhe Ardian Krasniqi.
Shpërthim në Prishtinë, lëndohet një person
Leëandowski arrin shifrën e 100 golave në Ligën e Kampionëve
Yll Limani përmbyll vitin me një koncert madhështor
Paraburgim ndaj tre të arrestuarve në Manastirin e Deçanit
Milan shënon fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve
3 orë mosbindje civile, mbyllet protesta e opozitës në Shqip...