Google ADS

Kurti te Darka e Lamës: Edhe sipërfaqja e punuar e tokës edhe Bruto Produkti Vendor janë rritur për 50 për qind

23:06 | 2 Dhjetor 2024
E.G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në festën tradicionale Darka e Lamës, që u organizua nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ditë kjo që shënon përfundimin e të korrave për të festuar vitin e bereqetshëm.

Në këtë ditë të veçantë, në darkën e shtruar me produkte vendore, kryeministri Kurti falënderoi veçanërisht fermerët tanë për punën e palodhshme të tyre në rritjen e prodhimit vendor, shkruan Arbresh.info.

Me këtë rast, ai konfirmoi mbështetjen dhe angazhimin e qeverisë për ta, duke theksuar se sukseset i gëzojmë së bashku, dhe gjithmonë jemi me shpresën që kjo begati të na përcjellë edhe vitin tjetër.

“Sivjet kemi një korelacion interesant krahasuar me para katër viteve: edhe sipërfaqja e punuar e tokës edhe Bruto Produkti Vendor janë rritur për 50 për qind. E punojmë tokën më shumë dhe e rrisim ekonominë tonë më lart. Për tokat e mbjella, grurin e korrur, bukën e sofrës, mikpritjen dhe bujarinë që na karakterizon si komb e si shtet. Gëzuar e ta shijoni këtë darkë të shtruar vetëm me produkte vendore”, u shpreh kryeministri Kurti.

Fjala e kryeministrit Kurti:

Duke ju falënderuar para së gjithash e mbi të gjitha ministrit tonë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, të cilin e përshëndes dhe e falënderoj përzemërsisht,

Të nderuar deputetë të Kuvendit e kolegë nga qeveria,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore,

I nderuari drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë të Gjermanisë, të Austrisë, të Japonisë e të Holandës,

I nderuari rektor i Universitetit të Prishtinës, profesor Arben Hajrullahu dhe rektor i Universitetit të Prizrenit, Mentor Alishani,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Në sofrën e përbashkët të begatisë, sot përcjellim mesazhin e unitetit, të bukës, të krypës dhe të zemrës. Të fuqisë që buron nga dashuria për atdheun, nga përkushtimi për ta mbrojtur atë e për t’i dalë zot atij. E falënderoj Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që na ka bërë bashkë sonte.

Në këtë dolli të përbashkët, falënderoj veçanërisht fermerët tanë për punën e palodhshme të tyre në rritjen e prodhimit vendor, në vitin që ngadalë por sigurt po e lëmë pas. Ne do të vazhdojmë mbështetjen dhe angazhimin tonë për ta. Sukseset i gëzojmë së bashku, dhe gjithmonë jemi me shpresën që kjo begati të na përcjellë edhe vitin tjetër. Sivjet kemi një korelacion interesant krahasuar me para katër viteve: edhe sipërfaqja e punuar e tokës edhe Bruto Produkti Vendor janë rritur për 50 për qind. E punojmë tokën më shumë dhe e rrisim ekonominë tonë më lart.

Për tokat e mbjella, grurin e korrur, bukën e sofrës, mikpritjen dhe bujarinë që na karakterizon si komb e si shtet. Gëzuar e ta shijoni këtë darkë të shtruar vetëm me produkte vendore./Arbresh.info/

Të ngjashme