Para mbledhjes së Asamblesë së OKB-së, shqiptarët në New York aksion me fakte e fotografi për krimet serbe në Kosovë

19:39 | 25 Shtator 2024
E.G

Në Nju Jork, një grup i mërgatës që jetojnë në SHBA kanë organizuar një aksion në rrugët e këtij qyteti, duke paraqitur fakte e fotografi të krimeve të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

Në aksionin e tyre simbolik ata kanë përmendur krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, teksa kanë kërkuar drejtësi edhe për zbardhjen e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyqi.

Parullat si “ Vuqiç = Millosheviq”, “Krimet e pandëshkuara të Serbisë për 13.950 të vrarë, 20,000 të përdhunuar dhe 1600 të pagjetur”, “ Drejtësi për vëllezërit Bytyqi”, “Serbia ka gjak në duar të veta”, Ndaloni së mbrojtur kriminelët”, “Serbia përdor përdhunimin si armë”, “Nuk harrojmë kurrë” e “Vuqiç marionetë e Putinit“ janë shfaqur në protestë.

Në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës po qëndron edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ku do të zhvillojë takime bilaterale me liderë në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Përmes pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë dhe takimeve të parapara synohet thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere, fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, dhe prezantimi i mundësive dhe përparësive që Republika e Kosovës ofron për investitorë të huaj”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Sipas njoftimit, gjatë qëndrimit në SHBA, Kurti së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz do të takojnë pjesëtarë të komunitetit shqiptar në ShBA dhe përfaqësues të shoqatave të diasporës atje.

Në fund të vizitës, kryeministri Kurti do mbajë ligjëratë në Universitetin prestigjioz Yale, mbi rrugëtimin demokratik të Republikës së Kosovës 25 vjet pas çlirimit, qeverisjen dhe rritjen ekonomike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme