Në muajin prill Kosova u trondit nga dy vrasje të grave brenda katër ditëve.
21 vjeçarja Erona Cokli u qëllua për vdekje në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ndërsa mbeti i plagosur vëllai i saj 15 vjeçar nga ish- i dashuri i saj 36 vjeçar Valon Aliu.
Ndërsa, brenda tre ditësh vendi u trondit me një vrasje tjetër të gruas. 43 vjeçarja, Gjyljeta Ukella u vra me armë zjarri nga bashkëshorti i saj, Edmond Lajqi në banesën e tyre në Pejë.
Për tu parandaluar vrasjet e grave, njohësi i çështjeve të drejtësisë, avokati Florim Shefqeti pohon se duhet të ketë sanksione më të ashpra për vrasjet më bazë gjinore.
“Ne konsiderojmë që secila vrasje, specifikisht vrasjet me bazë gjinore, duhej që të sanksionoheshin ndoshta me sanksione më të ashpra, minimalisht të zbatohet Kodi Penal, i cili përcakton dënueshmërinë edhe me burgim të përjetshëm, e që në praktikë nuk zbatohet fare, në parim për cilën do vrasje, aq më tepër vrasjet e tilla brenda familjes, ku KPK, i ka kualifikuar si vrasje e rëndë”, thotë Shefqeti.
Shqetësuese për të janë po ashtu, dënimet e ulëta për armëmbajtje pa leje. Sipas tij, ekziston një numri madh i armëve pa leje në duart e qytetarëve.
“Ka qenë një kampanjë për dorëzimin e armëve, po ashtu është thënë që ka numër të madh të armëve. Ajo që për ne është shqetësuese, është që fakti që politika ndëshkimore të rasteve pa leje, maksimale shqiptimi i gjobës në këto raste, në një formë, secili dënim ka dy qëllime, ndikimin në kryerësin e veprës penale, që i njëjti të mos përsërisë vepër penale, ndikimin që qytetarët mos të kryejnë vepër penale, nga dijenia për sanksionin që mund të shqiptohen, në këtë rast për armëmbajtje pa leje”, shprehet ai.
Përveç ashpërsimin të dënimeve, ai pohon se do të duhej të ketë edhe programe të caktuara në nxitjen e qytetarëve në dorëzimin e armëve.
“Ne konsiderojmë që përveç ashpërsimit të dënimeve, ajo që mund të bëhet shpejt dhe në bazë të legjislacionit aktual, normalisht do të duhej të ketë dhe programe të caktuara në nxitjen e qytetarëve në dorëzimin e armëve. Secili qëllim i dënimit duhet të ketë për bazë dhe preventivë gjenerale”, thekson ai.
shqetësuese sipas tij është se i dyshuari për vrasjen e21 vjeçare, Valon Aliu ishte përsëritës i veprave penale.
Shefqeti tregon mbi cilën bazë mund të zhvillohen hetimet për vrasje të rëndë në këtë rast.
“Një fakt që vlerësojmë se i njëjti ka qenë recidivist, ishte dënuar paraprakisht për dhunë në familje dhe tek rastet tjera të fundit, thuajse të gjitha kanë një ngjarje të njëjtë, së dyti Kodi Penal, që përcakton vrasjen e rëndë, një faktor është ku vritet anëtari i familjes, se në rastin konkret nuk ka ekzistuar, sepse ligji për familjen, nuk e ka përcaktuar anëtarin me të cilin bashkëjeton, ndonëse në dispozita më vonë, bashkëjetesën e barazon me martesën në kuptim të drejtave. Me aq sa kemi parë, aty ka mbetur i plagosur dhe një person tjetër dhe mbi këtë element mund të trajtohet dhe të zhvillohen hetimet për vrasje të rëndë. Të njëjtit përveç që nuk kishin kurorë, kishin një vendim të gjykatës që ju ishte caktuar besimi i fëmijës, problemet kanë lindur nga mungesa e realizimit të kontaktit të njërit prind me fëmijën, ku i është besuar fëmija” thotë ai.
Shqetësuese për të është edhe mungesa e sigurimit përkatës në Qendrën për Punë Sociale, ku ka ndodhur vrasja e Coklit.
“Në Qendrën për Punë Sociale, nuk është bërë fare kontrollimi i personit, aty nuk ka zyrtar policor dhe as sigurim të kontraktuar, sipas përvojës tonë, asnjëherë nuk ka kontroll në hyrje dhe dalje. Ne kemi parasysh që rastet e vrasjeve me motive të caktuara nuk munden të ndalen, sepse personi që ka vendosur të kryej një vrasje është vështirë të parandalohet, në këtë rast kishte realizim të kontaktit, siç është dhe në dërgimi në shtëpi të fëmijës, dhe në kohën kur është bërë kthimi, ka ndodhur ky rast, mbi këtë bazë ne konsiderojmë që Qendra për Punë Sociale, nuk kanë staf të mjaftueshëm, janë të stërngarkuar me numër të lartë të lëndëve, dhe kjo i pamundëson trajtimin dhe ofrimin e kohës të mjaftueshme në trajtimin e rasteve”, u shpreh avokati.
Ndryshe, brenda katër ditëve, dy gra u privuan nga jeta pikërisht nga arma e zjarrit dhe duart e bashkëshortëve të tyre. 21 vjeçarja nga Ferizaj, Erona Cokli u vra nga ish-i dashuri i saj 36 vjeçar, Valon Aliu, ndërsa tre ditë vonë, 43 vjeçarja Gjyljeta Ukella nga Peja u vra nga bashkëshorti i saj 45 vjeçar Edmond Lajqi.
Ndërkohë, nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë gjithsej 57 gra./Arbresh.info/Rita Jakupi/
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale