Google ADS

Kurti vizitoi zyrën e Postës së Kosovës në Zveçan e cila u sulmua në fillim të muajit prill me granatë dore

13:05 | 28 Prill 2025
E.G

Pas qëndrimit në Leposaviq, Kryeministri në dorëheqje i Republikë së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanollin, Kryesuesin e Bordit të Postës së Kosovës, Gëzim Pacin dhe Kryeshefen e Postës së Kosovës, Nora Rracin, vizituan zyrën e Postës së Kosovës në qendër të qytetit të Zveçanit.

Kjo zyrë, e hapur me 31 mars 2025, ishte cak i një sulmi me granatë dore në fillim të muajit prill, shkruan Arbresh.info.

Megjithëkëtë dhe përkundër dëmeve materiale, zyra riktheu shërbimet e saj brenda më pak se dy ditësh nga sulmi, duke dëshmuar vendosmërinë e Postës dhe institucioneve të Kosovës.

Ajo është një nga tri zyrat e Postës së Kosovës në këtë komunë. Ofron të gjitha shërbimet postare, si dhe shërbime tjera financiare, sikurse pagesa.

Në kuadër të shërbimeve postare, përveç shërbimeve universale, ofrohen edhe shërbimet e shpejta express, si në trafikun vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Qytetarët këtu mund të kryejnë të gjitha shërbimet postare dhe shërbimet tjera të pagesave.

Kurti falënderoi punëtorët e Postës, nga radhët e komuniteteve të ndryshme për mikpritjen. Ai përgëzoi Ministrinë e Ekonomisë dhe Postën e Kosovës, që po bëjnë shtrirje gjithnjë e më të gjerë territoriale të shërbimit postar publik, e cila po vjen pas një suksesi të përgjithshëm të performancës së Postës së Kosovës.

“Ne e dimë mirë që në vitet 2016 deri në vitin 2021 ka pasur humbje të gjithmbarshme, pra kumulative, prej 9.3 milionë euro, ndërkaq vitin e kaluar e kemi mbyllur më në fund me fitim prej 260 mijë euro. Prandaj, unë ju përgëzoj për këtë sukses në qeverisje të mirë kooperative publike të Postës së Kosovës, për menaxhim të suksesshëm, i cili është reflektuar si në cilësi të shërbimeve, gjithashtu edhe në fitim të kompanisë”, u shpreh Kurti gjatë vizitës.

“Muajin prill e patëm filluar me lajmet e hidhura për granatë dore ku njëra shpërtheu e tjetra jo, pikërisht në vendin ku ndodhemi sot. Por, këtë vizitë në fund të muajit, po e bëjmë në një situatë ku është e qartë për të gjithë qytetarët, se Posta nuk është vend i granateve, i bombave, po i letrave, pusullave, i mallrave, por qe besa edhe i dërgesave financiare që mund të merren në euro tash këtu në Zyrën e Postës së Kosovës në Zveçan”, tha ai.

Në fund, theksoi se me shtimin e bizneseve të ndryshme, qendrave tregtare, shitoreve, por edhe të atyre të prodhimit e të shërbimeve, degëve të bankave komerciale, natyrisht që edhe ndërmarrjet publike duhet të jenë dhe do të jenë gjithnjë e më të pranishme për hirë të qytetarëve pa dalluar askënd, por duke iu shërbyer të gjithë atyre./Arbresh.info /

Të ngjashme

Foto lajm